1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lirohen tre gjermanët, agjentë të BND-s

28 Nëntor 2008

Tre agjentët e BND-s janë liruar në mbrëmjen e së premtes. Lajmi u konfirmua edhe nga zyra juridike e UNMIK-ut. Nisja e tyre për në Gjermani pritet në orët e vona të së premtes ose të shtunën.

https://p.dw.com/p/G5gj
Agjentët e BND-s të shoqëruar nga policia në PrishtinëFotografi: AP

Autoritetet kosovare kanë liruar në orën 20:30 në mbrëmje tre agjentët e BND-s, të cilët mbaheshin që prej 10 ditësh në paraburgim në Prishtinë. Robert Dean, kreu i departamentit juridik të UNMIK-ut konfirmoi lajmin e lirimit. Avokatët mbrojtës të tre shtetasve gjermanë janë shprehur se çështja e udhëtimit do të rregullohet mes qarqeve ndërshtetërore, mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Të tre agjentët e BND-s nga mosha 41 deri 47 vjeç, ishin akuzuar nga autoritetet kosovare për vepër terroriste të hedhjes së eksplozivit në ndërtesën e zyrës civile ndërkombëtare.

Ndërkohë të premten që nga orët e para të mëngjesit ka qenë në pritje një aeroplan qeveritar gjerman.Nisja e tre njerëzve të BND-s për në Gjermani pritet në orët e vona të së premtes ose të shtunën.

Qeveria gjermane kishte bërë thirrje të premten për lirimin sa më të shpejtë të tre gjermanëve të arrestuar në Kosovë.

Po ditën e premte, zëdhënësi i qeverisë gjermane Tomas Shteg (Thomas Steg) në konferencën e rregullt të shtypit në Berlin kishte apeluar që gjermanët që mbahen në arrest në Kosovë të lirohen sa më shpejt: "Qeveria gjermane bashkohet me konkluzionin e arritur në Komisionin Parlamentar për Kontrollin mbi Shërbimet e Fshehta për t'i liriuar menjëherë këta tre shtetas gjermanë", tha Shteg në Berlin. Ai nënvizoi më tej se tre gjermanët nuk kanë të bëjnë me shpërthimin para zyrës ndërkombëtare civile në Prishtinë dhe se ata mbahen në arrest në kundravajtje me ligjin.