1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shoqëria ruse mund të shpërthejë"

Irina Chevtaeva20 Maj 2016

Në Rusi ka konflikte të ashpra sociale dhe të brendshme politike. Jeta e njerëzve është e keqe, thotë shkrimtarja ruse, Ljudmilla Ulizkaja në intervistë me DW. Po sa liri dëshirojnë ata?

https://p.dw.com/p/1IrGJ
Liudmila Ulitskaya russische Schriftstellerin
Fotografi: DWIWinogradow

Deutsche Welle: Zonja Ulizkaja, në ç'gjendje është sot "inteligjencia" ruse?

Ljudmila Ulizkaja: Ajo që kemi quajtur "inteligjencie" në të kaluarën, sot nuk ekziston më. Njerëzit e shkolluar sot janë të ndarë në grupe shumë të ndryshme. Një pjesë e intelektualëve largohet nga vendi, të tjerët përpiqen që të përshtaten. Por gjendja shpirtërore e përgjithshme e depresuar prek njësoj shtresa të shkolluara dhe shtresa më pak të shkolluara. Mendoj se raporti i shenjtë 86 me 14 përqind, pra midis atyre që mbështesin pushtetin shtetëror, dhe atyre që janë të pakënaqur me të, nuk i përgjigjet krejt realitetit. Te njerëzit, me të cilët flas nuk e shoh këtë raport. Këto shifra unë i konsideroj një mit.

A është pushteti shtetëror si moti: duhet të përshtatesh pak, që të të mos të ndodhë gjë?

Përsa më përket mua, unë mbaj distancë të madhe nga pushteti shtetëror. Prandaj jam një njeri krejt i pavarur. Deri tani ia kam dalë mbanë me këtë qendrim, por se çfarë do të vi nesër, këtë nuk e di. Do të përpiqem të rezistoj në Rusi, sepse Rusia është pikërëndesa e interesave të mia. Një pjesë të kohës sime unë e kaloj jashtë vendit, aktualisht jam në Itali, pjesën tjetër të kohës në Rusi, ku do të kthehem në fillim të qershorit për një premierë teatri. Unë jam e lidhur me vendin tim, ja që kjo kështu është.

Ukraine Bücherforum im Lemberg 2014
Fotografi: DW/V. Kipiani

A ju duket interesante Rusia?

Jashtëzakonisht interesante! Mendoj se sot është një ndër vendet më interesante. Eshtë shumë dramatike, ka konflikte të brendshme politike dhe konflikte të forta sociale. Vërtet e hidhur është që njerëzit kanë një jetë kaq të keqe. Një ditë, kjo pjesë e historisë do të bëhet objekt studimi dhe studiuesit do të habiten për kontradiktat e brendshme dhe raportin e vështirë midis shoqërisë dhe shtetit. Është vërtet shumë e vështirë, por për Rusinë kjo nuk është asgjë e re.

Në fund të prillit, aktivistë të "Lëvizjes Nacionale të Çlirimit" (NOD), e afërt me Kremlinin sulmuan ndarjen e çmimeve në një konkurs historie për nxënës, konkurs i organizuar nga organizata ruse e të drejtave të njeriut, Memorial. Edhe ju u sulmuat nga anëtarët e NOD-it.

Në aktivitet patën ardhur nxënës që patën shkruar hartime të mrekullueshme për historinë e familjes së tyre, të fshatit dhe të shkollës së tyre. Shumë prej tyre vinin për herë të parë në kryeqytet. Ata ishin fituesit e konkursit të historisë. Dhe papritur në afërsi të "Shtëpisë së Kinemasë" atyre u del një grup huliganësh, që i shajnë dhe i godasin me vezë. Kjo është e pështirë. Unë mund ta fshij ngjyrën jeshile nga fytyra dhe të vazhdoj të jetoj. Po dorasit, ata idiotë të mjerë, të manipuluar, nuk janë kundërshtarë për mua. Edhe për ata më vjen keq, se edhe ata janë fëmijët tanë. Një pjesë e këtij brezi ndodhet në një rrugë të tmerrshme. Të dhemb jashtëzakonisht kur e sheh këtë.

"Liria është një gjë e vështirë, duhet ta duash ta mësosh", keni shkruar. Çfarë kuptoni me këtë?

Shoqëria jonë nuk e mban në vete dëshirën për liri, dhe për aq kohë sa kjo dëshirë nuk vjen që brenda, nuk mund të ndërmerret asgjë që jashtë. Kur populli është i kënaqur me gjendjen aktuale të gjërave dhe me keqësimin e standardit të jetesës: me se mund të ndihmosh më? Me sa duket kjo situatë do të arrijë dikur një pikë kritike. Pastaj mund të kemi edhe shpërthime masive. Këtë do të doja ta shmangia me shumë dëshirë. Por në situatën e sotme këtë nuk mund ta përjashtojë askush.

Ljudmila Ulizkaja është autore dhe publiciste ruse. Vëllimi e saj me tregime është përkthyer në 17 gjuhë të botës.