1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roma Frankreich

20 Gusht 2010

Franca ka filluar që nga e enjtja të kthejë në vendlindje qytetarë të BE-së. Gjithsej do të riatdhesohen në Rumani dhe Bullgari rreth 700 romë. Aksioni kritikohet si racist dhe kundër kundër të huajve.

https://p.dw.com/p/OrsP

Pas procedimit të ashpër të qeverisë franceze fshihet vetëm një lojë e pastër pushteti. Romët ngjallin frikë e pasiguri. Ata jetojnë në zona të papastra ilegalisht nën ura apo në hapësira të pabanuara. Fqinjët kalojnë në anën tjetër të rrugës kur fëmijët romë ecin pranë shtëpive të qytetarëve francezë. Ata kthejnë kokën në anën tjetër të pështirosur, kur prindërit e tyre lypin, të ulur para supermarketeve.

Duhet t'u hedhësh një sy gazetave që të kuptosh se çfarë synon qeveria franceze me këtë aksion. Vetëm para pak kohësh u publikua një sondazh për ndenjën e sigurisë në vend. Rezultati: Më shumë se gjysma e francezëve beson se numri i krimeve është shtuar në muajt e fundit. Por në të vërtetë faktet tregojnë të kundërtën, prej vitesh kriminaliteti në Francë është në rënie.

Nicolas Sarkozy nuk bën gjë tjetër veçse aprovon frikën e francezëve dhe iu premton në të njëjtën kohë ndihmë sipas stilit: "E di, gjendja është e keqe, por unë do merrem me këtë, mos u shqetësoni."

Pamje nga aksioni i riatdhesimit në Rumani të enjten (19.08)
Pamje nga aksioni i riatdhesimit në Rumani të enjten (19.08)Fotografi: AP

Dhe thjesht anashkalohet fakti që planet e Sarkozisë nuk mund të funksionojnë, sepse si qytetarë të Bashkimit Evropian, romët nga Bullgaria apo Rumania, mund të lëvizin lirisht në vende të tjera të BE-së, ashtu si gjermanët apo francezët. Vërtet që në Francë ata duhet që pas tre muajsh të paraqesin një vend pune apo të drejtë studimi, por edhe sikur të mos e kenë këtë, edhe sikur të kthehen në vendet nga kanë ardhur, askush nuk mund t'ua ndalojë atyre të vijnë rishtazi në Francë - plotësisht në mënyrë legale.

Për Sarkozinë nuk është aq e rëndësishme zgjidhja e problemit, qëllimi i tij i vetëm është që në gjuetinë për votat e elektoratit, ai të mishërojë liderin potent dhe aktiv, njeriun me me zgjidhjen e gatshme për të gjitha problemet. Që me këtë aksion dëmtohet jo vetëm imazhi i tij, por edhe ai i Francës, që fqinjët e tij evropianë janë po aq të shokuar nga ky hap, ashtu si disa instanca të OKB-së, nuk i intereson shumë Sarkozisë. Thjesht pra lojë e pastër pushteti.

Autor: Daniela Junghans

Redaktoi: Lindita Arapi