1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Türkei Israel

2 Qershor 2010

Turqia është përpjekur muajt e fundit të luajë rolin e ndërmjetësuesit në Lindjen e Mesme. Por pas incidentit t7 përgjakshëm me një flote anijesh me ndihma, ky rol me sa duket ka marrë fund.

https://p.dw.com/p/NfXm

Që Izraeli nuk vepron me delikatesë kur vjen puna për të realizuar interesat e tij, kjo dihet në të gjithë botën. Që Izraeli nuk sprapset nga shkelja e të drejtave të njeriut nën pretekstin e vetëmbrojtjes dhe nga sulmi me mjetet më brutale ushtarake ndaj personave civilë të pambrojtur, për këtë nuk ka nevojë për dëshmi të tjera, më e vonta që pas sulmeve në Gazë.

Prandaj duhet të lejohet pyetja, se cili ishte synimi i aksionit të një organizate turke, siç thuhet joqeveritare, me mbështetjen e aktivistëve evropianë? Synimet që u dhanë zyrtarisht siç pritej nuk u arritën. As bllokada detare e izraelitëve nuk u thye, as ndihmat nuk arritën në Gazë. Prej javësh Izraeli i kishte bërë të ditur Turqisë nëpërmjet të gjitha kanaleve diplomatike në dispozicion, se një aksion i tillë në rast nevoje do të ndërpritet me dhunë.

Izraeli i realizoi kërcënimet e tij dhe e sulmoi anijen më të madhe të flotës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në ujëra ndërkombëtare. Gjatë sulmit u hap edhe zjarr me armë, u vranë njerëz, dyzina të tjerë u plagosën. Kryeministri turk Erdogan bubullon tani pa ndalim kundër Izraelit dhe luan këtu një lojë të rrezikshme.

Turqia nuk është një shtet çfarëdo, por anëtare e NATO-s, që prej gati 60 vjetësh. Si aleate në aleancën mbrojtëse perëndimore, Turqia është e detyruar të punojë për paqen. Kohët e fundit, Turqia arriti t'i qetësojë disi tensionet midis Iranit dhe Perëndimit, të ndërmjetësojë midis Sirisë dhe Izraelit dhe të jetë në të gjitha këto edhe e besueshme. Por që prej fillimit të javës, Turqia është bërë një anëtare tjetër e frontit antiizraelit në Lindjen e Mesme. Besimi te ajo në raste përpjekjesh të tjera ndërmjetësuese të paktën është tronditur fort.

Anija turke qe zbukuruar me flamuj të mëdhenj turq dhe palestinezë. Pamja që u përcoll ishte që ushtarët izraelitë vunë nën kontroll një anije turke. Në Turqi u mobilizuan dhjetëra mijëra demonstrues, të cilët rrethojnë misionet izraelite. Para fraksionit të partisë së tij në pushtet, AKP, Erdogani bubulloi sërish kundër Izraelit, foli sërish për "terrorizëm shtetëror", për një "regjim të gënjeshtrave" dhe mbrojti pikëpamjen që izraelitët "dinin shumë mirë si të vrisnin njerëz". Tani Izraeli duhet "ndëshkuar." Ai që mbyll tani sytë para akteve mizore të Izraelit, bëhet "fajtor për krime ndaj njerëzimit".

Turqia është një shtet shumë i rëndësishëm në përpjekjet e mundimshme për një paqe të qendrueshme në Lindjen e Mesme, njësoj si në Kaukaz ose në Ballkan. Prandaj ajo nuk duhet të mbrehet në karron e shteteve jopaqësore me struktura bazë jodemokratike në Lindjen e Mesme.

Ka shumë pak zëra, që mezi dëgjohen në Turqi, të cilët paralajmërojnë për rrezikun e një shkallëzimi tjetër verbal. Në Evropë argumentat e Erdoganit regjistrohen me gojë hapur. Edhe nëse ai e dënon antisemitizmin, valët e urrejtjes antiizraelite e kanë përfshirë Turqinë.

Autor: Bahaeddin Güngör

Redaktoi: Auron Dodi