1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojërat për pushtet të Putinit në Amerikën Latine

Andrea Lueg/Amarildo Topi4 Prill 2014

Rusia kërkon t'i zgjerojë lidhjet e saj tradicionale me shtetet majtiste të Amerikës Latine, për të mbështetur statusin e saj si fuqi botërore. Por reagimet nga Nikaragua, Kuba dhe Venezuela janë të kujdesshme.

https://p.dw.com/p/1Bbgk
Putin dhe Çavez
Putin dhe ÇavezFotografi: Yuri Kadobnov/AFP/Getty Images

Venezuela është një aleate besnike e rusëve - që nga kohët sovjetike. Presidenti Nicolas Maduro nuk lë dyshim me kritikën e tij ndaj sanksioneve të SHBA dhe BE se e mbështet Rusinë në krizën e Krimesë. "Ata duan ta rrethojnë Rusinë, për ta dobësuar, për ta shtypur dhe për ta shkatërruar", tha ai në fjalimin e përjavshëm në radio. Por më pak e frymëzuar është Venezuela nga planet e Rusisë, për ta zgjeruar praninë e marinës së saj në Amerikën Latine nëpërmjet aksesit në portet e rajonit. Ministri i Jashtëm, Elias Jaua e bëri të qartë se shkel kushtetutën lejimi i bazave të huaja ushtarake në vend. Edhe shefi i ushtrisë së Nikaraguas, Julio Aviles tha se kushtetuta e Nikaraguas lejon vetëm një qasje për synime humanitare ose për manovra. Qeveria e Kubës nga ana e saj nuk reagoi fare. As pas mbërritjes së një anijeje luftarake ruse më 27 shkurt në portin e Havanës, një ditë pasi Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi plane, se do ta rrisë praninë ushtarake në të gjithë botën, si në Amerikën Latine ashtu edhe në Afrikën e Veriut.

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, Stephen Blank i thotë DW: "Po të shikoni fjalimin e Putinit të së enjtes së kaluar, bëhet e qartë se për mendimin e saj Rusia mund të ekzistojë vetëm si perandori e madhe. Ajo që kërkojnë rusët në Amerikën Latine është një ndikim nga pozitat e pushtetit të madh".

Maduro dhe Putini
Nicolas Maduro dhe PutiniFotografi: Maxim Shemetov/AFP/Getty Images

Rusia kërkon edhe një çmim për ndihmat e viteve të kaluara aleatëve të saj, gjë që përfshin edhe dërgimin e ushqimeve dhe të armëve. Këto hapa mund të shihen edhe si përgjigje për përpjekjet e Natos, për ta forcuar praninë e saj në Evropën Lindore, në afërsi të kufirit rus. Sipas Detsch, synimi i Rusisë është që ta destabilizojë rajonin dhe që ta shfrytëzojë predispozicionin tradicional antiamerikan në shumë vende të Amerikës Latine.

Blank beson se reagimet e rezervuara nga shtetet e Amerikës Latine janë vetëm një taktikë negociatash dhe se rusët sjellin shumë para, ndikim dhe pushtet në tryezë. Shitja e armëve dhe eksportet energjitike janë kartat e fatit të Rusisë në Amerikën Latine. "Rusia blen firma energjitike...pjesa më e madhe e naftës së Venezuelës shkon drejt SHBA, rusët do të ishin atëherë pronarë të një pjese të kësaj nafte. Ato besojnë se në këtë mënyrë mund të fitojnë ndikim ndaj ekonomisë amerikane", thotë Blank.