1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Loja me të burgosurit e luftës

Roman Gonçarenko25 Gusht 2015

Shkëmbimi i të burgosurve të konfliktit të Ukrainës, për të cilin u ra dakord në Minsk, ka muaj që ka ngecur në vend. Arsyet janë të paqarta. Qindra vetë vuajnë në të dyja anët, disa i torturojnë.

https://p.dw.com/p/1GKtv
Shkembim te burgosurish ne Luhansk
Fotografi: picture-alliance/dpa/T. Dudnik

Të paktën dy herë brenda pak javësh, shkëmbimi i 13 të burgosurve ukrainas me separatistë prorusë u ndal në minutën e fundit. Hera e fundit kur ndodhi kjo ishte në mes të gushtit. "Pala ukrainase e pengon shkëmbimin e të burgosurve të luftës", tha të premten një përfaqësues i separatistëve prorusë në qytetin e Ukrainës Lindore, Luhansk. Kievi luan një lojë të paqartë, tha ai. Më parë, një punonjës i rangut të lartë të shërbimit të sigurisë të Ukrainës SBU paraqiti kritika të ngjashme për separatistët. Detajet janë të panjohura.

Ky është një shembull tjetër, që lirimi i të burgosurve, për të cilin u ra dakord në shkurt në Minsk nuk funksionon. Dokumenti parashikon një këmbim sipas parimit "të gjithë me të gjithë". Por në të vërtetë ato që lirohen janë vetëm grupe të vogla. Të enjten në darkë, në Donjeck u liruan katër civilë ukrainas. Në fillim të gushtit u shkëmbyen gjashtë vetë, midis tyre tri ushtarakë ukrainas.

Të burgosur dhe të torturuar

Të dhënat se sa njerëz vazhdojnë të mbahen të burgosur janë të ndryshme. Deputetja e parlamentit të Ukrainës, Iryna Herashenko, e cila interesohet në kuadër të Grupit të Kontaktit për shkëmbimin e të burgosurve shkroi të enjten në faqen e saj në Facebook se ndodhen ende 167 ukrainas në duart e separatistëve. Separatistët përmendin një shifër shumë më të ulët. Ata nga ana e tyre thonë se në Ukrainë ndodhen në arrest më shumë se 1000 mbështetës të tyre. Shumica, sipas tyre, janë civilë.

Dmytro Kulish ishte për nëntë muaj me radhë pjesë e kësaj statistike, derisa e shkëmbyen në 3 qershor. 38 vjeçari nga Kievi luftoi në batalionin e vullnetarëve Donbass dhe pas betejës së Ilovajskut në fund të gushtit 2014 u kap rob. Në fotografitë e mëparshme, Kulishi dy metra i gjatë, që para luftës kishte punuar si punonjës sigurie, duket si dollap. Sot ai rri shtrirë i dobësuar në spital dhe përpiqet të kurojë plagët. "Kam një dyzinë kocka të thyera, midis tyre është edhe shtylla kurrizore", tregon Kulishi për kohën kur ndenji i burgosur në kështjellën e separatistëve në Donjeck. Atë e goditën me shkopinj dhe kabllo dhe disa herë bënë sikur do ta pushkatonin.

Tortura të tilla të të burgosurve ka nga të dyja palët, konstatoi Organizata e të Drejtave të Njeriut "Amnesty International" (AI) në maj në një raport. "Ne konstatuam se të drejtat e të burgosurve të luftës shkelen më fort nga njësi ushtarake që nuk janë të integruara në struktura të rregullta", thotë Tetjana Masur, drejtuese e Përfaqësisë së AI në Ukrainë. Në palën separatiste kështu sillet para së gjithash Bataljoni Prisrak, kurse në palën ukrainase luftëtarë të grupimit ekstremist të djathtë Sektori i Djathtë.

Lirim në sajë të gruas

Që Dmytro Kulish sot është i lirë, këtë ai ia dedikon bashkëshortes së tij, Switlana. "Fillimisht unë i shkrova letra Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit të sigurisë SBU", tregon ajo. Pa sukses. Një ish-deputet i parlamentit dhe një producent muzike i premtuan pastaj privatisht se do ta ndihmonin, po jo falas. "Në bisedën e parë ata kërkuan 300.000 dollarë amerikanë, që gjoja kërkohen nga separatistët", tregon Switlana. Pastaj ramë dakord për 150.000 dollarë. Një të tretën e parave - 50.000 dollarë- ajo e mblodhi në tri ditë te shokë dhe miq dhe ua dorëzoi. Po as atëherë nuk e liruan të shoqin."E kuptova se më kishin gënjyer", thotë Switlana.

Pas kësaj ngjarjeje nuk u paguan më para, por ndihmoi një rastësi. Në fund të muajit, djali i një separatisti u kap rob në Ukrainë. I ati i ofroi një grupi aktivistësh ukrainas një këmbim. Svitlana mori inisiativën, i vuri sipas fjalëve të saj nën presion autoritetet ukrainase dhe mori ndihmë. Në 3 qershor burri i saj Dmytro u këmbye në një rrugë fshati pranë Donjeckut. Një muaj pas lirimit, Dmytros i kthyen 50.000 dollarët, që e shoqja ia kishte paguar një politikani. Sot Dmytro dhe Switlana angazhohen për lirimin e të burgosurve të tjerë.

Ligji i amnestisë si pengesë

Krahas personave dhe interesave të tyre, shkëmbimi i të burgosurve ngec edhe për një arsye tjetër. Separatistët kërkojnë nga Kievi një amnesti për luftëtarët dhe aktivistët. Ata e quajnë këtë pikë të rëndësishme të marrëveshjes së Minskut. Por Kievi thotë se separatistët kanë shkelur pika të tjera të marrëveshjes dhe nuk duket i gatshëm për një amnesti të gjerë.