1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojrat Olimpike në Pekin dhe protestat

(VFB)7 Gusht 2008

Lojrat Olimpike në Pekin dhe protestat pro-tibetianëve gjejnë jehonë në shtypin gjermantë së enjtes.

https://p.dw.com/p/Erpu
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta e përjavshme "Die Zeit" komenton: "Qeveria kineze këtë vit po kalon një përvojë tronditëse duke zbuluar me dhimbje pluralizmin. Ajo po e kupton, se në imazhin global të një vendi pushteti nuk vjen as prej tytave të armëve, as prej portave të fabrikave dhe as prej ministrisë së propapagandës, por prej kokave të individëve. Në prill partisë komuniste iu desh të shohë, se si pishtari i saj i varfër dhe i pashpresë u konfrontua me Perëndimin e egër. Ndërsa tani është edhe më keq: Perëndimi i egër është i pranishëm në mes të Pekinit dhe regjimi në dukje kaq i fortë me ushtarët e policët e vet po përballet me Perëndimin kur është fjala për pamje dhe imazhe."


Në të përditshmen "Landeszeitung" analizohet: "Reagimi i menjëhershëm me forcën e shtetit ndaj protestave të aktivistëve perëndimorë pro-tibetianëve bën të qartë: Sfida e vërtetë olimpike është për Kinën jo në sheshet e garave sportive, por në disiplinën anësore të vetëdijes shtetërore për vetëpërmbajtje. Pengesa e një mendimi të kundërt e demonstruar me agresivitet është shumë e lartë për një civilizim, që shumë kohë përpara Marksit dhe Maos ruante idealin konformist. Dhe kursi i fortë sa i përket pluralizmit të mendimit për një diktaturë njëpartiake po avancon. Eshtë mjaft joshëse prania mediatike e olimpiadës. Me sa duket jehona e protetstave kundër politikës së Pekinit ndaj Tibetit në Perëndim është shumë më e madhe se sa dobia që ka ajo për Tibetin vet. Kërkesat për pavarësi ndonëse janë të përshtatshme për pankarta, në sfondin e realitetit historik ato janë vërtetë shumë pllakative. Kush kërkon shkëputjen e Tibetit nga Kina, zgjon në fakt reminishencat nacionaliste."


Edhe një citat nga komenti i "Lübecker Nachrichten": "Në asnjë mënyrë Kina e sotme nuk duhet të barazohet me Gjermaninë e vitit 1936. Megjithatë fjalimi i Heinrih Manit (Henrich Mann) në konferencën për mbrojtjen e idesë olimpike verën e 1936 në Paris duhet kujtuar. Ai tha: Një regjim, që bazohet në punën e detyruar dhe skllavërimin e masës, një regjim, që përgatit luftën dhe ekziston vetëm prej propagandës së gënjshtërt, si mundet të respektojë një rejgim i tillë sportin miqësor dhe sportitët e lirisë? Më besoni, ata sportistë ndërkombëtarë, që do të shkojnë në Berlin, nuk do të jenë gjë tjetër veçse gladiatorë, të burgosur dhe argëtues të një diktatori, që e ndjen veten si Zot të kësaj bote."