1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë për mbijetesë në zonat e përmbytura në Pakistan

30 Gusht 2010

Në Pakistanin Lindor, mijëra forca shpëtimi po përpiqen të parandalojnë vërshimet rreth lumit Indus. Qyteti Tata është kursyer por shumica e banorëve kanë ikur. Njerëzit kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.

https://p.dw.com/p/OzWR
Një nënë në Pakistan përpiqet të shpëtojë më të rëndësishmit - fëmijët!Fotografi: AP

Një rrugë fshati në një cep të largët të provincës Sindh. Para përmbytjeve, ajo shkelej rrallë. Tash rreshtohen vendstrehime të improvizuara në rrugë. Përmbytjet i kanë larguar njerëzit nga shumë shtëpi, të cilave u shihet vetëm kulmi.
“Njerëzit morën me vete çfarë mundën“, thotë Murtaza Nonari, nga Shoqata Bamirëse pakistaneze „HANDS“. Por, shumë gjëra kanë ngelur nën ujë. Ka organizata të tilla si HANDS, të cilat me organizatat ndërkombëtare si partnere, ofrojnë ndihmë emergjente për viktimat e përmbytjes në Pakistan. Si për shembull me paratë dhe ndihmën e organizatave gjermane „Medico International“, „Care“, „Oxfam“, e të tjera“.

Ndihmat nuk mbërrijnë në gjithë vendin

„HANDS na sjell vaj për gatim, grurë dhe gjëra të tjera ushqimore", thotë një bujk, i cili përveç gjysmës së ushqimit, të cilin ua japin pronarët, nga autoritetet apo organizatat e tjera s´ka marrë asgjë.

Pakistan / Flutkatastrophe / Hochwasser / Überschwemmungen
Disa shpresojnë ndihmë nga qielli...Fotografi: AP

Ndoshta, për shkak të rrugës në lagjen Kashmore ku ai kërkoi strehim me rreth 2000 persona të tjerë është shumë larg nga qytetet e mëdha me infrastrukurë të mirë. Dhe për shkak se këtu përmbytjet ishin më të mëdha dhe më të egra.

Është për të të ardhur keq se si asnjë degë e organizatave të Kombeve të Bashkuara as edhe një herë nuk është vendosur këtu, mendon Murtaza Nonari, sepse nevojat janë të mëdha. Murtaza koordinon ndihmat emergjente per „HANDS“ në tri rajone të Sindhit, që kur rritja e ujit të Indusit i ka fundosur vendbanimet. Në fakt, ai organizon ndihmat e përkujdesjes mjekësore në provincë. Per shkak se shirat e rrëmbyeshëm çdo vit e prekin Pakistanin, organizata HANDS ka zhvilluar një koncept të mirë për menaxhimin e krizave.

Gjendja në Kashmor

„Vetëm në qarkun e Kashmorit janë të angazhuar edhe 80 vullnetarë, të cilët janë në dispozicion ditë e natë. Përveç kësaj, angazhohen edhe mjekë, ndihmës shëndetsorë dhe ndihmojnë logjistikën“, thotë ai.

Pakistan Überschwemmung Flutkatastrophe Flüchtlinge auf Fahrrad
...të tjerët më shumë u besojnë këmbëve të veta.Fotografi: AP

Kjo organizatë bamirëse në gjithë provincën i ka evakuar mbi 85 mijë njerëz dhe ka vendosur 44 kampe strehimi për rreth 10 mijë familje. Bashkëpunetorët i furnizojnë të ikurit me ujë dhe gjëra ushqimore. Kanë ndërtuar toalete dhe pompa. Ata organizojnë ushqim për bagëtinë e të ikurve nga përmbytjet si dhe ofrojnë përkujdesje mjeksore.

Ekipe mobile të klinikës trajtojnë njerëzit të cilët edhe më tej qëndrojnë në zonat e përmbytura. Ata, me anije të armatës pakistaneze mezi arrihen.

Deri në 30.000 njerëz qëndrojnë në breg të lumit, rreth një dige e cila duket si një gadishull në mes të ujit. Këtu kanë shpëtuar 4000 njerëz. Ata nuk dëshirojnë të vendosen në ndonjë kamp, me shpresë se mënjeherë pas përmbytjeve do të kthehen në fshatrat e tyre. Nje burrë thotë: Do të provojmë të jetojmë këtu, sepse, tjetërkund nuk mundemi.

Autor: Sabina Matthay/Ajete Beqiraj

Redaktoi: Bahri Cani