1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftërat për pushtet në Irak

Kersten Knipp / Esat Ahmeti11 Janar 2014

Dhuna në Irak nuk ka të ndalur. Shkak janë tensionet fetare, politike dhe ekonomike. Lufta në Siri ndikon edhe më shumë në shtimin e dhunës në Irak.

https://p.dw.com/p/1Ap45
Fotografi: Sadam el-Mehmedy/AFP/Getty Images

Kryeministri i Irakut Nuri al-Maliki i bëri thirrje të mërkurën (08.01.2014) popullatës për të luftuar kundër Al-Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste islamike. Një ditë më vonë, një sulmues kamikaz hodhi veten në ajër para një qendre rekrutimi të ushtrisë irakiane. Si pasojë humbën jetën të paktën edhe 22 njerëz të tjerë. Në të njëjtën kohë një makinë bombë shpërtheu në Bagdad, sipas të dhënave të shtypit u plagosën të paktën 25 vetë.

Deri tani askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, është shumë e mundur që autorët e krimit të jenë nga qarqet e Al-Kaidës. Megjithatë ky mbetet vetëm një supozim. Iraku ndodhet në një rrjet të aleancave aspak transparente në të cilin irakianët paqësorë dhe të dhunshëm, të moderuar dhe radikalë kalojnë nga njëra te tjetra aleancë. Ato nuk zgjasin gjithmonë njëjtë: pjesërisht për disa vite, nganjëherë vetëm disa muaj apo javë.

Kulturë e dhunës

Përgjegjëse për këtë gjendje të paqëndrueshme vlerësohet të jetë shpërndarja e pakënaqshme e pushtetit në Irak, shpjegon eksperti për Lindjen e Mesme, Stephen Rosiny nga " Instituti gjerman i Studimeve Globale dhe Rajonale (Giga). Edhe pse tre grupet kryesore fetare përkatësisht etnike, shiitët, sunitët dhe kurdët kanë rënë dakord për një sistem të përfaqësimit politik që reflekton edhe në përbërjen e qeverisë. Por sunitët të cilët kishin dominuar në vend deri në rënien e Sadam Huseinit në vitin 2003, akuzojnë kryeministrin shiit al-Maliki se është duke u angazhuar në mënyrë të veçantë për interesat e shiitëve. Dhe për tejkalimin e tensioneve në mes të grupeve është i nevojshëm një sistem i cili do të mirrte më shumë parasysh interesat e tyre politike dhe ekonomike. Por vendi ndodhet shumë larg nga një sistem i tillë.

Pamje simbolike - Parlamenti irakian
Pamje simbolike - Parlamenti irakianFotografi: picture-alliance/dpa

Krahina e trazirave Al-Anbar

Shembulli më i mirë se si efektet e tensioneve të pazgjidhura mes shiitëve dhe sunive në Irak ndërthuren me konfliktin tjetër rajonal është krahina Al-Anbar. Ka muaj që xhihadistët lidhen në të ashtuquajturin "Trekëndëshi Sunit" në perëndim të Irakut me islamistët radikalë në zonën siriane të luftës. Kështu javën e kaluar luftëtarë të grupit terrorist "Shtet Islamik në Irak dhe Siri" (ISIS), të cilët tashmë kontrollojnë disa pjesë të Sirisë, u tërhoqën në qytetet Falluxha dhe Ramadi në mënyrë që nga aty të avancojnë projektin e tyre për një Kalifat që do të shtrihej nga Iraku përmes Sirisë dhe Libanit deri në territoret palestineze. Qeveria në Bagdad dërgoi ushtrinë në këtë krahinë dhe arriti këtë javë që të dëbojë sërish ekstremistët, pjesërsiht edhe me ndihmën e milicëve vendor sunitë. Pavarësisht këtij suksesi, tensionet e ngritura ndër vite mes sunitëve dhe ushtrisë vazhdojnë të ekzistojnë.

Al-Kaida shfrytëzon tensionet

Raportet mes sunitëve dhe ushtrisë janë të rënduara veçanërisht për shkak të mosbesimit të ndërsjellë, raporton revista e Lindjes së Mesme Al-Monitor. Kështu, ushtria irakiane kishte shfaqur dyshimin se edhe sunitët e moderuar janë anëtar të grupeve terroriste. Arrestimet arbitrare ishin në rend të ditës, forcat e sigurimit silleshin shumë ashpër me të burgosurit. Gjithashtu edhe lufta në Siri ka ndikuar në rritjen e tensioneve: fuqitë konkurruese rajonale, Irani dhe Arabia Saudite e kanë inskenuar këtë fazë si një konflikt ekzistencial mes shiitëve dhe sunitëve. Kjo ka ndihmuar në ngritjen e mëtejshme të tensioneve fetare në Irak, shkruan Al-Monitor.

Pamje nga luftimet në Faluxha
Pamje nga luftimet në FaluxhaFotografi: picture-alliance/dpa

Këtë rrethanë e ka shfrytëzuar pastaj për qëllimet e saj rrjeti terrorist i Al-Kaidës i cili e paraqet veten si mbrojtës i sunitëve. Disa qytetarë e pranojnë këtë ideologji, të tjerët jo. Edhe laikët e kundërshtojnë qeverinë Al-Maliki. "A ishin mijëra njerëz të armatosur, të cilët marshuan në rrugët e Anbar, në të vërtetë të gjithë anëtarë të Al-Kaidës", pyet Al-Monitor. Problemi i vërtetë, përfundon revista, e ka burimin përtej tensioneve aktuale. "Kriza i ka rrënjët në mosbesimin e krijuar ndër vite dhe dekada në mes të qyteteve të Irakut, qytetarëve dhe përkatësive fetare." Përgjigja ndaj saj mund të gjindet vetëm një politikë kombëtare e cila do të kishte parasysh interesat e të gjithëve.