1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e II Botërore dhe kultura e kujtesës në Europë

Angjelina Verbica15 Maj 2015

Historia e përbashkët nga këndvështrime të ndryshme - simpozium për kujtesën evropiane në Vjenë.

https://p.dw.com/p/1FQ68
Fotografi: DW/A. Verbica

Shekulli i 20-të me luftërat dhe diktaturat është një histori e përbashkët evropiane e dhimbshme dhe e hidhur. E megjithatë kombet kanë këndvështrimet dhe narrativat e veta për historinë, nisur nga përvojat e tyre. Kë mund të quanim sot fitues dhe humbës të Luftës të Dytë Botërore, nisur nga prizmi i konferencës së Jaltës? Kjo pyetje vlen për vendet, që pas çlirimit nga nazismi ranë nën doktrinën e komunizmit. Në një simposium triditor nën kujdestarinë e presidentit të Austrisë Heinz Fischer diskutuan në Vjenë historianë, përfaqësues të muzeve dhe institucioneve shkencore dhe përkujtimore.

Për profesorin nga Hungaria Tamas Stark Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar në vitin 1989. “Vendet e Evropës Lindore kaluan nga një diktaturë në tjetrën. Jo se sistemet komuniste, që u etabluan menjeherë pas nazismit mund të krahasohen me gjenocidin gjerman, por diktatura vazhdoi pa ndërprerje, kujtimi i viktimave nuk u bë“.

Simposiumi u zhvillua nën kujdestarinë e presidentit të Austrisë Heinz Fischer
Simposiumi u zhvillua nën kujdestarinë e presidentit të Austrisë Heinz FischerFotografi: DW/A. Verbica

Çfarë kuptimi ka fitorja e humbja e luftës?

Richard Overy nga universiteti Exeter në Britaninë e Madhe i lidh shkaqet e totalitarizmit nazist dhe komunist me utopinë. Me utopinë biologjike, të racës më të mirë të nazistëve, dhe me utopinë sociale të sovjetikëve, ku punëtorët, fshatarët, funksionarët e partisë duhej të ishin elita intelektuale. Absolutizmi ideologjik bëri që të justifikoheshin metodat më të tmerrshme të hakmarrjes. Duke cituar një artikull të shkrimtarit rus Michail Çishkin të botuar në “Nju Jork Times, Overy theksoi: „Babai im shkoi në luftë vullnetarisht në moshën 18 vjeçare në një nëndetëse. Ai dhe të tjerët kanë sjellë një skllavëri të re. Vuajtjet dhe skllavëria u shtuan. Pas luftës babai pinte edhe shokët e tij të nëndetëses. Baba ne e kemi humbur luftën.“

Nuk duhen lënë pas dore arsyet, që krijuan totalitarizmin dhe çfarë e nxiti shoqërinë për ta mbështetur. Për profesor Richard Overy diktaturat kanë qenë pjellë të shoqërive: „Diktatura naziste ishte pjellë e një shoqërie të zhgënjyer nga Lufta e Parë Botërore, e cila donte ta çonte Gjermaninë përpara, pa parashikuar se do të përfundonte në gjenocid. Edhe diktatura sovjetike ishte produkt i krizës së Luftës së Parë Botërore, e cila donte të përhapte bolshevizmin në botë.“

Knoch: ndërrim i paradigmanve, fokusi i studimit duhet përqendruar te dorasit

Vitet e fundit përshkrimi i luftës së Dytë Botërore është mbështetur fort në rrëfimet e dëshmitarëve. Sipas Habbo Knoch, professor i historisë në universitetin e Këlnit, kujtimet nuk janë të barabarta me mbledhjen e fakteve. „Ajo, që dinë njerëzit, emocionaliteti i tyre dhe vështrimi i historianit janë dy gjëra të ndryshme, prandaj duhet bërë ndarja e historiografisë nga kujtimet e dëshmitarëve.“

Shkrimtari austriak Martin Pollack në simpozium
Shkrimtari austriak Martin PollackFotografi: DW/A. Verbica

Knoch kërkoi tashmë kalimin e fokusit të kërkimeve nga viktimat tek keqbërësit. Sipas tij ka ardhur koha për një ndërrim të paradigmave, për ta parë regjimin nga këndvështrimi i vrasësve, nga motivet e tyre. „Krimet e regjimit racist, imperialist të nazistëve janë në qendër të historisë. Bashkëpunëtorët e regjimit vranë jo vetëm hebrej, por edhe popujt e tjerë nga perspektiva biologjike racore. Qëllimi i shkencës është të studjojë regjimin nga pozicioni i bashkëpunëtorëve“. Nëse është e realizueshme, të hulumtohet si reagojnë njerëzit në lidhje me regjimin dhe autoritetet. Gjithçka është një produkt kulturor i modelit të sjelljes, thotë Knoch. Ne e bëjmë punën e kujtimit, sepse besojmë në rikthimin e disa vlerave, të respektimit të nevojave njerëzore, që me to të edukojmë brezin e ri.

Zbulimi i së kaluarës

Martin Pollack shkrimtar dhe gazetar i njohur austriak, foli për rëndësinë çliruese, që ka për individin dhe shoqërinë, ballafaqimi me të kaluarën aspak të bukur. Pollack, djali i shefit të Gestapos së qytetit austriak Linz, i cili ka shkruar shumë libra për të shkuarën naziste, thotë se nuk duhet ta lemë kurrsesi në harresë të kaluarën. „Gjërat, që përpiqesh t'i fshehësh, do të shfaqen dikur përsëri, prandaj më mirë të ballafaqohesh me to.“ Pollack nuk mund ta pranonte heshtjen e mosreflektimin e familjes. Ai u largua nga familja dhe nuk pushon së trajtuari këtë temë.

Art i frikshëm - kapërcimi traumës

Kujtimi i pushtimit gjerman është ende shumë prezent në artin polak, thotë Anda Rottenberg, kritike dhe historiane arti dhe kuratore e shumë ekspozitave. Terrori i madh gjen pasqyrim në vepra rrënqethëse, të bëra nga të mbijetuarit e luftës. „Ne që kemi mbijetuar nuk jemi dëshmitarët e vërtetë, ne tregojmë historitë e atyre, që nuk janë më në mesin tonë“, citon ajo një prej tyre.

Österreich Wien Symposium europäische Erinnerung
Fotografi e artistit Alain Schechner - It’s a real thing: autoportret në BuchenwaldFotografi: DW/A. Verbica

Pikturat, nga ku shpërthen tmerri, shfaqin degradimin e njeriut, destruksionin shpërbërjen e trupit, përmes paraqitjes së pjesëve të veçanta të tij, ose vetëm të rrobave, nga të cilat trupi ka fluturuar. Vepra të Alina Szapocznikov, që ka qenë në shumë geto dhe kampe përqendrimi, të Zoran Music-it nga Sllovenia, që paraqet dehumanizimin e individit. Vepra, që përbëjnë kujtimin e qenies së dikurshme, të një vetveteje të dikurshme. Shumë vepra janë bërë shumë vite pas luftës. Tek të mbijetuarit drama del në sipërfaqe pas një farë kohe. Edhe viktimat edhe dorasit duan ta fshehin traumën, thotë Rottenberg. Por kemi edhe artistë të brezit të dytë, që nuk i lë të qetë kjo temë, si piktori polak Miroslav Balka, apo artisti gjerman Filip Droese, që me librin „Unë kam vrarë Anna Frankun“ përshkruan brezin vrasës të baballarëve nazistë.

Cathie Carmichael, profesore në universitetin East Anglia për historinë e Evropës Juglindore, foli për ndikimin e politikave nacionale në interpretimin e historisë, duke u fokusuar te ndryshimi i perceptimit për pushtetin e ustashëve në Kroaci. Ajo përmendi përpjekjen e presidentit kroat Franjo Tuxhman për të relativizuar krimet e kryera nga ustashët ndaj hebrejve, serbëve dhe romëve në kampin e Jasenovacit në Kroaci. Kur Tuxhmani deshi t'u vinte rrugëve emra të personave të regjimit të ustashëve, qeveria izraelite e pengoi një gjë të tillë. Carmichael tha se tendenca e historiografisë nuk është në përgjigje të linjës nacionale, duke fajësuar popuj të tërë. Historianët sot kanë një qasje tjetër më njerëzore.

Monumenti përkujtimor në iah kampin e përqëndrimit Jasenovac, Kroaci
Monumenti përkujtimor në iah kampin e përqëndrimit Jasenovac, KroaciFotografi: picture-alliance/ I. Kralj/PIXSELL

Edhe Karen Franklin nga Muzeu Hebre i Holokaustit në Nju Jork ecën në këtë drejtim, kur thotë se „ne përdorim fjalët tolerancë, respekt, përgjegjësi, pa përmendur fjalët gjenocid dhe Gjermani“. Prevencioni i gjenocidit është temë qendrore, këtë e bëjmë në emër të urdhërimit të biblës për të riparuar botën, tha Franklin.