1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër kontrabandës sfida e doganave në Kosovë

9 Shtator 2009

Doganat e Kosovës janë mekanizmi i parë që ballafaqohet me kontrabandën, e cila vazhdon sidomos në veri.

https://p.dw.com/p/JYx1
Ura e MitrovicësFotografi: Refki Alija

Kontrabanda me mallra në Kosovë vazhdon të jetë e pranishme, megjithë angazhimin e shtuar të institucioneve të Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare. Veriu i Kosovës disa herë është quajtur si oazi i krimit të organizuar, ku serbët dhe shqiptarët bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin duke shfrytëzuar mosprezencën e duhur të autoriteteve të rendit në këtë pjesë. Në dhjetë vjetorin e themelimit të doganave të Kosovës, thuhet se në vitet e fundit kontabanda megjithatë ka shënuar rënie, mirëpo pavarësisht kësaj, sipas drejtorit të përgjithshëm të doganave të Kosovës, Naim Huruglica, ky fenomen vazhdon të jetë sfidë për institucionet e Kosovës. “Tani ne jemi duke u përballur me një formë të re të evazionit fiskal, i cili shfaqet me deklarimin e vlerave më të ulta doganore. Ka ende kompani që tentojnë t' i mashtrojnë organet doganore përmes prezantimit të vlerave më të ulta doganore të asaj çka duhet të paguajnë. Kontrabanda në kuptimin klasik tani po zhvillohet përmes vijave kufitare të kufirit të gjelbër”, thotë Naim Huruglica.

Për më shumë në veri të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë dy pika doganore me Serbinë nuk funksionojnë fare. Ato u dogjën nga serbët lokalë, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk lejojnë që mallrat që hyjnë nga Serbia të zhdoganohen në këto dy pika kufitare. Këtë qëndrim serbët e mbrojnë me protesta të vazhdueshme nëpër rrugët e veriut të Kosovës. Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, më herët pati thënë se nuk sheh arsye për protesta të serbëve, përderisa EULEX-i nuk i detyron serbët që të paguajnë doganën për kalimin e mallrave nga Serbia në Kosovë. “Në atë moment kur do të vendoset që pagesat doganore të bëhen në kufij me Serbinë pa marrëveshje me Beogradin dhe serbët lokalë, atëherë unë i pari do të reagoja dhe do të protestoja në këto vendkalime kufitare”, thotë Goran Bogdanoviq.

Zyrtarë të misionit evropian EULEX, të cilët janë përgjegjës për doganat e Kosovës, thonë se doganierët e tyre tashmë janë të vendosur në pikat kufitare me Serbinë, kontrollojnë mallrat që hyjnë në Kosovë, mirëpo, nuk i zhdoganojnë ato. Këtë e bëjnë doganierët e Kosovës, të cilët janë të vendosur më në thellësi të teritorit të vendit, diku afër qytetit të Mitrovicës. “Në këtë rast duhet një vendim politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ndërkohë që duhet vendosur se cili nivel duhet të jetë vendimmarrës. Është shumë e rëndësishme për Kosovën, për Serbinë, për Malin e Zi dhe për Maqedoninë që të kenë bashkëpunim, sepse kontrabanda nuk mund të luftohet vetëm nga një shtet, por duhet të bëhet në nivel rajonal”, thotë Kristof Lamfalusi.

Vendimet politike dhe marrëveshjet teknike ndërmjet shteteve të rajonit janë të rëndësishme për luftimin bashkarisht të dukurive negative. Pikërisht në këtë pikë EULEX-i po tenton të nënshkruajë protokollin e bashkëpunimit me policinë e Serbisë për kontrollin kufitar. Kjo marrëveshje vazhdon të kundërshothet nga Prishtina zyrtare. Marrëveshje të ngashme EULEX-i ka nënshkruar edhe me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Misioni EULEX do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me vendet e rajonit edhe në fushën e gjyqësisë dhe të doganave.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora