1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

101207 Kosovo Korruption

Shuka, Anila 10 Dhjetor 2007

Shoqëria civile në Prishtinë shpreson që misioni i ardhshëm i BE-së në Kosovë do të ndihmojë për luftimin më efikas të korrupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar.

https://p.dw.com/p/CZoL
Fotografi: Bilderbox
Avni Zogiani, kryetar i lëvizjes "Çohu", ka shpresa të mëdha tek misioni i ardhshëm i BE-së: "Ne jemi optimistë që do të ndërtohet një gjyqësor i pavarur dhe fortë në Kosovë. Dhe shpresojmë që ata nuk do të afrohen me liderë të korruptuar kosovarë, nuk do të bëhen shokë personalë, siç ka ndodhur në Kosovë," thotë ai në një intervistë me DW. Në pjesën e dytë të tetëvjeçarit të UNMIK-ut në Prishtinë ka pasur lidhje shumë të ngushta mes të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe elementeve të inkriminuara të politikës, thotë kryetari i lëvizjes kundër korrupsionit. "Niveli më i lartë i lidershipit kosovar janë përfshirë në vepra të tilla, si në aspektin e krimit të organizuar, ashtu edhe në atë të korrupsionit, të cilat në një funksionim të pavarur të gjyqësorit do të duhej të jepnin përgjegjësi." Sipas barometrit më të fundit të organizatës botërore kundër korrupsionit, Transparency International, Kosova është një ndër katër vendet më të korruptuara të botës. Shefi i misionit të OSBE-së, Tim Guldimann, thotë se fenomene të tilla, si korrupsioni apo nepotizmi janë të natyrshme në një shoqëri në tranzicion: "Ka shumë struktura tradicionale në Kosovë. Dhe sigurisht që aty ekzistojnë disa varësi detyrime dhe lojalitete, të cilat janë të rëndësishme për politikën. Kjo nuk është diçka që duhet gjykuar, por është një pjesë e procesit dhe mund të shihet gjithandej", thotë ambasadori zviceran në një intervistë për Deutsche Wellen. Avni Zogiani nuk i pranon këto shpjegime. Ai thotë se do të ishte mirë sikur, Gjykata Supreme e Kosovës, të merrej më shumë me luftimin e këtyre fenomeneve. Por për fat të keq ajo është në dorë të ndërkombëtarëve, e ata në radhë të parë nuk duan të stabilizojnë Kosovën, deri sa të zgjidhet statusi. Pikërisht statusin po pret edhe Zogiani: "Në se Kosova do të bëhet e pavarur, atëherë ajo do të hyjë në binarët e një shteti normal, dhe do të ketë mundësi të luftojë më mirë krimin e organizuar," shpreson Zogiani.