1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër tregtisë me njerëz - BE-ja kërkon mbrojtje më të mirë për viktimat

19 Tetor 2010

Në ditën e BE kundër tregtisdë me njerëz Komisioni Evropian kërkoi mbrojtje më të mirë të viktimave. Vetëm një pjese të vogël të qindra mijëra viktimave të tërhequra me përdhunë çdo vit në BE i jepet ndihma e nevojshme.

https://p.dw.com/p/PgyR
Pamje simbolike për prostitucionin.Fotografi: Alexey Klementiev/Fotolia.com

Mbi 300.000 raste në vit të tregtisë me njerëz në BE

Eurodeputetja suedeze, njëkohësisht raportuese për temën e tregtisë me njerëz, Anna Hedh, paraqiti në qershor në Parlament një tablo të trishtueshme. Sipas saj çdo vit në BE njoftohen më shumë se 300.000 raste tregtie me njerëz, bashkë me rastet e pazbuluara shifra mendohet të jetë shumë më e lartë.

"Në vitin 2010 njerëzit në Evropë tregtohen si skllevër, megjithëse skllavëria këtu u ndalua para më shumë se 250 vjetësh. Këta njerëz detyrohen t'i hyjnë prostitucionit, punës së detyruar, lypjes dhe shpesh në fund ata kanë një pronar. Tregtia me njerëz është një nga krimet më të këqija në botë dhe fatkeqësisht rëndësia e saj po rritet. Ajo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe ne në BE bëjmë gjithçka mundemi që të drejtat e njeriut të respektohen."

E qenësishme ndihma e Europolit në luftimin e dukurisë

No Flash Cecilia Malmstroem
Komisionerja evropiane për çështjet e brendshme Cecilia Malmström.Fotografi: AP

Luftën kundër tregtisë me njerëz e zhvillojnë para së gjithash shtetet anëtare, me suksese të ndryshme. Por vendimtare janë edhe mbështetja dhe bashkërendimi i zyrës së përbashkët policore evropiane Europol. Megjithatë, Steve Harvey, ekspert te Europoli për tregtinë me njerëz, ankohet për një angazhim tepër të vogël në temën e tregtisë me njerëz.

"Survejimi, kontrollimi i thirrjeve telefonike dhe i postës, përdorja e hetuesve të fshehtë, informatorët e paguar, këto janë metoda të veçanta hetimi, të cilat përdoren përditë për ndjekjen e kriminelëve të tjerë profesionistë, por në tregtinë me njerëz pothuajse aspak. Nuk e di përse."

Kundër tregtisë me njerëz nuk shfrytëzohet krejt arsenali

Europol Logo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Harvey mendon që BE-ja duhet të krijojë, siç thotë, një "mjedis armiqësor" për kontrabanduesit e njerëzve. Për fat të keq, thotë, tani për tani nuk është kështu. Në një kohë që tregtia me njerëz konsiderohet si krimi i tretë më fitimprurës pas tregtisë me drogë dhe asaj me armë, rreziku për t'u zbuluar duket të jetë veçanërisht i vogël në tregtinë me njerëz.

Në përgjithësi në BE ka konsensus që viktimat të mbrohen dhe që dënimet për keqbërësit të harmonizohen dhe të ashpërsohen. Javët e ardhshme shtetet anëtare dhe Parlamenti do të negociojnë për një amendament ligjor. Ai mund të miratohej para fundit të vitit.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti