1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

181110 Natostrategie Cyberspace

19 Nëntor 2010

Strategjia e NATO-s numëron tre rreziqe të mëdha aktuale. Lufta në internet, terrorizmi dhe armët e zhdukjes në masë. Por sa i rrezikshëm dhe me objektiv të caktuar mund të jetë sulmi me tastaturë dhe maus?

https://p.dw.com/p/QDSX
Lufta në hapësirën virtuale - pamje simbolike
Lufta në hapësirën virtuale - pamje simbolikeFotografi: AP/dpa/DW

Gjatë muajve të verës titujt ishin bombastikë. Ata flisnin për trupa që marshonin, për luftë kompjuterash, për Pearl Harbour në sektorin digjital. Ajo që publiku mori vesh për krimbin "stuxnet", ishte se në drejtimin e luftës ishte hapur një dimension i ri në hapësirën virtuale. Të paktën kështu pretendojnë ekspertët. Fjalët thoshin se ishte sabotuar pasurimi i uranit, një teknikë shumë e kushtueshme. Eksperti i kompjuterave Felix Leder, nga Universiteti i Bonit është marrë me studimin e krimbit "stuxnet":

Leder: „E veçanta në krimbin "stuxnet" është se ai përdor shumë pika të dobëta që njiheshin më parë. Ai përdor të ashtuquajturat "zero- dates", si të thuash çelësin e disa sistemeve windows. Dhe katër prej tyre gjenden në stuxnet. Kështu që me të mund të rrezohet çdo lloj sistemi në botë. Por kësaj radhe, krimbi stuxnet u drejtua në mënyrë të veçantë në infrastruktura kritike, si për shembull centrale, ose centrale atomike e gjëra të ngjashme."

Stuxnet me gërma të kuqe ka dëmtuar sidomos sistemin e komandimit të Siemensit "Simatic"
Stuxnet me gërma të kuqe ka dëmtuar sidomos sistemin e komandimit të Siemensit "Simatic"Fotografi: picture-alliance/Maximilian Schönherr

Stuxnet manipulon sistemet kompjuterike të industrisë

Specialiteti i stuxnet-it është se ai sulmon sisteme që përdoren për drejtimin e proceseve industriale dhe i manipulon ato. Këto sisteme hapin ose mbyllin ventila, ndezin pompa të ujrave që ftohin motorët, ose rregullojnë numrin e rrotullimeve të motorrëve. Çfarë mund të ndodhë nëse software-t komandues funksionojnë gabim e tregon incidenti në digën Taum Sauk, në shtetin federal amerikan të Misurit. Taum Sauk është një central që punon me ujin e mbledhur të rezervuarit. Natën, kur nevoja për energji elektrike është e vogël, uji futet në rezervuar. Gjatë ditës kur njerëzve u duhet më shumë ujë, atëherë uji lëviz turbinat.

Mëngjesin e datës 14 dhjetor 2004, një gabim në software bëri që uji të vazhdonte të futej, megjithëse rezervuari ishte mbushur plot. Diga u ça dhe 4 milionë metër kub ujë u derdh brenda 12 minutave. Dallgët arritën deri në shtatë metra lartësi, dhe përmbytja nuk shkaktoi ndonjë katastrofë të madhe vetëm sepse zona është e populluar pak.

Zyra Federale për teknikën e sigurisë dhe informacionit BSI
Zyra Federale për teknikën e sigurisë dhe informacionit në Gjermani, BSIFotografi: DW

Rreziku është real - shoqëria e varur nga teknologjia e informacionit

Në Zyrën Federale për teknikën e sigurisë dhe informacionit BSI, Stefan Ritter drejton qendrën e vëzhgimit të situatave. Për ish ushtarin cyber të ushtrisë gjermane, stuxnet tregon potencialin e rrezikut të sulmeve digjitale mbi sistemet industriale të komandimeve: Ritter: „Tani kemi në dorë një dëshmi të "proof of concept“. Rreziku nuk është më fiktiv, për të cilin flasin disa ekspertë në paradhomë. Rreziku është real, kërcënimi faktik është i madh dhe shumë i përpunuar."

Sepse vitet e fundit teknologjia e informacionit është futur në të gjitha sektorët e shoqërisë. Furnizimi me energji, transporti ajror, transferat financiare, çdo gjë bëhet me bits dhe bytes, kudo programet janë në shërbim të përdoruesve, ose të armiqve të tyre anonimë. Charlie Miller është një nga hackerat më të mirë të botës. Në një konferencë të zhvilluar për temën e luftës në cyber, amerikani Miller luajti në muajin qershor një skenar, sikur presidenti koreano-verior Kim Jong-Il, ta kishte ngarkuar me ndërtimin e një arme cyber. Në fund doli se atij i duhen 50 milionë dollarë në vit, dhe dy vjet kohë për t`i shkaktuar çdo lloj vendi të botës dëme masive.

Charlie Miller - asnjë kompjuter nuk është i sigurtë nga hackeri Miller
Charlie Miller - asnjë kompjuter nuk është i sigurtë nga hackeri MillerFotografi: Matthias von Hein

Miller: „Ne mund të hynim kudo, ku do të donim, në çdo lloj kompjuteri dhe mund të shkaktonim dëme. Sigurisht që nuk do të ishte e njëjta gjë sikur të hidhje një bombë. Por çdo gjë, që varet nga kompjuteri, ne mund ta dëmtojmë sikur të kishim paratë që na duheshin dhe kohë."

NATO parashikon sulmet cyber në strategjinë e re

Në strategjinë e saj të re NATO, mendon edhe për këtë formë të re të drejtimit asimetrik të luftës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen shpjegoi gjatë pranverës se sulmet Cyber janë një shembull perfekt për të treguar çfarë pasojash shkatërruese mund të kenë ekonomia dhe struktura e një vendi, pa qenë nevoja që atë vend ta shkelë asnjë ushtar, pa qenë nevoja të qëllohet një plumb.

Anders Fogh Rasmussen -Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s
Anders Fogh Rasmussen -Sekretar i Përgjithshëm i NATO-sFotografi: AP

Dhe madje pa e ditur se nga kush është sulmuar, sepse në hapësirën virtuale gjurmët mund të fshihen në mënyrë perfekte. Edhe me stuxnet, kjo ka funksionuar shumë mirë. Kërkush nuk e di me siguri, kush e ka futur krimbin në qarkullim.

Autor: Matthias von Hein/Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi