1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta për pushtet në Jemen

Martin Durm9 Qershor 2011

Presidenti i Jemenit Ali Abdullah Saleh është plagosur më rëndë sesa është menduar në fillim. Tani ka shpërthyer lufta për pushtet në këtë vend, ku të vdekurit mbeten nëpër rrugë.

https://p.dw.com/p/11XDe
Njerëz të armatosur në rrugëFotografi: dapd

Sana gjatë natës. Do të ishte ky një qytet shumë i bukur, sikur të mos ishte nën kushte të jashtëzakonshme. Ajo që pengon qetësinë e natës janë lehjet e qenve dhe të shtënat e kohëpaskohshme me armë zjarri. Në mëngjesin e ditës së nesërme, në zonën Hasabe të kryeqytetit, u gjetën 10 persona të vrarë. Trupat e të vrarëve kanë mbetur në rrugë. Askush nuk e di se kush i ka vrarë: njerëzit e regjimit apo të opozitës? Në fakt, në Sana nuk dihet saktësisht se çfarë ndodh ditën e çfarë ndodh natën.

Vizita tek nipi i Salehut

Soldaten im Jemen Flash-Galerie
Ushtarët e armatosurFotografi: picture-alliance/dpa

Për ne dita fillon me një vizitë tek Jehia Saleh, nipi i pushtetmbajtësit të plagosur Ali Abdullah Saleh. Pasi që në të gjitha pozitat e rëndësishme presidenti i ka vënë njerëzit e familjes së tij, gjenerali me katër yje është edhe komandant i forcave kombëtare të sigurisë. Forcat e sigurisë janë stacionuar në një kazermë. Gjenerali Saleh vjen me një grup të madh njerëzish të uniformuar.

"Presidenti po shërohet mirë në Arabinë Saudite nga plagët e marra prej terroristëve. Ai do të kthehet në Sana, më së largu brenda dy javësh. Atdheu e pret dhe ai sërish do ta qeverisë vendin e tij", thotë i nipi.

Mbi tavolinën e tij është një figurë ushtari prej bronzi me mbishkrimin "Me respekt dhe dëshirat më të mira". Gjenerali Saleh thotë se këtë e ka dhuratë prej amerikanëve, të cilët i kanë trajnuar në Jemen forcat e sigurisë dhe ato antiterror.

"Tani duhet të marrim vesh nëse pas këtij sulmi terrorist qëndrojnë forcat e klanit Ahmar. Do të bëhen hetime të posaçme të shtetit juridik, me qëllim që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë", thotë ai.

Drejtësi në Jemen?!

Jemen Freude über die Abreise von Saleh 5. Juni 2011
Festimi i largimit të SalehutFotografi: dapd

Po çfarë do të thotë drejtësi në Jemen, në një vend ku nëpër rrugë mbeten trupat e njerëzve të vrarë? Në këtë pyetje vështirë që mund të gjesh një përgjigje të saktë. Banorët e kryeqytetit Sana janë të preokupuar me mbijetesën në këto kohëra të pasigurta. Energjia elektrike mungon gati tërë kohën. Mungojnë edhe uji, gazi, karburantet...

Para pompave të benzinës janë krijuar radhë të gjata me kilometra. Shpesh ka dhe skena të dhunshme. Njëri prej njerëzve thotë se në radhë ka pritur dy ditë të plota. Kaosi mbretëron gjithandej. Kur e pyesin se kush është fajtor për këtë gjendje të mjerueshme, ai kthen kokën në anën tjetër dhe nuk përgjigjet.

Pak më vonë vjen një njeri tjetër dhe me një zë të ulët thotë: "Salehu e ka fajin. Ne duhet të kemi një president, i cili nuk mendon vetëm për veten dhe familjen e tij, por për të mirën e gjithë vendit." Plotësisht i frustruar është edhe një person tjetër.

"Të gjithat i ka marrë djalli. Sana i ngjan më shumë një shpelle, ky nuk është më një qytet."

Autor: Martin Durm / Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj