1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta për pushtet në Turqi mes Erdoganit dhe Fethullah Gülen

Dana Alexandra Scherle / Bahri Cani24 Dhjetor 2013

Skandalet e korrupsionit në Turqi po zhvillohen nën hijen e luftës politike mes Erdoganit dhe Gülenit. Fethullah Gülen konsiderohet si një prej kundërshtarëve më të flaktë të qeverisë.

https://p.dw.com/p/1AgIw
Në foto, Fethullah Gülen
Në foto, Fethullah GülenFotografi: picture-alliance/AP

72- vjeçari me mustaqe të thinjura banon në një shtëpi të mirë në Saylorsburg, Pennsylvania, dhe pranon ndërkohë shumë pak njerëz në shtëpi. Fethullah Gülen jeton në SHBA prej vitit 1999, kur vendosi që pas një vizite në spital të mos kthehet më në Turqi.

Lëvizja e tij ka bërë emër pikërisht në SHBA, sepse ajo kuptohet "si një lëvizje reformatore në botën islame, e cila angazhohet për shkollim sekular dhe dialog mes feve", thotë eksperti për Turqinë, Günter Seufert, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin, në një studim për lëvizjen - Gülen.

Udhëheqësi karizmatik, ka lindur në vitin 1941, si fëmijë i një imami në një fshat në provincën Erzurum të Anadollisë. Në vitin 1959 ai është bërë edhe vet imam dhe shumë shpejt është dëshmuar si një orator shumë mbreslënës. Në vitin 1968 ai mori në Izmir postin e imamit për rajonin e Egjeut - një post i cili mundëson shumë udhëtime gjatë së cilave ai përfitoi gjithnjë e më shumë ithtarë.

Shteti sekular

Gülen është arrestuar pas vendosjes së regjimit ushtarak në vitin 1971. Ushtria e justifikonte ndërhyrjen me rrezikun "nga forcat reaksionare fetare", shkruan Seufert në studimin e tij. Në aktakuzën kundër Gülenit thuhej: "Eksploatimi i ndjenjave fetare për qëllime politike."

Në foto, Necmettin Erbakan
Në foto, Necmettin ErbakanFotografi: AFP/Getty Images

Por në fushatën e amnestisë ai lirohet shumë shpejt. Në vitin 1972, ai sërish ka nisur punën e imamit. Influenca e tij ishte konstante. Në fund të viteve 1970, filluan punën edhe institucionet e para private shkollore, të cilat ishin nën influencën e mësimeve të tij.

Gülen pohonte se myslimanët duhet të angazhohen "kundër rënies së vlerave të moralit" në shoqëri - pra për vendosjen e vlerave të familjes dhe fesë mbi individin modern, por brenda strukturave të shtetit sekular.

Kur gjeneralët në vitin 1980 sërish kryen puç ushtarak, ai shkruante në një artikull për një goditje të befasishme. Lëvizja Gülen është distancuar shumë heret prej partive politike, të cilat propagandojnë një islam politik. Lëvizja Gülen angazhohej "jo vetëm për tradicionalen, por edhe për studimet e natyrës dhe Zotit, fizikën dhe ligjet e natyrës", thotë Günter Seufert në një bisedë me DW.

Mbështetja nga forcat sekulare

Lëvizja e moderuar Gülen e ka arritur kulmin e influencës në vitet 1990, në kohën kur partia e Necmettin Erbakanit, fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare. Në krahasim me këtë parti, qëndrimet e Gülenit ishin më të moderuara. Për shembull, ai nuk angazhohej që gratë duhet të bartin shaminë e kokës. Lëvizja e tij është konsideruar një kohë të gjatë si jopolitike dhe nga forcat sekulare është mbështetur.

Në foto, kryeministri Tayyip Erdogan
Në foto, kryeministri Tayyip ErdoganFotografi: Reuters

Për ushtrinë lëvizja Gülen ishte një lloj balanci me "islamin politik". Por pas largimit prej ushtrisë të partive islame nga pushteti në Turqinë moderne, Gülen e ndjente veten personalisht të rrezikuar dhe ka emigruar në SHBA në vitin 1999. Fakti që ai jeton në botën e jashtme nuk e ka dëmtuar imazhin e lëvizjes Gülen, e cila edhe më tej ka mbështetjen e miliona besimtarëve të fesë islame në mbarë botën. Vetëm në Gjermani ka, sipas të dhënave të mediave, rreth 300 degë dhe dhjetëra shkolla private të lëvizjes Gülen.

Lëvizja Gülen është shndërruar në Turqi "në një rrjet për shkollimin e elitës konservatore", shpjegon Seufert. Kjo lëvizje ka dhe qëndrimet e veta për zhvillimet politike në drejtësi, polici dhe ushtri. Qëllimi i kësaj politike është në radhë të parë dobësimi i islamit konservator të qeverisë së Erdoğanit, sepse "lëvizja Gülen ndjehet e rrezikuar nga ajo". Ndër tjerash, Erdoğan ka bërë të ditur para disa javësh se do të mbyllë shumë shukolla private të lëvizjes Gülen.

Arrestimet pas skandaleve të korrupsionit

Lëvizja Gülen ka një influencë të madhe në organet e drejtësisë dhe policisë, ndonëse nuk dihet sa ithtarë të saj janë në këto organe, për shkak se kanë frikë të deklarohen publikisht. Partia AKP e kryeministrit Recep Tayyip Erdoğan dhe lëvizja Gülen kanë pasur dikur një bashkëpunim të ngushtë. Qëllimi i tyre ishte dobësimi i elitës sekulare në vend. Por sot ka shpërthyer një luftë politike mes tyre. I biri i ministrit të Brendshëm dhe minsitrit të Ekonomisë, që janë në kabinetin e Erdoganit, janë arrestuar nën dyshimin për korrupsion. Ka nisur edhe procesi kundër bankës Halkbank, e cila dyshohet për punë të dyshimta me Iranin.

Erdoğan ka arrestuar të paktën 75 përgjegjës në polici, njoftojnë mediat turke. Kritikët mendojnë se këto arrestime kanë të bëjnë me luftën politike mes kryeministrit dhe lëvizjes Gülen.

Të dielën (22.12.2013) kanë demonstruar në Stamboll me mijëra njerëz kundër korrupsionit dhe projekteve të qeverisë për ndërtime. Policia ka përdorë gaz lotsjellës dhe topa uji kundër demonstruesve. Skandali i korrupsionit ka nisur të dobësojë Erdoğanin dhe partinë e tij. Mendohet se kjo do të dobësojë partinë e tij në zgjedhjet presidenciale dhe komunale në vitin 2014, thotë Seufert. "Nëse zgjedhësit e konsiderojnë qeverinë e tanishme të korruptuar si qeveria e kaluar, atëherë kjo mund të jetë edhe një goditje vendimtare kundër Erdoğanit."