1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lunacek: Dhuna mund të dëmtojë procesin e vizave për Kosovën

Bahri Cani20 Nëntor 2015

Ulrike Lunacek, nënkryetare e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën thekson për DW, se problemet në Kosovë nuk mund të zgjidhen me dhunë dhe se opozita duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

https://p.dw.com/p/1H9TI
Ulrike Lunacek
Fotografi: DW/Mirra Banchón

Deutsche Welle: Opozita në Kosovë ka bërë të ditur se do t'i shtyjë protestat deri më 28 Nëntor. Ndërsa organet e sigursë kanë vazhduar kërkimin e personave të dyshuar për dhunë. Ndër të kërkuarit është edhe Albin Kurti. Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë?

Ulrike Lunacek: Unë e kam thënë shumë hapur edhe në bisedimet e fundit me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë se e dënoj shumë ashpër përdorimin e dhunës në parlament. Kjo nuk është rruga për zgjidhjen e problemeve me mjete demokratike. Dje kam qenë shumë e lumtur kur dëgjova se opozita ka vendosur që të paktën t'i shtyjë protestat deri më 28 Nëntor. Opozitës i kam kërkuar që të heqin dorë nga protestat deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në janar. Ajo duhet të kthehet në parlament dhe të debatojë për çështjet, për të cilat Vetëvendosja pohon se janë shumë të rëndësishme - pra gjendjen sociale dhe ekonomike në vend, sepse në seancën e fundit u debatua për buxhetin e shtetit të Kosovës për vitin 2016. Shpresoj se arsyeja do të kthehet tek partitë opozitare dhe ato do ta kuptojnë rolin e tyre të detputetit. Ata nuk duhet të bllokojnë parlamentin, por duhet të përpiqen që t'i ndryshojnë gjërat me argumente. Unë i kam theksuar edhe opozitës se përdorimi i dhunës, në veçanti në parlament, por edhe jashtë tij, e dëmton shumë pozitën e Kosovës në Bashkimin Evropian. Dhe nuk do ta dëshiroja aspak.

Për qëndrimin e BE do të flasim pak më vonë, por t'i kthehemi protestave të ardhshme të cilat do të mbahen më 28 Nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është një ditë me plot emocione për shqiptarët edhe në Kosovë. Disa liderë opozitarë kanë thënë madje se ajo çfarë ka ndodhur deri tani nuk është asgjë në krahasim me atë që mund të ndodhë më 28 Nëntor. Keni frikë nga përshkallëzimi i dhunës?

Unë shpresoj se nuk do të ketë dhunë. Shpresoj se do të kuptohet se konfliktet nuk mund të zgjidhen me dhunë. Kosova e di që nga koha e vuajtjeve nën diktaturën e Millosheviqit, në kohën e zotit Rugova, se si duken protestat paqësore. Shpresoj se Kosova do t'i kthehet kësaj fryme, sepse dhuna nuk i zgjidh problemet. Më duhet të them edhe një gjë: sipas njohurive të mija, ligjet e Kosovës parashikojnë që nga viti 2011, që deputetët mund të arresohen pa heqjen e imunitetit nga shumica parlamentare. Në Parlamentin e Austrisë është ndryshe, sepse kërkohet heqja e imunitetit. Ndonëse unë mendoj se është pak problematik, në Kosovë ky rregull ekziston pra prej vitit 2011.

Ulrike Lunacek dhe Bahri Cani
Ulrike Lunacek dhe Bahri CaniFotografi: DW

Opozita në Kosovë ka kërkuar nga qeveria që të tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit Kosovë-Serbi. Parë nga perspektiva e Brukselit, i cili ndërmjetëson në dialogun me Serbinë, a është e mundur tërheqja e këtyre nënshkrimeve?

Kjo me siguri që është e vështirë. Me sa di unë, marrëveshja me Malin e Zi është arritur pas negociatave të udhëhequra mirë. Detajet nuk i di, por mua më është thënë se marrëveshja është në rregull. Kjo nuk është pjesë e dialogut, për të cilin jam e interesuar shumë. Ndërsa Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me kerkesë të presidentes Atifete Jahjaga, duhet të vlerësohet tani nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo është legjitime. Ndaj edhe kërkoj nga opozita që të kthehet në parlament dhe të debatojë për gjërat e tjera, deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Marrëveshja është pezulluar dhe duhet të presim vendimin e Gjykatës. Nëse ajo vendos që dy apo tri gjëra nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë ajo duhet të rinegociohet në dialog. Por opozita duhet ta presë këtë vendim dhe mos të përpiqet ta ndryshojë atë me protesta të reja. Këto vendime merren në institucione.

Mendoni se është rrezikuar dialogu në tërësi, sepse ai ka kohë që është ngrirë?

Shpresoj që jo. Ndërsa Gjykata Kushtetuese duhet të shikojë nëse këto marrëveshje janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zonja Lunacek, sa e rrezikon dhuna në Kosovë procesin e afrimit të Kosovës me Bashikimin Evropian?

Kjo me siguri që nuk e lehtëson këtë proces. Por opozitës dhe kryeministrit Mustafa u kam thënë se dialogu duhet të vazhdojë. Kjo është në interesin e përbashkët. Por dialogun nuk e ka lehtësuar aspak as qëndrimi serb dhe sjellja e Serbisë me rastin e kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Krahasimi i Kosovës sot me atë që ka ndodhur para 11 vitesh, kur u sulmua trashëgimia kulturore serbe, me siguri që nuk qëndron. Krahasimi i Kosovës me ISIS sigurisht është shumë larg marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Në përgjithësi, situata nuk është më e mirë tani se sa më parë. Por Kosova dhe Serbia mund të afrohen me BE vetëm përmes dialogut. Me dhunë nuk mund të zgjidhen problemet.

A e kanë dëmtuar zhvillimet e fundit edhe procesin e liberalizimit të vizave?

Pala kosovare më ka njoftuar se në javët e ardhshme do të plotësojë edhe kushtet e fundit për liberalizimin e vizave. Unë shpresoj se Komisioni i BE do t'i japë Këshillit të Evropës dritën jeshile për hapjen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Vendimin përfundimtar duhet ta marrin ministrat e brendshëm. Por e them shumë hapur, gjë që ia kam thënë edhe opozitës: me këto pamje të dhunës në parlament do të rrezikohet edhe procesi i liberalizimit të vizave. Sepse krijohet përshtypja se kosovarët janë të dhunshëm. Pas atentateve terroriste në Paris, pamjet e dhunës në Kosovë me siguri që asaj nuk i japin një paraqitje pozitive. Ndaj edhe kam kërkuar dhe kërkoj nga opozita të heqë dorë nga dhuna, sepse kjo dhunë mund të dëmtojë procesin e liberlizimit të vizave. Unë nuk e dëshiroj një gjë të tillë, do të doja që vitin e ardhshëm edhe kosovarët të mund të lëvizin të lirë në BE. Shpresoj se kjo do të ndodhë.