1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lunacek: Serbia nuk ka afrim me BE pa normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinjë

28 Korrik 2011

Palët duhet të tregohen të përmbajtur dhunës. Masat e qeverisë kosovare për vendosjen e rendit dhe ligjit në mbarë territorin e Kosovës janë të kuptueshme, thotë për DW raportuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek

https://p.dw.com/p/125Zl
Europarlamentarja, Ulrike Lunacek
Europarlamentarja, Ulrike LunacekFotografi: AP

DW: Zonja Lunacek, si e shihni shkallëzimin e fundit të dhunës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë?

Lunacek: Është për të ardhur keq, që për shkak të ndërprerjes së dialogut nga pala serbe, erdhi deri tek shkallëzimi i dhunës dhe madje vdekja e një personi. Të dyja palët duhet të kthehen menjëherë në tavolinën e bisedimeve, sepse kjo situatë mund të zgjidhet vetëm me mjete politike dhe jo me dhunë. Krahas përgjegjësisë së qeverive në Prishtinë dhe Beograd, këtu ekziston edhe një përgjegjësi evropiane. Evropia duhet ta bëjë të qartë se angazhohet për dialog dhe duhet t'i thotë qartë Beogradit se dialogu duhet të sjellë rezultate konkrete. Beogradi duhet ta dijë që raportet me Kosovën duhet të përmirësohen, para se të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

DW: Çfarë duhet të bëjë konkretisht pala evropiane për tejkalimin e kësaj gjendje?

Tadiq e ka të qartë se aktet e dhunës dëmtojnë interesat serbe

Lunacek: Të dyja palëve duhet t'ua bëjë të qartë se dhuna do ta përkeqësonte gjendjen për të dy palët, në veçanti për palën serbe. Kam përshtypjen se edhe presidenti Boris Tadiq e ka të qartë se dhuna ka eskaluar për shkak të disa ekstremistëve serbë. Ai e ka të qartë se këto akte të dhunës dëmtojnë përpjekjet e tij dhe të qeverisë në Beograd për të fituar statusin e kandidati për anëtarësim në BE. Shpresoj se ai do t'ia bëjë të qartë popullit të vet se kjo i dëmton interesat serbe. Javën e kaluar kam qenë në Kosovë dhe edhe një herë jam bindur se masat e palës kosovare për reciprocitet tregtar me Serbinë janë të kuptueshme, sepse për vite të tëra prodhimet kosovare nuk mund të eksportohen në Serbi ndërsa prodhimet serbe në Kosovë mund të futen. Prej shpalljes së pavarësisë volumi i prodhimeve serbe në Kosovë është shtuar për 30 %. Prandaj kam mirëkuptim për vendimet e qeverisë kosovare. Ndërsa dërgimi i njësisë speciale mund të kuptohet më shumë si një akt dëshpërimi, sepse për vite të tëra qeveria ka kërkuar vendosjen e sovranitetit në mbarë territorin. Dhe në fund, duhet theksuar se një pengesë e madhe është mungesa e unitetit brenda BE-së. EULEX-i nuk duhet të ketë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Ai duhet të jetë përgjegjës edhe për veriun e Kosovës.

DW: A nuk mendoni se ka ardhur ndoshta koha që Brukseli ta thotë qartë se a është Kosova kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE apo jo?

Serbia duhet të vendosë marrëdhënie normale me Serbinë

Lunacek: Unë do të dëshiroja që kjo të thuhet, por nuk kam përshtypjen se kjo po ndodhë. Për momentin më shumë bëhet fjalë nëse Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim. Unë jam në anën e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë edhe unë mbështes kërkesat që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim, por vetëm me kusht që më parë të përmirësojë raportet me Kosovën. Tregtia dhe raportet ekonomike me vendet fqinje janë një prej kushteve elementare për afrimin me BE-në. Nuk është e mundur që një vend të fitojë statusin e kandidatit, të fillojë negociatat e më vonë ndoshta edhe të anëtarësohet në BE, në qoftë se nuk ka raporte të qarta me vendet fqinje. Në qoftë se Serbia nuk e bën një gjë të tillë, do ta ketë shumë vështirë këtë rrugë. Tadiqi duhet të dërgojë menjëherë negociatorin e tij Borko Stefanoviq në Bruksel dhe ta autorizojë që të pranojë marrëveshjet e arritura. Ka ardhur koha e fundit që Serbia të vendosë raporte normale me Kosovën, në veçanti sa i përket tregtisë.

DW: Ka dialogu ndojë shans në këtë situatë?

Lunacek: Dialogu dhe zgjidhja politike janë shansi i vetëm për zgjidhjen e konflikteve dhe normalizimin e gjendjes. Palët kanë qenë në rrugë të mirë. Ata kanë arritur disa marrëveshje. Shkallëzimi i gjendjes nuk është i mirë për askend, as për popullatën vendore, as për qeveritë në Beograd dhe Prishtinë dhe as për BE-në.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi