1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë eksporte armësh gjermane se një vit më parë

PP (afp, dpa, rtr)22 Tetor 2015

Ministri gjerman i Financave dhe zëvendëskancelari, Sigmar Gabriel, kishte premtuar reduktimin e eksporteve të armëve. Por me sa duket po ndodh e kundërta.

https://p.dw.com/p/1GsMw
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Baumgarten

Qeveria gjermane pavarësisht premtimit të saj për një politikë restriktive për eksportet e armëve në gjysmën e parë të vitit ka miratuar më shumë eksporte armësh se në vitin e kaluar. Kjo merret vesh nga një raport paraprak i Ministrisë së Ekonomisë. Sipas tij në gjashtë muajt e parë të vitit janë dhënë licenca individuale në vlerë prej 3.5 miliardë euro - nga 2.2 miliard euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këtyre u shtohen dhe të ashtuquajturat autorizime kolektive për eksport armësh, të cilat kishin të bënin kryesisht me shtetet partnere në BE dhe NATO, që shkojnë rreth tre miliardë euro kundrejt rreth 520 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2014. Duhet të theksohet se statistikat e eksportit ndryshojnë shumë për shkak të vëllimit të madh të transaksioneve individuale. Një e treta e shumës ka të bëjë me eksportin e katër avionëve cisternë për aleaten e NATO-s Britaninë e Madhe. Eksporte për armë të vogla janë miratuar mjaft pak.

Symbolbild Deutschland Waffenexporte Leopard 2 A6
Fotografi: picture-alliance/dpa

Përqindja e eksporteve veçanërisht të diskutueshme në vendet e treta jashtë NATO-s dhe BE-së në gjysmën e parë të vitit ishte 48.5 për qind, pra më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur qe 63.5 për qind. "Rreth një e katërta e vlerës së licencave të eksportit në vendet e treta rezultojnë nga një autorizim për një nëndetëse për Izraelin, që ishte premtuar në fillim të vitit 2003", thuhet në raport. Qeveria argumenton se transaksionet e mëdha shtrembërojnë pamjen e gjysmës së parë të vitit. Vendi më i madh importues në rastin e licencave individuale ishte në gjysmën e parë të vitit Britania e Madhe, e ndjekur nga Izraeli.

"Rregulla të qarta"

Raporti thekson: "Për eksportin e armëve të luftës dhe pajisjeve të tjera ushtarake në vendet e treta ekzistojnë rregulla të qarta: respektimit të të drejtave të njeriut në vendet ku eksportohen armë t'i kushtohet rëndësi e veçantë." Kur ekzistojnë dyshime të mjaftueshme se armët gjermane përdoren për "shtypjen e brendshme apo për shkelje të tjera, të vazhdueshme dhe sistematike të të drejtave të njeriut" nuk lejohet eksporti i tyre.

Deutschland Korvette Typ MEKO A-200 SAN
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Perrey

Pas shpalljes së këtyre të dhënave opozita gjermane e akuzoi ministrin federal të Financave dhe zëvendëskancelarin, Sigmar Gabriel, se ka thyer premtimin dhe se ka shitur armë edhe në Arabinë Saudite dhe në Jemen. Ministria e Ekonomisë deklaroi në lidhje me këto akuza, "se vetëm shifrat nuk janë të mjaftueshme për të gjykuar për drejtimin e politikës për eksportin e armëve". Zëvendëskancelari kishte deklaruar në fillim të mandatit të tij dy vjet më parë se do të frenonte eksportet e armëve në të ashtuquajturat vendet e treta jashtë BE-së dhe NATO-s.