1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë se kapitulli i dytë i luftës së palestinezëve për pushtet - Luftë civile mes Hamasit dhe Fatahut

Peter Philipp5 Gusht 2008

Që palestinezët arratisen pikërisht në Izrael për të shpëtuar kokën, kjo mund të konsiderohet si një ndër absurditetet e konlfiktit të Lindjes së Mesme.

https://p.dw.com/p/Er8D
Luftë civile në Rripin e GazësFotografi: AP

Ajo që ndodh në Rripin e Gazës në vështrim të parë duket si luftë civile mes palestinezëve, si një kapitull i dytë, një vit pasi "Hamasi" islamik në qershor të 2007 mori pushtetin. Por nisur nga fakti, që islamistët në Gazë ushtrojnë kontroll të pakufizuar, kjo nuk mund të konsiderohet më si një luftë e thjeshtë për pushtet mes dy forcave rivalizuese - "Hamasit" dhe Fatahut". Përkundrazi kaosi në Gazë reflekton gjithnjë e më shumë gjendjen e dëshpëruar, në të cilën ndodhen në përgjithësi palestinezët. E bashkë me ta edhe Izraeli: ishte një iluzion, që ky do të shkëputej prej Gazës me tërheqjen në vjeshtën e vitit 2005.


Shkas për raundin e ri të dhunës ishte sulmi ndaj një grupi të aktivitësve të "Hamasit" përpara disa ditësh. Ata që fshihen pas këtij antetanti janë të panjohur për "Hamasin", i cili bën përgjegjës lëvizjen "Fatah" të presidentit Mahmud Abaz, duke iu kundërvënë njëkohësisht edhe simpatizantëve të fundit të kësaj lëvizjeje në Rripin e Gazës. Ka të vdekur dhe të plagosur, të arrestuar dhe të arratissur. Ka edhe refugjatë. Duket makabër, po refugjatët shkojnë në Izrael, ku shpresojnë të gjejnë më shumë siguri se sa tek vëllezërit e tyre palesitnezë të "Hamasit". Ndërkohë që as Izraeli dhe as Abazi nuk dinë, se si të veprojnë me këto njerëz. Disa i kthejnë mbrapsht, të tjerë pas ec e jakeve të gjata i dërgojnë në Bregun Perëndimor, në Xheriko, ndërsa të plagosurit trajtohen në spitalin izraelit.

Izraeli mund edhe ta përdorë për propagandë qëndrimin e vet, por presidenti Abaz ndodhet në një pozicion edhe më të vështirë: Pavendosmëria e tij ia ka ulur edhe më shumë autoritetin. Jo vetëm në Gazë, por edhe në Bregun Perëndimor. Udhëheqja politike nuk duhet të jetë kështu. Në Lindjen e Mesme ka një justifikim për ekonominë e tarafeve: Nëse një politikan nuk mund të kujdeset për familjen e vet, ai nuk mund të kujdeset as për popullin. "Fatahu" është familja e Abazit dhe ai e ka lënë partinë në baltë, që pavarësisht të gjitha vështirësive në Gazë i ka qëndruar besnike atij. Një sinjal fatal për banorët e Bregut Perëndimor. Ata nuk janë të orientuar nga "Hamasi", por atyre u ka ardhur në majë të hundës me stilin politik të "Fatahut". Një ndjenjë kjo që në janar të 2006 ndihmoi islamistët ta marrin legalisht pushtetin.


Ngjarjet në Gazë do t´i forcojnë sërish ndjenjat e tilla dhe do të dobësojnë pozicionin e "Fatahut" në Bregun Perëndimor. Vështirë të besohet, se me përpjekjet e Egjiptit, të Katarit dhe të vendeve të tjera arabe do të mund të kapërcehet brenda një periudhe të afërt humnera mes grupeve rivalizuese të palestinezëve.

Natyrisht Abazi nuk mund të bëhet i vetëm përgjegjës për këto zhvillime. Ai përpiqet t´u demonstrojë palestinezëve, se strategjia e tij e bisedimeve të paqes premton më shumë se qëndrimi pakompromis i "Hamasit". Vetëm se Abazi nuk është në gjendje të dëshmojë avantazhet e vërteta të strategjisë së tij. Izraeli nuk bën asnjë lëshim dhe bashkësia ndërkombnëtare veç proklamimeve dhe premtimeve për donacione nuk ka bërë asgjë konkrete. Zhgënjimi në Bregun Perëndimor nën kontrollin e "Fatahut", por edhe kudo në zona të tjera është në rritje. Zhgënjimi është dhe ushqimi më i mirë për radikalët.