1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë ushtarë për Afganistanin? - Qeveria gjermane mendon të zgjerojë mandatin gjerman për ISAF-in

2 Tetor 2009

Misioni i ISAF-it në Afganistan nuk duhet të kthehet në disfatë. Por çfarë duhet bërë për të penguar një skenar si atë të Vietnamit? Çfarë do të kishte më shumë kuptim - më shumë apo më pak ushtarë?

https://p.dw.com/p/JwQF
Ushtar gjerman i ISAF-it, tetor 2005.
Ushtar gjerman i ISAF-it, tetor 2005.Fotografi: AP

Qeveria gjermane është duke shqyrtuar mundësitë që të ndryshojë pragun e kontigjentit të Bundesverit në Afganistan nga 4.500 sa ka aktualisht në 7.000 ushtarë. Njoftimet lidhur me këto plane kanë bërë të enjten që të fillojnë edhe diskutimet politike. Ministria gjermane e Mbrojtjes pranoi, se po diskutohet për ndryshimin e kufirit për misionin e Bundesverit. Megjithatë numri prej 7.000 ushtarësh është një spekulim pa asnjë bazë.

Ky prononcim nga Ministria e Mbrojtjes ka habitur deputetët gjermanë. Për këtë numër të ushtarëve ka kohë që diskutohet, deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes është e pakuptimtë. Informatorët e radios gjermane DLF e kanë konfirmuar edhe njëherë të enjten (1.10.) të dhënën për numrin e ushtarëve.

Mandati i Bundeswehr-it duhet të zgjatet brenda 13 dhjetorit 2009

Ky debat bëhet edhe më interesant nga fakti që Konferenca për Afganistanin, për të cilën Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte angazhuar që të mbahet në fund të këtij viti, do të mbahet në muajin shkurt apo mars të vitit të ardhshëm, ndërkohë që mandati i ushtrisë gjerman (Bundeswehr) në Afganistan duhet të zgjatet më e vonëta deri më 13 dhjetor të këtij viti.

Nëse deri atëherë nuk do të jetë miratuar ende strategjia e re për Afganistanin, mbeten vetëm dy mundësi: Bundesveri e rrit kufirin për numrin e ushtarëve në Afganistan për ta zvogëluar atë më pas, nëse një gjë e tillë parashikohet në strategjinë e re. Ose qeveria federale duhet të kërkojë sërish në mars nga parlamenti, të ndryshoj kufirin e ri.

Me kusht që plani të miratohet nga partnerët e rinj të koalicionit në Berlin (CDU/CSU dhe FDP) qeveria ka zgjedhur variantin e parë, pra ndryshimin e kufirit për ushtarët që në dhjetor.


Liberalët kërkojnë përfshirjen në mandat edhe të fushave joushtarake

Elke Hoff, politikane liberale (FDP), eksperte për çështjet e sigurisë.
Elke Hoff, politikane liberale (FDP), eksperte për çështjet e sigurisë.Fotografi: Elke Hoff

Elke Hof, politikane për çështje të sigurisë në Partinë Liberale FDP, u angazhua të enjten gjatë një takimi në Koblenz, që në mandatin e ri për Afganistanin të përfshihen edhe fusha joushtarake. Në këtë mënyrë një mandat do të përmbante dhe përcaktonte të gjitha angazhimet e Gjermanisë në Afganistan.

Homologu i saj nga Unioni Kristiandemokrat, Ernst-Reinhard Beck, u shpreh i hapur për formën e një mandati të tillë të ri. Megjithatë ai kujtoi, se edhe koncepti i vjetër i qeverisë gjermane për Afganistanin përmban të gjitha elementet, duke filluar prej përpjekjeve diplomatike, misionit të policisë e deri tek masat humanitare.

Politika ndaj Afganistanit do të jetë një pikë e rëndësishme edhe në negociatat për formimin e koalicionit qeveritar, të cilat fillojnë të hënën (5.10.) në Berlin. Kjo u deklarua nga Elke Hof dhe Ernst-Reinhard Beck në Koblenz.

Autor: Rolf Clement / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani