1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe doktrina e ngjyrave

Diana Peßler / E. Xhani29 Shtator 2013

Për një kohë të gjatë partitë i kanë kërkuar dhe gjetur partnerët e koalicionit në kampin e vet politik. Merkel duhet të guxojë tani të dalë jashtë kampit të saj. A është ky fillimi i fundit të mentalitetit të kampit?

https://p.dw.com/p/19prq
Salla plenare e Bundestagut
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mëngjesin pas ditës së zgjedhjeve kancelares Angela Merkel iu desh të ndalej ca përpara dollapit të rrobave. Ajo ka xhaketat të të gjitha ngjyrave, mirëpo jo çdonjëra dukej e përshtatshme për rastin. „Mendova, e kuqja nuk bën, e gjelbra e theksuar nuk bën, si do t'ia bësh?“ Në fund ajo vendosi për ngjyrën petrol, e cila nuk ngjallte dyshime politikisht, në mënyrë që të mos jepte shkas për spekulime para negociatave të afërme për formimin e koalicionit.
Pas fitores së tyre zgjedhore Merkel dhe partitë e Bashkimit CDU/CSU janë duke kërkuar një partner koalicioni, i cili „ju përshtatet“. Por e verdha nuk ekziston më si mundësi pasi partneri i deritanishëm i Bashkimit CDU/CSU, FDP-ja, nuk ia doli të fitonte sa për t'u futur në parlament.

Fillimi i të menduarit në kategori kampesh

Kështu, për të formuar një qeveri, Bashkimit CDU/CSU i duhet të dalë nga kampi i vet konservatoro-liberal. Pas zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës ai e ka bërë një herë diçka të tillë, kur hyri në koalicion të gjerë me Partinë Socialdemokrate, partinë e dytë më të madhe gjermane me zgjedhës nga të gjitha shtresat. Atëherë, a përfytyrohet dot më në kampe politike politika gjermane?

Kancelarja pas ditës së zgjedhjeve - me ngjyrë neutrale
Kancelarja pas ditës së zgjedhjeve - me ngjyrë neutraleFotografi: picture-alliance/dpa

Ishte ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokristiane Heiner Geißler ai që e shpiku para rreth tridhjetë vjetësh konceptin e „kampeve politike“. Asokohe Të Gjelbrit kishin arritur përmasat e një force politike që duhet të merrej seriozisht. Në vend të tri partive në skenën politike gjerman ishin katër parti me ide dhe vlera të kundërta. Geißleri përshkroi në njërën anë „kampin e klasës së mesme“ të përbërë nga CDU/CSU-ja dhe FDP-ja, në anën tjetër „kampin e majtë“ të përbërë nga Partia Socialdemokrate dhe ekologjistët. Geißleri nxori përfundimin se para së gjithash kishte rëndësi sigurimi i një shumice për kampin tënd. Sipas tij, shtimi i numrit të votave në kurriz të partnerit në kampin politik përbënte një lojë me shumën zero. Dhe vërtet qysh prej teorisë së kampeve të Geißlerit qeveritë janë formuar kryesisht brenda kampeve politike. Edhe fushata elektorale e 2013-ës synonte pikërisht këtë: Konservatorët donin me liberalët, të kuqtë me Të Gjelbrit.

Heiner Geißler 1987
Ideatori i mentalitetit të kampit politik - Heiner GeißlerFotografi: picture alliance/Hermann Wöstmann

Asnjë fund i të menduarit në kampe politike

Zgjedhësit vendosën ndryshe. Tani ekzistojnë opsionet CDU/CSU me socialdemokratët ose CDU/CSU me Të Gjelbrit. " CDU/CSU-ja është e interesuar që të formojë një koalicion. Për këtë arsye është e kuptueshme që ajo i shtyn partnerët e saj potencialë të koalicionit që të largohen nga strukturat e vjetra të të menduarit“, thotë në bisedë me Deutsche Wellen studiuesi i partive Uwe Jun. Mirëpo socialdemokratët dhe Të Gjelbrit bëjnë naze. "Ka gjasa që këtu të luajnë rol konsiderata të strategjisë së pushtetit, por në përgjithësi një pjesë aktive e bazës e ka të vështirë të përfytyrojë lidhjen e një koalicioni me një partner nga kampi tjetër", thotë Jun. Ai nuk dikton ndonjë rrymë të fortë në parti, e cila kërkon të arrijë ndarjen prej të menduarit në kategori kampesh.

Megjithatë kjo rrymë ekziston: janë zërat pragmatikë. Për shembull deputeti i gjelbër Omid Nouripour bën reklamë që Të Gjelbrit të jenë më të hapur në të ardhmen. Për të përcaktimi paraprakisht për koalicionin: socialdemokratë/Të Gjelbër ishte arsyeja për rezultatin e dobët të Partisë ekologjiste. Përballë rezultateve të këqija në sondazhe, thotë Nouripour, zgjedhësit e kanë pasur të qartë me kohë se te Të Gjelbrit mungonte opsioni i pushtetit.

Tradhëti ndaj kauzës

Mirëpo pyetja për koalicionin me CDU/CSU-në më shumë sesa te socialdemokratët ka implikime për identitetin e Të Gjelbërve. Në fillesat e saj Partia ekologjiste ishte partia e veprimtarëve të paqes, e ekologjistëve dhe e të gjithë atyre që ishin kundër establishmentit. Me gjasa për shumë të gjelbër një koalicion me CDU-në do të përbënte edhe sot tradhëti ndaj kauzës. Megjithatë politologut nga Dresdeni Werner Patzelt koalicioni konservatoro-ekologjist i duket i dëshirueshëm: „Atëherë politika e kampeve në Gjermani do të merrte fund për njëfarë kohe. Mundësitë e koalicioneve do të shtoheshin dhe kjo do t'i bënte sa s'ka më mirë funksionimit të sistemit tonë të qeverisjes parlamentare!"

Koalicioni shumëngjyrësh kritikohet për humbje përmbajtjesh
Koalicioni shumëngjyrësh kritikohet për humbje përmbajtjeshFotografi: picture-alliance/dpa

Por ka edhe këndvështrime të kundërta, sipas të cilave një demokraci nxitet para së gjithash nëpërmjet alternativave të qarta. Përkrahësit e këtij qëndrimi me gjasa e shohin me skepticizëm shpërbërjen e kampeve.
Shumica e ekspertëve llogarisin formimin e një koalicioni përtej kufijve të kampeve; probabilitetin më të madh e ka koalicioni midis Bashkimit CDU/CSU dhe Partisë Socialdemokrate. "Partia Socialdemokrate SPD ka qenë shumë pragmatike në të kaluarën. Aktualisht ajo është në koalicion me CDU-në edhe në nivel landesh, pa probleme të mëdha. Mirëpo Të Gjelbrit nuk kanë ende përvojë pozitive me CDU/CSU-në. I vetmi koalicion konservatoro-ekologjist në Hamburg dështoi“, thotë Uwe Jun. Megjithatë, as socialdemokratët nuk e kanë ruajtur në kujtesë si përvojë pozitive koalicionin e gjerë në nivel kombëtar. Në zgjedhjet pasuese partia humbi masivisht vota.

Zgjedhjet e reja si rrugëdalja e fundit

Nëse nuk arrihet në asnjë mënyrë koalicioni, atëherë kushtetura e lejon që Bashkimi CDU/CSU të formojë një qeveri pakice. Mirëpo këtë Angela Merkeli e ka përjashtuar tashmë. Pa shumicë të vetën ajo pothuajse nuk do të kishte mundësi manovrimi. Aq më tepër që Dhoma e Lartë e parlamentit, e cila luan një rol të rëndësishëm në procesin legjislativ, mbizotërohet prej „kampit të majtë“ të përbërë nga socialdemokratët dhe Të Gjelbrit. Në rast se askush nuk arrin të sigurojë shumicën dhe të zgjidhet kancelar, mbetet një rrugëdalje: zgjedhjet e reja. Mirëpo konsiderohet se nuk ka gjasa që partitë të arrijnë deri këtu. Në rast se po, atëherë Angela Merkel do dilte prej frustrimit edhe një herë para dollapit të saj të rrobave dhe thjesht do t'i hiqte xhaketat e saj të kuqe dhe ato të gjelbra.

Në 2005 konservatorët dhe socialdemokrat formuan një koalicion të madh
Në 2005 konservatorët dhe socialdemokrat formuan një koalicion të madhFotografi: dpa