1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Makthi i papunësisë në Greqi

23 Gusht 2011

Papunësia në Greqi po kthehet në përmasa të frikshme. Të papunët kanë arritur në 16.6 për qind. Ekspertë parashikojnë një rritje deri në fund të 2012-tës deri në 25 për qind.Qeveria pritet të nisë program për të papunët

https://p.dw.com/p/12LxY
Pamje nga protestat në Athinë për shkak të krizës financiare
Pamje nga protestat në Athinë për shkak të krizës financiareFotografi: AP


Behari duke “tërhequr” njerëzit nëpër plazhet dhe duke lënë të “qeta” sheshet e protestave të qendrës së Athinës sikur kërkon të fshehë problemin e madh të papunësisë që e kujtojnë ndërkohë “gërmadhat tregtare” të krizës, drynat e dyqaneve që shtohen përditë. 33.8 % ose 1 në çdo katër dyqane të rrugës Stadhiu është mbyllur, thonë statistikat më të fundit për papunësinë alarmante në të gjitha degët e ekonomisë dhe në gjithë vendin. “Dikur në Selanik dhe në Maqedoninë qëndrore ishin të pajtuar në punë rreth 80.000 punonjës. Sot nuk janë më shumë se 10.000” thotë përfaqësuesi i Qendrës Punëtore të këtij qyteti grek të dytë të madh për nga popullsia pas Athinës.

Të papunët, i vetmi “mall” që shtohet

Të papunët janë i vetmi “mall” që shtohet, qofshin ata vendas apo imigrantë, kur buxheti familjar zvogëlohet, konsumi bie dhe tregu përthahet nga mungesa e parasë. “Gjëndja është e vështirë. Pa punë jemi. Kam rreth një viti e gjysëm pa punë. Kam dy fëmijë në shkollë. Nuk mund të paguajmë dritën ujin, qiranë” i thotë DW, Ilia Memo pak para se të marrë udhëtimin për në vendlindje, me autobusin e linjës Athinë-Korçë, ku shpreson të “harrojë” për një farë kohe problemet e mbijetesës. 

Savas Robolis, drejtor në Institutin e Punës së Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë
Savas Robolis, drejtor në Institutin e Punës së Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të GreqisëFotografi: Savas Robolis

Sipas Zyrës Statistikore Greke, gjatë muajit maj rreth 2.000 punonjës humbisnin përditë punën dhe për herë të parë për shtatë muaj më radhë, që nga muaji nëntor, numri i të papunëve ka arritur në rreth 251.846. Papunësia totale arriti në 16.6% nga 12% që ishte të njejtën periudhë të vitit 2010 dhe numri i të papunëve arriti në 822.719 vetë. Shifër rekord, ashtu si edhe numri i të papunëve brenda vitit arriti në 220.534 vetë, kurse ai i muajit maj të këtij viti në 51.000 vetë.

Papunësi reale në nivelin e viteve 60-të

“Si përqindje shifrat na kthejnë në vitet 50-të, por me të dhënat reale na kthejnë në vitin 1961 ku sipas statistikave të kohës kishim 864.000 të papunë. Por atëhere zgjidhja ishte emigrimi drejt vendeve të Evropës veriore si Gjermania, me të ashtuquajturit "gastarbeiter”, i thotë DW Savas Robolis, drejtori i Institutit të Punës së Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë. Robolis nuk ngurroi të publikojë edhe kësaj radhe shifra më ogurzeza për fundvitin por edhe vitin e ardhshëm kur edhe vetë qeveritarët pranojnë se “dimri që vjen do të jetë skëterrë” përsa i përket papunësisë.

“Papunësia statistikore, nga 18% që do të arrijë në fund të vitit 2011 do të shtohet edhe 2% akoma. Papunësia reale  në fund të vitit 2012 do të jetë 25% dhe do të arrijë në 1.250.000 vetë”  dhe kjo në kushte bile “me ritme zhvillimi zëro dhe jo negative”, sqaron Robolis.

Rinia, protagoniste e një historie të re emigrimi për Greqinë

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu në parlament
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu në parlamentFotografi: AP

I papunë këtu e 8 muaj, që kur u lirua si shitës në një dyqan rrobash, Janis Margaritis nuk e fsheh dëshpërimin e tij për “rrudhjen” për ditë e më tepër të tregut të punës.  “100 ishin 50 do të arrijnë dhe do të reduktohen dhe më tepër” thotë për vendet e punës. “Tashmë nuk është e lehtë të ëndërrosh, çfarëdo që të ëndërrosh e di se është vështirë të realizohet” thotë Janis për brezin e tij “të humbur” të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të 21-të që po bëhet protagonist i një historie të re emigrimi për Greqinë. “ E mendoj edhe këtë, kështu si po shkojnë gjërat” thotë Janis me vështrimin nga sheshi Sintagma ku më 3 shtator do të rikthehet së bashku me të “revoltuarit” për t'i kërkuar qeverisë që të ndryshojë kurs.

Qeveria, që fajësohet së bashku me troikën për recesionin e ekonomisë, kërkon të zbusë “dimrin e madh të papunësisë” me programe punësimi si ai për pajtim 5-mujor nëpër bashki për tre vjet të rreth 75.000 të papunëve, shumica e tyre ndërtues. Pothuajse nuk ka familje pa një të papunë. “Kemi raste kur të dy në një çift nuk punojnë. Nga ata do ta fillojmë këtë program”, thotë ministri i Punës Jorgos Kutrumanis, i cili siguron qytetarët se çdo gjë do të bëhet në “dritën e diellit”. Në rast të kundërt “bomba sociale” e papunësisë, siç përcillet rëndom, do t'i plasë qeverisë në dorë me pasoja të paparashikueshme dhe për programin e troikës.

Autor: Niko Anagnosti

Reaktoi: Mimoza Kelmendi