1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maliki në Teheran: Iran-Irak duan të përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe

Ulrich Pick9 Qershor 2008

Kryeministri i Irakut, Nuri al Maliki filloi dje (08.06.) në Teheran bisedime për të zgjeruar marrëdhëniet me Iranin. Në konsultime do të flitet edhe për marrëveshjen e planifikuar ushtarake midis Irakut dhe SHBA.

https://p.dw.com/p/EG5C
Kryeministri irakian, Nuri al MalikiFotografi: AP

Vizita treditore e kryeministrit irakian në kryeqytetin iranian nuk është fare pa tensione. Sepse Nuri al Maliki duhet të mbajë balancën midis besnikërisë ndaj pushtuesve amerikanë në Irak nga njëra anë dhe shokëve të tij shiitas nga ana tjetër.

Për të mos lejuar të krijohen irritime, kryeministri irakian i deklaroi ministrit të jashtëm iranian Motaki se vendi i tij dëshiron të ketë lidhje më të ngushta me Republikën Islamike. Kësaj ai i shtoi se Iraku nuk dëshiron të bëhet vendi, prej të cilit të rrezikohet siguria e Iranit. Kjo tërheqje vëmendjeje ka një sfond konkret. Sepse Irani e sheh me vështrim prej skifteri marrëveshjen e planifikuar midis qeverisë irakiane dhe SHBA.

Për Iranin marrëveshja Irak-SHBA - halë në sy

Iran Pressekonferenz von Präsident Mahmoud Ahmadinedschad in Teheran
Presidenti iranian, Mahmud AhmadinexhadFotografi: AP

Teherani e pati paralajmëruar Bagdadin para disa ditësh që të mos lidhë një traktat afatgjatë me SHBA. Në projektin amerikan të papublikuar plotësisht për marrëveshjen e planifikuar ndër të tjera me sa duket thuhet edhe se trupat amerikane mund të sulmojnë prej Irakut shtete, që paraqesin citat "një rrezik për stabilitetin ndërkombëtar". Kjo marrëveshje u kritikua në Irak të premten edhe nga predikuesit në xhami.

Qeveria e shiitit Maliki, e cila ka marrëdhënie të mira si me SHBA, ashtu edhe me Iranin, për shkak të dobësisë së saj nuk ia lejon dot vetes që të mbështetet shumë fort tek njëra prej palëve të armiqësuara. Sa të rëndësishme janë megjithatë lidhjet me Teheranin, kjo u tregua në maj, kur Maliki dërgoi një delegacion në kryeqytetin iranian, me lutjen për ndërmjetësim në konfliktin midis partive shiite në pushtet në Irak dhe milicisë shiite të Muktada al-Sadrit. Pas kësaj, gjendja në qytetet shiite të Irakut u qetësua.