1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: A do të ketë rigjykim të rastit “Monstra”?

4 Tetor 2017

Gjashtë persona janë dënuar me burg të përjetshëm në Maqedoni për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas më 2012. Për rastin e koduar si “Monstra” ka pasur mjaft kontestime dhe reagime të shumta deri në protesta e trazira.

https://p.dw.com/p/2lD0m
Symbolbild Justiz Richter Gericht Richterhammer
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Prokuroria e Maqedonisë për shkak të fakteve kontestuese në aktakuzë në rastin "Monstra”, propozon që të ndërpriten vendimet e shkallës së parë dhe të Gjykatës së Apelit dhe të fillojë hetimi i ri duke pasur parasysh faktet e palës mbrojtëse. Prokurorja e lëndës, Liljana Spasovska, ka thënë se për shkak të fakteve të reja vendimet e shkallës së parë duhet të anulohen dhe të nisë hetimi i ri për rastin "Monstra”. Spasovska propozon që pjesë e hetimit të ri të jenë edhe bisedat e përgjuara.

"Për shkak të fakteve të reja,  propozoj që të anulohen vendimet e shkallës së parë dhe të apelit dhe të nisë hetim i ri. Faktet duhen vlerësuar në mënyrë të drejtë. Duhen pasur parasysh edhe dyshimet, se për veprën në fjalë ekzistojnë edhe përgjime, gjë që problematizon vendimin aktual për këtë rast. Hetimi i ri duhet të argumentojë me fakte çdo konstatim të Prokurorisë Publike në aktakuzë”, ka deklaruar prokurorja Lijana Spasovska.

Avokati i të akuzuarve Gjorgji Nastevski thekson, se gjykata nuk ka pranuar më shumë fakte për të cilat ata si mbrojtje konsiderojnë se do të ndikojnë në gjykim gjegjësisht se do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve. Pala mbojtjëse beson se Gjykata Supreme do të japë vendim për rigjykim. Avokatët janë të bindur se hetimi i ri do ta zbardhë të vërtetën për këtë rast.

 "Besojmë se e vërteta po del në sipërfaqe pasi kemi të bëjnë me rast të montuar, për të cilin po flasim me dëshmi tani disa vite. Këta persona duhet të lirohen menjëherë nga burgu apo të zhvillohet një procesi i ri, ku do të shpallej pafajësia e tyre”, ka deklaruar avokati Naser Raufi.

Ivanova: Të gjenden dorasit e vërtet të masakrës

Edhe avokatja e palës së dëmtuar  Dafinka Ivanova kërkon që të gjenden k´dorasit e kësaj vepre,  duke shprehur kështu pakënaqësi për mënyrën e impelemtimit të ligjit në gjykimet e mëhershme. "Nuk është mirë që dikush i pafajshëm të qëndrojë në burg, nuk është mirë nëse të dëmtuarit, gjegjësit familjet t'i humbin fëmijët e tyre, megjithatë duhet të gjenden dorasit e vërtetë. Dua të them se Gjykata Faktit dhe ajo e Apelit, kishin qasje dhe zbatim të ndryshëm të ligjit”, vlerëson avokatja e palës së dëmtuar Dafinka Ivanova.

BDI kërkon rigjykim edhe të rasteve të tjera gjyqësore

Sundimi i ligjit në Maqedoni po merr trajtën e duhur dhe të drejtë, ka thënë deputeti i partisë shqiptare ne koalicionin qeveritar BDI Artan Grubi.
"Ky është vendimi i vetëm i duhur prandaj inkurajojmë gjykatën Supreme që të marë vendimin e menjëhershëm për rigjykim transparent të rastit dhe të lirojë njerëzit nga burgu pa asnjë ditë vonesë. Ky proces duhet të vazhdoj edhe për rastet e tjera të kontestuara si Sopoti, Lagja e Trimave dhe të tjera”, ka deklaruar Grubi.

Kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski thotë se do të analizohen ankesat e mbrojtjes dhe propozimi i organit të akuzës. Gjykata Supreme nuk ka afat të caktuar se deri kur duhet të prononcohet për kërkesën e prokurorisë.

Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012 me burg të përjetshëm u dënuan gjashtë persona: Halil Demiri, Haki Azir, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq.

Rasti i koduar si "Monstra” për shkak të natyrës së vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, ka nxitur reagime të shumta si protesta e trazira para institucioneve të drejtësisë. Zbardhjen e këtij rasti në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut