1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet për dalje nga kriza duhet të intensifikohen

Fatos Musliu7 Korrik 2016

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinës, pastrimi i listës zgjedhore dhe reformat në media ishin kërkesat kryesore të shtruara në tavolinën e bisedimeve nga i dërguari special i Gjermanisë, Johanes Hajndl.

https://p.dw.com/p/1JLN3
Mazedonien Anti-Regierungsproteste Johannes Haindl zu Besuch in Skopje
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Maqedonia nuk ka kohë për të humbur, është e nevojshme që sa më shpejtë të gjendet zgjidhje për krizën politike. Ky është një konstatim i përbashkët që ka dalë pas realizimit të takimeve të veçanta të të dërguarit special gjerman Johanes Hajndël me prfaqësuesit e katër partive nënshkruese të Marveshje së Përzhinës. Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinës, pastrimi i listës zgjedhore dhe reformat në media ishin kërkesat kryesore të shtruara në tavolinën e bisedimeve nga i dërguari special i Gjermanisë, Johanes Hajndl.

Reformat si parakusht për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Nga përfaqësuesit e partisë në pushtet VMRO-DPMNE diplomatit gjerman i është premtuar se zgjedhjet do ta nxjerrin vendin nga kriza e rëndë politike.

"Zgjedhjet janë të pranueshme, të dëshiruara dhe zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës politike. Por duke u bazuar në përvojat paraprake dhe sjelljen e LSDM-së, ajo duhet të jetë pa nxjerrje të pabazë në ankand të termineve të reja, të cilat më vonë do të anulohen", thuhet në kumtesë e VMRO-DPMNE-s.

Kryetari i BDI-s Ali Ahmeti është interesuar për zgjidhjen e ngërçit politik. Sipas tij, BDI është e gatshme të ndihmojë që kriza të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur, që më pas të organizohen zgjedhje të lira dhe të pranueshme nga të gjitha palët.

“BDI është e interesuar që çështjet e mbetura të zgjidhen sa më shpejtë dhe reformat të zbatohen me qëllim të realizimit të zgjedhjeve gjithpërfshirëse. Fokusi gjatë takimit është vënë në pastrimin e listës zgjedhore dhe mediat, si parakushte për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Opozita pesimiste për mbylljen e krizës

Lideri i opozitës, kryetari i PDSH, Menduh Thaçi shprehet pesimist për zhbllokimin e ngërçit politik në dhjetë ditët në vazhdim. Sipas Thaçit, Hajndel e vlerëson procesin të ngecur në pikën zero.

"Bashkësia ndërkombëtare vlerëson se kemi ngecur në vend. PDSH vlerëson se përkundrazi jemi duke u fundosur në proces dhe procesi shkon mbas. Edhe këtë herë nuk dua të shprehem pesimist, por sinjalet kanë filluar të vijnë, sanksionet e ndryshme ekonomike që vijnë prej BE dhe mungesa e investimeve. Fatkeqësisht këtë çmim do ta paguajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ka deklaruar Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-s. Sipas tij mbetet e hapur mundësia e formimit të qeverisë teknike me përfshirje në te edhe të partisë opozitare shqiptare PDSH.

Zaev: Pasojat e krizës po ndihen

Në takimin midis liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev dhe Johanes Hajndl është konstatuar se Maqedonia ka filluar të ndiejë pasojat e para të zgjatjes së krizës dhe se palët do të duhet të tregojnë iniciativën e tyre për çështjet e hapura, ndërsa me këtë edhe vullnetin për zgjedhje të lira dhe demokratike. Pastrimi i lisës zgjedhore dhe reformat në media mund të realizohen vetëm me vullnet politik, është shprehur Zaev.

“Edhe për Listën zgjedhore edhe për mediat është e mundur marrëveshje në ditët e ardhshme, nëse ekziston për të vullneti politik, sepse në tryezë janë hapa konkrete tenike që duhet të bëhen, të cilat mund edhe të mos varen nga partitë politike”, ka thënë Zaev.

Ndërkombëtarët aktivë në zgjidhjen e krizës

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav pas takimit me ndërmjetësuesin gjerman për Maqedoninë, Johanes Hajndl, deklaroi se çdo ditë e humbur për vendin është e dëmshme. Ai shpreson në një takim të radhës mes katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos.

“Besoj se kjo vizitë do të ketë ndikim në zhvillimet. Javën e kaluar ne, së bashku me ambasadorët e vendeve anëtarë në BE, dolëm me një qëndrim dhe nuk ishte vetëm sa për të dalur me qëndrim. Ne kërkuam që partitë politike ta aplikojnë marrëveshjen sa më shpejt që mundet. Shpresoj se do të ketë takim, ku katër partitë do të ulen përsëri së bashku dhe të ecin përpara”, ka theksuar Orav.

Diplomati gjerman Johanes Hajndl gjatë qëndrimit në Shkup është takuar edhe me Katica Janevën, kryetare e prokurorisë speciale e cila shqyrton lëndët për krime dhe parregullsit zgjedhore te dala nga afera e përgjimeve.

Në Shkup do të vijë të hënën ndihmëssekretaraja shtetërore e SHBA-së për çështje evropiane dhe aziatike, Viktorija Nuland. Nuland do të bisedojë me liderët e partive politike për zgjidhjen e krizës politike, përkrahjen e punës së Prokurorisë Speciale dhe krijimin e kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike.