1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni : Decentralizimi me probleme

18 Shkurt 2010

Bartja e kompetencave nga pushteti qendror në atë lokal në Maqedoni po përcillet me një varg problemesh, të cilat po shkaktojnë pakënaqësi të qytetarëve. Ata kanë humbur shpresat për decentralizim të mirëfilltë.

https://p.dw.com/p/M4lG
Ohri
OhriFotografi: Petr Stojanovski

Lagje pa kanalizime, rrugë të pa asfaltuara, mungesë ndriçimi, trotuare të shkatërruara, mungesë parkingjesh, janë vetëm disa nga problemet që kanë qytetarët në Maqedoni. Qytetarët por edhe kryetarët e komunave pranojnë, se procesi i decentralizimit po përballet me një sërë problemesh. “Autoritetet lokale angazhohen vetëm për të mbushur gropat në rrugë apo të pastrojnë ndonjë mbeturinë në parqe. Ata asgjë nuk po bëjnë për përmirësimin e kushteve të jetës në komunë,” thotë Vllatko Ilievski.

Shëtisim nga një institucion në tjetrin

Lumturije Hajro banon në lagjen e Çairit. Ajo aspak nuk është e kënaçur me shërbimet e administratës lokale, për marjen e një dokumenti nevojiten me muaj të tëra, thotë ajo. “Jo kalimi i plotë i kompetencave nga pushteti qendror në ate lokal bën që ne të shëtisim nga një institucion në një institucion tjetër. Në komunë na thonë se duhet të drejtohemi në institucionet shtetërore qendrore, ndërsa atje na thonë se kompetancat i kanë autoritetet lokale”.

Manastiri Shën Jovanit
Manastiri Shën JovanitFotografi: MIA

Igor Stojçevski nga komuna e Kisella Vodës, thotë se deri më tani nuk ka patur rastin të takojë asnjëherë kryetarin e komunës, ata janë të mbyllur dhe jotransparentë me qytetarët. “Gjatë tetë viteve kishim dy kryetarë komunash, njërin se takova asnjëherë ndërsa kryetarin aktual e kam parë vetëm një herë gjatë fushatës elektorale. Nuk kemi kujt t`i drejtohemi për problemet tona,” thotë Stojçevski.

Pushteti qendror kujdeset pak për ne

Kryetarët e komunave thonë se ankesat e qytetarëve janë të drejta, por për mosgjidhjen e problemeve të tyre ata fajësojnë pushtetin qendror, sepse mosbartja e kompetencave rezulton me mosfunksionimin e pushtetit lokal. Kryetari i Komunës së Haraçinës Basri Bajrami, thotë se Komuna të cilën drejton numëron rreth 16 mijë banorë, ndërsa në administratën komunale janë të punësuar vetëm 7 persona. “Pushteti qendror shumë pak kujdeset për ne, kemi komuna të bllokuara. Edhe unë i takoj asaj Komune që ende nuk kemi hyrë në fazën e dytë të decentralizimit, sepse Komuna ka shumë borxhe”.

Shkupi
ShkupiFotografi: AP

Stevçe Jakimovski është kryetar i Komunës së Karposhit. Mungesa e komunikimit midis pushtetit qendror dhe atij lokal rezulton me probleme serioze në gjetjen e investitorëve, që do të ndihmonin në realizimin e projekteve komunale. “Shitja e truallit është në duar të pushtetit qendror. Ne kemi bërë planin urbanistik për ndërtimin e një lagje të re në Komunën tonë, por si të gjejmë investitorë kur kemi probleme me pronësinë e truallit,” thotë Jakimovski.

Adminstrata lokale duhet të ketë më shumë pushtet

Memedali Jusufi është banor i Gostivarit. Kryetarët e Komunave duhet të kenë më tepër kompetenca sepse në të kundërtën nuk mund t`i realizojnë premtimet që i kanë dhënë qytetarëve. “Vështirë shkon procesi i decentralizimit, asnnjë qeveri vullnetarisht nuk heq dorë prej ingerencave dhe në këtë aspekt, kryetarët e Komunave ballafaqohen me probleme."

Vesna Shkortova, eksperte për vëzhgimin e bashkëpunimit të Komunave me pushtetin qendror vlerëson, se pushteti lokal i njeh më mirë problemet e banorëve andaj ajo i apelon qeverisë që të jetë më e kujdesshme për problemet e qytetarëve. “Zgjidhja e problemeve në nivel lokal është treguar si model i suksesshëm në vendet e Evropës perendimore andaj, ai duhet të aplikohet edhe tek ne. Qytetarët shumë më shpejtë mund të marrin përgjigje për problemet e tyre në Komunë, se sa në ndonjë institucion të pushtetit qendror, “ thotë Vesna Shkortova.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama