1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: E nevojshme nënshkrimi i një marrëveshjeje të re

Fatos Musliu14 Gusht 2012

Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, si dokument paqësor mbetet prioritet i qeverisë së Maqedonisë. Por, analistët dhe partitë opozitare shqiptare vlerësojnë se kjo marrëveshje po realizohet me vështirësi.

https://p.dw.com/p/15pAZ
James Pardew dhe Francois Leotard duke folur me Lord Robertson, Shkup, 20 korrik 2001
James Pardew dhe Francois Leotard duke folur me Lord Robertson, Shkup, 20 korrik 2001Fotografi: AP

Para 11 viteve Maqedonia u ballafaqua me rrezikun e një lufte të përgjakur qytetare. Falë guximit dhe vizionit të liderëve politikë vendas dhe negociatave të kujdesshme të diplomatëve amerikanë dhe evropianë, u arrit nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, me të cilën u ndal lufta. Marrëveshja e Ohrit, në shumë aspekte paraqet marrëveshje historike, sepse mundësoi progresin e Maqedonisë drejt një shoqërie stabile multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, drejt qëllimit për integrim të plotë në komunitetin euroatlatnik. Edhe pse Marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili duhej të përfundonte në vitin 2004, implementimi i saj ende vazhdon në praktikë.

Profesori universitar Mersim Maksuti i drejton një vërejtje serioze politikanëve në pushtet dhe atyre në opozitë: ”Pse nuk kanë kërkuar më me ngulm nga faktori ndërkombëtar që të ndihmojë në implementimin sa më të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, sepse kërkesa për ndihmë është një detyrim në bazë të Marrëveshjes së Ohrit për faktorin ndërkombëtar,” thotë Maksuti.

Ushtria e Maqedonisë duke goditur Aracinovën, 23 qershor 2001
Ushtria e Maqedonisë duke goditur Aracinovën, 23 qershor 2001Fotografi: AP

Marrëveshja e Ohrit proces kombëtar

Kur flitet për Marrëveshjen e Ohrit, aty nuk duhet të ketë qasje, kahje apo ngjyrime politike, sepse ky dokument është një proces kombëtar, të cilin e kanë për obligim ta jetësojnë të gjitha subjektet politike. “Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, paraqet mundësinë e fundit për bashkëjetesën në këtë shtet. Prandaj politika shqiptare duhet ta ketë të qartë se përpjekjet e saj duhet t'i orientojë në funksion të zbatimit të saj," shprehet profesori universitar Mersim Maksuti.

Frosina Remenski, ligjëruese në Universitetin e Shkupit, thotë se Dokumenti i Ohrit është një garanci për funksionimin e një shteti multietnik dhe multikulturor, siç është Maqedonia. Duke pasur parasysh spektrin e gjerë të veprimit të Dokumentit të Ohrit, ai merret edhe si model për vendet e tjera të rajonit. Por, sipas Remenskës, Marrëveshja e Ohrit ende nuk është implementuar në tërësi në sistemin politik. “Procesi i decentralizimit të pushtetit është lënë pas dore. Gjithashtu kem edhe zhvillim të pabarabartë ekonomik dhe rajonal. Nga këtu shfaqet pakënaqësia e autoriteteve lokale që më pas ndikon në përkeqësimin e mardhënieve ndëretnike,"  thotë Remenski.

Dokumenti nuk është më pjesë e politikës ditore

Për analistët, shtyrja pafund e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, mund ta zhvlerësojë këtë dokument për nga rëndësia pasi marrëdhëniet shoqërore janë dinamike. Kanë mbetur edhe shumë ligje të cilat nuk janë të harmonizuara me këtë marrëveshje. “ Jo vetëm në pjesën e normativës, kemi të bëjmë me ngecjen në përfaqësimin në strukturat e administratës shtetërore dhe publike. Në këtë pako hyn edhe rehabilitimi i familjeve të viktimave, invalidëve të luftës dhe ata që pësuan qoftë në aspektin shpirtëror apo ekonomik, pasoja të cilat akoma nuk janë sanuar,” shprehet Naser Zyberi, një nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit.

Shkup, 2001
Shkup, 2001Fotografi: AP

Derisa partitë politike në pushtet, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit  e vlerësojnë si një kusht për antarësimin e vendit në strukturat euroatlantike, opozita shqiptare vlerëson se ky dokument është zhvlerësuar aq shumë nga politika ditore, saqë është e nevojshme nënshkrimi i një marrëveshjeje të re historike mes maqedonasve dhe shqiptarëve.