1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intensifikohen bisedimet për formimin e qeverisë

23 Shkurt 2017

Janë intensifikuar takimet e BDI-së dhe LSDM-së, për të harmonizuar qëndrimet nga platforma e përbashkët të partive shqiptare BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarë. Ky është parakusht për marrëveshje me LSDM për koalicion.

https://p.dw.com/p/2Y79i
Treffen zwischen Zoran Zaev und Ali Ahmeti
Fotografi: DW/V.Kalinski

BDI dhe LSDM shprehen optimiste lidhur me arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, por edhe çështjeve tjera që janë pjesë e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare po analizohen nga grupet e punës së dy partive.

Zaev: Jemi afër harmonizimit të qëndrimeve

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë se me Ahmetin kanë arritur të harmanizojnë qëndrimet për pjesën më të madhe të ligjit të ri për gjuhën, por për të arritur një marrëveshje finale nevojitet që grupet e punës të punojnë edhe në detajet e fundit që të mos lihet asnjë boshllëk për kontestimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese.

"Dëshira ekziston, dallimet janë të vogla dhe shpresoj se shpejtë do të arrihet marrëveshja. Duam të gjejmë zgjidhje të mirë, ligje me zbatim të mirë në praktikë dhe në funksion të Kushtetutës. Zgjidhja për përdorimin e gjuhëve do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Maqedonia kishte durim në gjithë këto ditët e fundit, mendoj se janë në pyetje disa ditë për marrëveshje”, ka deklaruar Zoran Zaev, duke theksuar se për miratimin e ndryshimeve të tilla nuk do të ketë nevojë për ndryshimin e Kushtetutës. Zaev thotë se për pikat tjera nga platorma e përbashkët e partive politike shqiptare që fituan mandate në përbërjen e re parlamentare, LSDM dhe BDI kanë qëndrime të njëjta, përfshirë edhe atë për buxhetin dhe shpërndarjen e barabartë të parave të shtetit apo për investime edhe në zonat e banuara me shqitparë.

"Në pjesën e BE-së dhe NATO-s, kemi qëndrime të përbashkëta sikur edhe për çështjen që ka të bëjë me vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale. Zgjidhje kemi gjetur për çështjet ekonomike, apo të barazisë ekonomike, për të gjitha rajonet e vendit, jo vetëm ato të një entiteti të caktuar. Do të ketë një trup kontrolli i cili para miratimit të buxhetit do t'i ketë parasyshë të gjitha aspektet për ndarjen e barabartë të buxhetit”, është shpreh Zoran Zaev kryetar i LSDM-së.

Mazedonien Sozialdemokratische Partei - Zoran Zaev
Zoran ZaevFotografi: DW/P. Stojanovski

Ahmeti : Zgjidhjet duhet të jenë të qëndrueshme

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur për afrimin e qëndrimeve me LSDM, por pa saktësuar nëse mund të flitet për një koalicion të ri me ate. Nevoja është shumë e madhe të ketë komunikim mes partive politike që janë të interesuara që vendi të jetojë në paqe dhe qetësi.

"Ne jemi për një zgjidhje të drejtë, të mirë dhe të qëndrueshme. Janë momente vendimtare që gjuha shqipe duhet të ketë statusin e merituar, status i cili buron edhe nga vet Kushtetuta e Maqedonisë, pra gjuhën të cilën e flasin mbi 20 % e qytetarëve është gjuhë zyrtare në këtë vend”, ka deklaruar Ali Ahmeti.

"Tani për tani nuk bëhet fjalë për ndërtime të koalicionit. Të gjitha takimet me LSDM kanë për qëllim të shihet se ku janë dallimet substanciale mes dy subjekteve politike, nuk dua të flas për pesimizëm", thotë Ali Ahmeti. BDI së shpejti do të ftojë organet drejtuese të partisë që të analizojë opsionet e paraqitura në opinion dhe të vendosë për opsionin më të pranueshëm dhe të realizueshëm për vendin dhe për qytetarët.

Projektligji avancon përdorimin e gjuhës shqipe

Mazedonien Demokratische Union für Integration - Ali Ahmeti
Ali AhmetiFotografi: DW/P. Stojanovski

Profesori i të drejtës kushtetuese Osman Kadiu, i cili është konsultuar si ekspert juridik gjatë hartimit të projektligjit për gjuhën shqipe thotë se drafti mundëson avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në jetën publike dhe politike në Maqedoni.

"Vërehet një lloj avancimi juridik sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në draftin e propozuar nga partitë shqiptare. Unë do të theksoja në veçanti disa risi: disponimin e palës maqedonase që kryesuesi në seancat plenare të parlamentit, nëse është shqiptar, t'i kryesojë seancat në gjuhën shqipe. Në qeveri parashihet që anëtarët shqiptarë të kabinetit të mund të flasin në gjuhën shqipe. Një risi të veçantë kemi edhe për noterët, në ato noteri ku janë shqiptarë dhe nëse palët janë shqiptarë, me kërkesë të palës, noteri lëshon dokumenta në gjuhën shqipe”, thotë Kadriu.

Analisti Petar Arsovski vlerëson  se stërzgjatja e bisedimeve ndodh për shkak të mospajtimeve që kanë dy partitë rreth ligjit për gjuhën shqipe. "Stërzgjatja e bisedimeve bën me dije se ekziston një mospajtim apo më sakt, nuk janë përputhur akoma qëndrimet e BDI-së dhe LSDM-së, së paku për ligjin për gjuhët. Mendoj se kjo periudhë për BDI-në do të jetë sfiduese në disa apekte. Jo vetëm nga paketa që ka dërguar tek LSDM-ja, sepse pa marrë parasyshë rezultatet e negociatave me LSDM-në , në fund ata duhet t'i sqarojnë opinionit  pse kanë pranuar paketë më të keqe me VMRO-në  dhe eventualisht kanë refuzuar paketën më të mirë të LSDM-së”, thotë  Petar Arsovski.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut