1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Listat e kandidatëve për deputetë - lista partiake

17 Nëntor 2016

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve verifikoi listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 11 dhjetorit, ku përfshihen 11 parti dhe koalicione zgjedhore për të siguruar 120 vende në parlamentin maqedonas.

https://p.dw.com/p/2SqPk
Mazedonien Parlament in Skopje
Fotografi: picture-alliance/AA/B. Ademi

Beteja kryesore tek partitë maqedonase do të zhvillohet në njësinë e katërt zgjedhore, ku bartës të listave të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së janë liderët partiak, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev. Sa u përket partive politike shqiptare, beteja kryesore do të zhvillohet në njësinë e gjashtë zgjedhore ku garojnë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, i PDSH-së Menduh Thaçi, i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe Aleancës për shqiptarët Zijadin Sela. Tre vende janë caktuar për diasporën, por jo detyrimisht do të ketë tre të zgjedhur, pasi kjo varet votuesit. Zgjedhjet mbahen në gjashtë njësi zgjedhore dhe në çdo njërën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë.

Valdet Xhaferi nga BDI thotë se në lista janë përzgjedhur njerëz profesionistë të lëmive të ndryshme. "Kandidatët e BDI-së kanë potencë dhe performancë të jashtëzakonshme për të paraqitur platformën e BDI-së edhe në ekzekutiv, por edhe në legjislativ. Brenda këtyre kandidaturave ka personalitete, të cilët nuk janë aktiv brenda jetës politke por ata janë cilësuar si profesionalisht të ngritur dhe janë pjesë e listave”, thekson Valdet Xhaferi nga BDI. Luan Tresi nga PDSH thotë se në lista kanë propozuar personalitete që do të bartin përgjegjësi për realizimin e platformës zgjedhore. "Ne kemi zgjedhur njerëz me të vërtetë cilësorë, që do të mund të bartin mbi supe përgjegjësinë për ta drejtuar shtetin në të ardhmen drejt një perspektive dhe një sundimi të ligjit”, shprehet Luan Tresi nga PDSH.

Listat e kandidatëve në shënjestër të opinionit

Zyrtarizimi i listave të kandidatëve të mundshëm për deputetë nga partitë politike garuese në zgjedhjet e 11 dhjetorit, ka hasur në kritika të ndryshme tek analistët politik. Profesori universitar Isak Sherifi thotë se asnjëra nga dy partitë më të mëdha shqiptare nuk ofroi lista qytetare. "Koha dëshmoi se më shumë flitet për lista partiake, për njerëz të dëgjueshëm partiak se sa për lista të tjera në nivel të subjekteve politike. Është fatkeqësi kjo, në vend që listat të kombinohen edhe nga njerëz që nuk janë marrë me politikë. Ky është një hendikep të paktën tek partitë politike shqiptare” vlerëson profesori Isak Sherifi.

Kritikat e ekspertëve

Opinionisti Alajdin Demiri ndalet para së gjithash tek partitë e mëdha, të cilat sipas tij vazhdojnë të dominojnë skenën politike dhe të aktrojnë për gjoja përfshirjen e kuadrove të rinj në lista. "Këta liderë duke dashur që t'i shmangin stereotipet, se gjithnjë janë të njerëz në lista, i kanë larguar disa e të tjerë i kanë afruar. Por problemi është se edhe ata që i afruan janë të ngjashëm me atributet që do të thotë janë servil, të dëgjueshëm, dhe që nuk do të kundërshtojnë asnjëherë”, vlerëson Demiri.

Mazedonien Skopje - Proteste der NGO's vor dem Parlament
Protesta para parlamentit maqedonasFotografi: DW/K. Ozimec

Partija opozitare maqedonase LSDM hyn në garën zgjedhore me listë të re të kuadrove, por bartës të listave janë sërish figurat kyçe të partisë, thotë analisti Vlladimir Bozhinovski. "Partitë po bëjnë përpjekje për të treguar se po bëjnë ndryshime me kandidaturat e tyre, se po sjellin freski apo se disa më të vjetër i lëshojnë vendin kuadrove të rinj. Por kjo nuk do të thotë se ata do të anashkalohen në tërësi, pasi mund të jenë sërish pjesë e partisë në pushtetin ekzekutiv”, shprehet Bozhinovski.

Mungesë profesionistësh

Analisti Petar Arsovski thotë se partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE ishte e detyruar në ndryshime për shkak të reagimeve në opinion pas aferës së përgjimeve. "Duket se VMRO ka bërë përpjekje për të freskuar listat me personalitete të reja, përveç liderit, i cili vazhdon të qëndrojë në krye të listave partiake. Vlerësoj se reagimi i opinionit ka ndikuar në listat e kësaj partie pasi pjesa më e madhe e atyre që janë nën hetime nga prokurorija speciale nuk janë në listat për deputet”, thotë Arsovski. Ndërsa gazetari Besim Iljazi kritikon. se në krye të listave janë persona të besueshëm të partisë e jo profesionistët për të rritur nivelin e debatit në përbërjen e re parlamentare. "Partitë përsëri i kanë zgjedhur personat e besueshëm në listat zgjedhore. Ajo që dua unë është që të më përfaqësojë një deputet profesional, një ekonomist, i cili do të dijë të flasë për politikat makroekonomike, një jurist i cili do të dijë të flasë për ndryshimet ligjore. Është më se e vërtetë se tek të dyja subjektet politike mungojnë profilet profesionale”, shprehet Iljazi.

Gjendja politike në Maqedoni dhe përcaktimi për pranimin e vlerave evropiane kërkojnë që në listat për deputet të mos ketë kandidat që janë në konflikt me ligjin. Norma ligjore në fuqi nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar profilin e politikanit, thotë Margarita Caca-Nikollovska , eksperte juridike. "Duke marrë parasysh gjendjen politike, në të cilën ndodhet shteti, ky rregullim ligjor duhet lënë anësh, dhe duhet kushtuar më shumë kujdes asaj që nënkupton obligim moral si politikan. Fushata elektorale e partive zgjat nga 20 nëntori deri më 9 dhjetor. Për shkak të krizës së rëndë politike, zgjedhjet e 11 dhjetorit vlerësohen si më të rëndësishmet që nga pavarësia e Maqedonisë.