1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Presidenti kërkon kushte për mandatimin e qeverisë

3 Shkurt 2017

Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, nuk e mandatoi opozitën për krijimin e qeverisë duke deklaruar, se ka vendosur kushte për mandatimin për qeverisje. Kjo deklaratë e tij ka ngjallur mjaft reagime.

https://p.dw.com/p/2Wwus
George Ivanov von VMRO DPMNE
Fotografi: Petr Stojanovski

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në deklaratën drejtuar opinionit tha, se mandatin për formimin e qeverisë së re do ta marrë partia ose koalicioni që do të dëshmojë, se ka siguruar 61 mandate. Por i mandatuari, sipas presidentit, duhet të plotësojë paraprakisht dy kushte, në programin e tyre të kenë dy prioritete kryesore: mbrojtjen e interesave shtetërore ç'ka nënkupton ruajtjen e karakterit unitar të shtetit si dhe reforma sistematike e gjithërfshirëse pas krizës që kaloi vendi Maqedonia.

LSDM: Ivanov shkel kushtetutën

Presidenti George Ivanov është duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ai duhet të japë llogari, thotë zëdhënësi i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Petre Shilegov: "Geoorge Ivanov nuk ka të drejtë ta bëjë këtë diskriminim politik. Ai ia dha mandatin Nikolla Gruevskit duke mos kërkuar nënshkrim nga 61 deputetë dhe duke mos e kushtëzuar me program. Kështu që nuk ka të drejtë as liderit të LSDM-së, Zoran Zaev t'ia kërkojë këtë. Kjo është një shkelje e pa tolerueshme e Kushtetutës nga ana e Ivanovit", shprehet Shilegov.
Partitë shqiptare ende të pavendosura, disa preferojnë Zaevin

Bashkimi Demokratik për Integrim i është rikthyer konsultimeve partiake lidhur me pozicionin e partisë pas takimit me presidentin Ivanov. Nga BDI thonë se të gjitha opcionet janë ende në tryezë. Dy partitë e tjera lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për Zaevin. Orhan Murtezani nga BESA thotë, se përkrahja ndaj Zaevit për marrjen e mandatit duke mbledhur 61 nënshkrime nuk nënkupton që ata me automatizëm do të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Aleanca për Shqiptarët është e gatshme që t'ia japë nënshkrimet atij mandatari, i cili nuk ka qasje refuzuese ndaj deklaratës së përbashkët të partive politike, gjegjësisht ky parim vlen edhe për mandatarin eventual nëse është ai i LSDM-së Zoran Zaev.

"Ne jemi të gatshëm të përkrahim qeverisjen vetëm me disa kushte, të cilat janë pjesë e deklaratës por fillimisht do të kërkojmë që të votohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe mandej do të përkrahim qeverisjen", ka deklaruar Flakron Bexheti nga Aleanca për shqiptarët. Të heshtur vazhdojnë të mbeten dy deputetët e PDSH-së.

Ekspertët: Presidenti Ivanov tejkalon kompetencat

VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të reja, përderisa LSDM dhe partitë shqiptare presin që presidenti Ivanov të bëjë atë që i takon sipas Kushtetutës dhe t'i jap mandatin partisë së dytë për ta formuar qeverinë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë, se partitë e tjera nuk duhet të bien në grackën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, vetëm pse kjo e fundit dështoi në formimin e qeverisë.

Profesor Bekim Kadriu thotë, se presidenti Ivanov nuk mundet që të përcaktojë përmbajtjen e programit të qeverisë së ardhëshme e asesi të kushtëzojë mandatarin e ri. Ai ka për detyrë vetëm t'ia besojë mandatin atij që do të sigurojë shumicë parlamentare e asgjë më tepër. "Tregon qasje skajshmërisht selektive. Ai i tejkalon kompetencat e tij kushtetuese duke mos e respektuar parimin e qartԹ të ndarjes së pushtetit. Sipas Kushtetutës Ivanov nuk ka mundësi të parashikojë dhe të imponojë kushte të caktuara për mandatarin e ardhshëm", thekson Kadriu

Analisti politik, Petar Arsovski, thotë se presidenti Ivanov me qëndrimin e tij nuk ofroi dalje nga kriza, po thellim të saj. "E futi Maqedoninë në krizën më të madhe politike. Ai është skajshmërisht joparimor dhe sjell vendime selektive. Mendoj se presidenti Ivanov duhet të japë dorheqjen ose atij t'i inicohet impeachment, pra të shkarkohet", thotë Arsovski

Politologu Bashkim Bakiu vlerëson se shkuarja në zgjedhje të parakohshme krijon situata të paparashikushme. "Zgjedhjet e parakohshme janë shpëtim vetëm i VMRO-DPMNE-së konkretisht kthimi i Gruevskit prandaj ky opcion duhet eliminuar nga agjenda politike shqiptare. Nga ana tjetër kemi LSDM me Zaevin, që përkrah funksionimin e PSP-së dhe mund të inkorporohet platforma shqiptare. Kjo situatë duhet shfrytëzuar", vlerëson Bashkim Bakiu.

Profesor Lubomir Frçkovski thotë se Presidenti George Ivanov nuk mund të vlerësojë programe partiake për arsyen se nuk ka kompetenca të tilla kushtetuese.  "Një nga punët më delikate në kushtetutat e shteteve liberale është balancimi i forcave dhe ndarja e pushtetit. Në këtë rast kjo nuk është punë e presidentit, kjo është punë dhe detyrim i parlamentit. Ivanov i merr me kokën e vet kompetencat e parlamentit", shpjegon profesor Frçkovski.

Vetëm me vullnet politik mund të tejkalohet kriza

Situata politike në Maqedoni ende është e rënduar dhe është i nevojshëm vullneti politik që të dilet nga ajo, ka thënë Christine Altahauser, Ambasadore e Gjermanisë në Shkup. "Situata politike në Maqedoni ende është e rëndë, ndërsa vullneti politik është gjithmonë një parakusht për një përparim politik. Në këtë kontekst presim që haptazi presidenti Ivanov t'i pranojë qëndrimet e të gjitha partive politike. Ne do të vazhdojmë t'i përkrahim proceset e reformave në vend për më shumë kushte të mira demokratike", ka theksuar Altahauser.

Rusia konstaton thellim serioz të krizës politike në Maqedoni dhe ndikim të fuqishëm të jashtëm, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse lidhur me situatën në Maqedoni. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kontribuan për zgjidhje të situatës.

"Vazhdon ndikimi i thellë i jashtëm ndaj forcave politike në Maqedoni, me qëllim që Perëndimi t'i shmangë politikanët maqedonas, të cilët nuk i pëlqejnë pavarësisht vullnetit të shprehur qartë në zgjedhje nga qytetarët në dobi të koalicionit", për një Maqedoni më të mirë". Manipulimi i paturpshëm makiavelist me vullnetin e votuesve mund të shkaktojë përshkallëzim të gjendjes në Maqedoni dhe ta prishë stabilitetin e brishtë në të gjithë rajonin", thekson Ministria e Jashtme ruse.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut