1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: protesta e indinjatë ndaj vendimit të presidentit

Fatos Musliu13 Prill 2016

Vendimi i Presidentit të Maqedonisë për faljen e politkanëve në proces nga Prokuroria Speciale ka shaktuar reagime brenda dhe jashtë vendit. vendimi i tij konsiderohet i njëanshëm dhe jashtë normave ligjore.

https://p.dw.com/p/1IUor
Mazedonien Proteste in Skopje
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Vendimin e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve që janë nën hetimin e Prokurorisë Speciale, duke reguar e shokuar partia opozitare LSDM e cilësoi si një grusht shteti. Lideri i opozitës Zoran Zaev theksoi: “Ky është tentim për të shpëtuar nga krimi dhe korrupsioni i politikanëve ndaj shtetit. Ivanov u bë pjesë e krimit. nga dita e sotme nuk ekziston shteti i së drejtës. Me këtë vendim e varrosën Marrëveshjen e Përzhinës. Kërkojmë nga Ivanov të japë dorëheqjen”, ka deklaruar Zoran Zaev, duke kërkuar që kriminelët duhet të përgjigjen për krimet e kryera. Ai theksloi, se asnjëherë nuk do të pranojë amnesti për vete nisur nga fakti se nuk ndihet fajtor. “Nuk kërkoj dhe nuk pranoj amnesti. Nuk jemi të gjithë njëlloj dhe nuk jemi të presidentit"

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka kundërshtuar vendimin e Ivanovit, duke theksuar se ky vendim nuk do ta zgjidhë krizën politike.Vendimi është i nxituar, i pamenduar fare dhe si një vendim i tillë nga një i ashtuquajtur president jolegjitim nuk ka legjitimitet, nuk mendoj se e ndihmon zgjidhjen e krizës dhe fare nuk kemi biseduar si katër parti politike, që kemi arritur marrëveshjen e Përzhinës”, vlerëson kryetari i BDI-s Ali Ahmeti.

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, vendimin e presidentit Ivanov e ka cilësuar si absurditet, përmes të cilit suspendohet sistemi juridik në Maqedoni.

Kundër vendimit të presidentit Ivanov është shprehur dhe partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

“Qendrimi i VMRO-DPMNE-së është që njerëzit që kanë mbajtur peng Maqedoninë për një vit e gjysmë, që kanë thyer ligjet dhe institucionet e shtetit, patjetër duhet të përgjigjen”, theksohet në reagimin eVMRO-DPMNE-së.

Kërkohet seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit

Lidhja Demokratike kërkon mbajtjen e mbledhjes së jashtzakonshme të Parlamentit dhe do ta ftojë presidentin Gjorge Ivanov që ta shfuqizojë vendimin për falje. Lidhja Demokratike i fton deputetët që të fillojnë procedurë për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme. Nga Lidhja Demokratike theksojnë se në përputhje me Kushtetutën mbajtje të mbledhjes së jashtzakonshme mund të kërkojnë 20 deputetë, ku më pas Kryetari i Kuvendit është i detyruar që të thërrasë seancë plenare, thuhet në kumtesën e LD-së.

Ndërkombëtarët të shqetësuar për situatën në Maqedoni

“Vendimi i presidentit Ivanov për faljen e disa funksionarëve ka shkaktuar shqetësim serioz. Ky veprim po bëhet në kohën kur të gjitha partitë duhet të gjejnë mënyrë për zbatimin e Marrëveshjes Politike të Përzhinos (për zgjidhjen e krizës politike). U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t'iu ikin rreziqeve që i shembin përpjekjet disavjeçare të shtetit, që me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, synon ta përforcojë sundimin e së drejtës”, theksohet ndër të tjera në reagimin e Bashkimit Evropian.

Qeveria gjermane mbi deklaratën e presidentit të Maqedonisë
Qeveria Federale e Gjermanisë është thellësisht e shqetësuar për deklaratën e presidentit të Maqedonisë Gjorgji Ivanov më 12 prill 2016.

“Ne presim, që të respektohet nga të gjitha palët shteti ligjor. Ne shpresojmë, që gjendja në shtet dhe në shoqëri të mos përshkallëzohet më tej në aspektin juridik e politik dhe që të ruhet siguria e brendshme. Qeveria Federale shpreson gjithashtu në një sqarim të shpejtë të çështjeve juridike dhe politike, që rrjedhin prej deklaratës së presidentit të shtetit. Eshtë me rëndësi të veçantë, që prokuroria speciale, ashtu siç është përcaktuar në marëveshjen e Përzhinos, të mund të vazhdojë e papenguar punën e saj, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për stabilizimin institucional të sistetim shtetëror, që vlerësohet nga një pjesë e madhe e shoqërisë maqedonase dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Gjithashtu të gjitha partitë duhet të përforcojnë përpjekjet për të krijuar kushtet minismale për zgjedhje që t'u përgjigjen standardeve europiane.“, theksohet në deklaratën e qeverisë së Gjermanisë.

Ambasadori i SHBA-së në SHkup Jess Baily reagoi gjithashtu me tone kritike:
“Falja pa mbaruar procesi gjyqësor i mbron politikanët e korruptuar dhe bashkëpunëtorët e tij. Lëreni Prokurorinë Speciale ta bëjë punën e saj”.

Qytetarët në protesta

Disa qindra qytetarë, në mbështetje të organizatave joqeveritare dhe duke brohoritur “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, “kriminelët pas hekruave” mbrëmjen e së martës (12.04), për më shumë se pesë orë, kanë protestuar kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë. Protesta ka vazhduar para Qeverisë së Maqedonisë, ku protestuesve u është bashkangjitur lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Situata u tensionua kur forcat policore i penguan protestuesit të afrohen para selisë së partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, nga radhët e së cilës është zgjedhur presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Organizatat joqeveritare, të cilave iu është bashkangjitur edhe opozita maqedonase, kanë paralajmëruar protesta në orët e vona të së mërkurës (13.04).