1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prioritet e qeverisë së re të Maqedonisë

Fatos Musliu10 Qershor 2014

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka dorëzuar në Parlament programin dhe përbërjen e qeverisë, e cila më 19 qershor do të votohet nga përbërja e re e deputetëve.

https://p.dw.com/p/1CFKb
Nikolla GruevskiFotografi: MIA

Sipas mandatarit për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, politikat qeveritare në 4 vitet e ardhëshme do të fokusohen në ekonomi dhe në proceset e integrimit, segmente këto që mbeten priorotet edhe i ekzekutivit të ri. Platforma qeveritare në vete ngërthen në masë të madhe premtimet parazgjedhore të partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI. Integrimet evropiane, tërheqja e investimevetë huaja, hapja e vendeve të reja të punës, ndihma e bizneseve vendore, bujqësia, arsimi, do të jenë në fokusin e prioriteteve qeveritare.

“Çdo gjë do të përqëndrohet në ekonomi, në integrimet evropiane, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Me mënyrën me të cilën kemi nisur të punojmë dhe të bëjmë për investuesit e huaj dhe të vendit, në periudhën e ardhëshme do të pasojnë hapje të vendeve të reja të punës që është një nga premtimet kryesore që kemi bërë gjatë fushatës zgjedhore”, është shprehur mandatari Gruevski.

Gruevski: Prioritet realizimi i premtimeve

Përveç vendeve të reja të punës dhe krijimit të kushteve të volitshme për investuesit, Gruevski ka paralajmëruar edhe një sërë lehtësirash për qytetarët që janë shfrytëzues të ndihmave sociale. Ai ka paralajmëruar edhe fillimin e realizimit të projektit me të cilin do të duhej të legalizohen një numër i konsiderueshëm i shtëpive dhe banesave. Me këtë masë të re të qeverisë, të gjithë shfrytëzuesit e ndihmës sociale do të mund të marrin elaborate falas për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

“Thonë se nëse dikush legalizon shtëpinë apo ndonjë objekt, mund të vijë në një situatë që mund të humbasë ndihmën sociale. Do ta mohoja në mënyrën më kategorike këtë gjë, sepse kjo nuk është e vërtetë. Ne kemi premtuar dhe kjo do të realizohet shumë shpejt që qytetarët të marrin falas elabporatet për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje”, është shprehur Gruevski. Nga ky projekt i qeverisë pritet të përfitojnë rreth 35 mijë qytetarë, të cilët janë shfrytëzues të ndihmave sociale.

Ali Ahmeti mazedonischer Politiker in Berlin
Ali Ahmeti, kryetari i partisë shqiptare BDIFotografi: DW/S.Padori-Klenke

Ahmeti : Eurointegrimi pa kompromis

Procesi i integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike është një nga prioritetet për të cilin më së shumti kanë rënë dakord partnerët e koalicionit. Pjesa më e madhe e projekteve të BDI-së që do të përfshihen në programin qeveritar, kanë të bëjnë pikërisht me çështjen e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

“Në shtator organizohet samiti i NATO-s. Ne do të punojmë në maksimum që diçka e mirë të ndodhë. Bëmë kompromis, u tërhoqëm nga një pikë e rëndësishme për shqiptarët që ka të bëjë me gjuhën shqipe me qëllim që të avancojmë rrugën euroatlantike të vendit”, është shpreshur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në Kongresin e tretë të partisë ku u rizgjodh përsëri në krye të BDI-së.

Çështja e emrit peng edhe i kësaj qeverie

Analistët për çështje politike dhe ekonomike thonë se qeveria e vjetër - e re, edhe më parë kishte rast të angazhohej në sferën e integrimit dhe ekonomisë ku mungojnë rezultatet konkrete, në veçanti në procesin integrues të vendit. Sipas analistit, Alajdin Demiri, programi qeveritar bën fjalë vetëm për angazhim deklarativ për të dëshmuar gjoja përkushtimin e qeverisë së re për të avancuar procesin e avancimit të vendit në NATO dhe BE. Ky objektiv vështirë mund të arrihet pa zgjidhjen e kontestit me Greqinë thotë Demiri.

“Mandatari nuk përmend në asnjë vend në prioritetet e qeverisë së re negociatat me Greqinë. Deri tani nuk ka pasur asnjë takim serioz me grekët për tejkalimin e problemit me emrin. Kjo platformë që karakterizohet me anashkalimin serioz të zhvillimit të negociatave, është platformë e mandatarit Gruevski dhe partisë së tij VMRO-DPMNE që të vazhdojë të mbijetojë”, thotë Demiri .

Në përbërjen e re të qeverisë janë propzuar 7 ministra pa portofol që do të angazhohen kryesisht në aspektet e zhvillimit ekonomik. Për analistin Sasho Klekovski, ky vendim i qeverisë ka të bëjë më shumë me plotësimin e ambicjeve të partive më të vogla që janë në koalicion qeveritar, sesa me një angazhim serioz të qeverisë së re në sferën e ekonomisë.

“ Në Maqedoni viteve të fundit mandatarët në përpjekje për të përfaqësuar bashkësi të caktuara etnike në Maqedoni “ zbulojnë” vende të reja të ministrave pa portfol. Kjo nuk ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të vendit, por thjesht për të realizuar premtimet që ju janë dhënë partnerëve të koalicionit”, vlerëson Sasho Klekovski.

Analisti Petar Arsovski thotë se qeveria e re do të jetë në thjerzën pak më të ashpër të qytetarëve sa i përket realizimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore. Edhe pse në platformat politike të të dy partive që formojnë koalicionin qeveritar shihet se ato janë përpjekur tu shmangen ndryshimeve më të mëdha, në të njejtat nuk shikohet ndonjë hap konkret se punët do të ecin më mirë se në të kaluarën

“ Resorët ministrorë janë ndërruar në mënyrë elegante mes partnerëve të koalicionit. Ndryshime reale në platformat politike mund të presim pas shtatorit , por nga kjo qeveri duhet të pritet shumë pak , respektivisht vazdhimin e politikës së deritanishme “, shprehet Arsovski.

Në kabinetin e ri qeveritar partia shqiptare BDI do të ketë dy zëvëndës kryeministra, atë për eurointegrime dhe zëvendëskryeministrin e angazhuar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, të Arsimit, të Eknonomisë, të Ekologjisë dhe ministrinë e Pushtetit lokal. Gjithashtu BDI ka edhe një ministër pa portfol. Platforma qeveritare dhe përbërja e re e qeverisë do të votohet më 19 qershor.