1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Zgjedhje presidenciale në kohë krize

Zoran Jordanovski/exh13 Prill 2014

Në vendin e vogël të Ballkanit do të zgjidhen një president dhe një parlament i ri. Si zgjedhësit ashtu edhe politika janë të përçarë thellë. Dhe në aspektin ekonomik Maqedonia është prapa Evropës.

https://p.dw.com/p/1BguN
Fotografi: MIA

Qytetarët e Maqedonisë po zgjedhin, ata kanë dalë sot (13.04.) në votime për të zgjedhur një president të ri të shtetit. Sipas sondazheve të insituteve të studimit të opinionit, nuk do të ketë fitimtar që në raundin e parë, pasi asnjë nga kandidatët nuk pritet të marrë shumicë absolute. Kandidatë me shanse të mira për raundin e dytë pas dy javësh, konsiderohen presidenti Gjorgje Ivanov nga partia nacional-konservatore në pushtet VMRO DPMNE dhe sfidanti i tij socialdemokrat (SDSM) Stevo Pendarovski. Ndërkohë që VMRO DPMNE po mobilizon kryesisht elektoratin e saj në zonat rurale të vendit, socialdemokratët i kanë mbështetësit kryesisht në qytete.

Një vend i pëçarë

Dy kandidatët dhe përkrahësit e tyre ndodhen në dy kampe armiqësore dhe me qendrime të papajtueshme. Ashtu si zgjedhësit maqedonas, edhe shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe etnike në vend, janë të përçarë. Ndërkohë që Bashkimi Demokratik për Integrim është pjesë e koalicionit aktual qeveritar, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) është në opozitë.

Të dy blloqet janë të përfshirë në një polemikë të fortë politike, në të cilën të dy kampet përballen si armiq të betuar dhe jo si kundërshtarë politikë. Një dëshmi paaftësie për demokracinë në vend, mendon politologu Petar Arsovski për Deutsche Welle: "Kur flitet për kundërshtarin politik kjo kthehet në një sulm, në fyerje dhe jo rrallë arrihet deri te shpifjet." Ngjashëm gjykojnë edhe vëzhgues të huaj për kulturën politike në ish republikën jugosllave: në një raport të vitit 2013 të organizatës joqeveritare Freedom House për situatën e demokracisë në Maqedoni, vendi cilësohet si "demokraci gjysmë e konsoliduar".

Nga fushata elektorale e VMRO DPMNE
Nga fushata elektorale e VMRO DPMNEFotografi: MIA

Mediet nën trysni

Një tjetër problem serioz që paraqitet në raportet e progresit të Komisionit të BE-së për Maqedoninë, është trysnia e vazhdueshme mbi mediet. Në renditjen aktuale të shoqatës Reporterë pa Kufij, vendi zë pozicionin 123 nga gjithsej 179. Në vitin 2009 vendi ndodhej ende në pozicionin 34. Gjatë viteve të kaluara gazetarë të caktuar investigativë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe janë dënuar me shumë vite burgim për gjoja "zbulim të informacioneve sekrete". Vdekja e një gazetari kritik është ende sot e pazbardhur.

Veç kësaj kanali televiziv kritik ndaj qeverisë A1 si dhe tre të përditshme u mbyllën nga autoritetet, pasi pronarët u akuzuan për parregullsi financiare. "Ka sulme shumë të ashpra, shumë të forta ndaj lirisë së shtypit në Maqedoni dhe ato shërbejnë për të frikësuar gazetarët shumë kritikë", thotë Christian Mihr, drejtor i Reporterë pa Kufij, në bisedë me DW.

Një nga kandidatët për president në Maqedoni, Stevo Pendarovski
Një nga kandidatët për president në Maqedoni, Stevo PendarovskiFotografi: Petr Stojanovski

Gjithçka ishte më e rëndësishme se ekonomia

Maqedonia përjeton aktualisht një fushatë të dyfishtë elektorale: paralelisht me balotazhin e mundshëm për postin e presidentit në 27 prill mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Kryeministri aktual, njëkohësisht kryetar i partisë në pushtet VMRO DPMNE, Nikola Gruevski, ka shanse të mira për t'u rizgjedhur. Në fushatën elektorale ai i referohet vazhdimisht arritjeve të qeverisjes së tij tetëvjeçare. Kështu p.sh. papunësia është ulur nga 39 në 28 për qind, janë hapur 1.200 vende të reja pune. Bujqësia është subvencionuar me gjithsej 590 milionë euro dhe në vend kanë hyrë investime të huaja direkte prej gati 2 miliardë eurosh. "Ne kemi realizuar më shumë nga sa kemi premtuar, më shumë nga të gjitha qeveritë e tjera", thekson Gruevski.

Opozita kritikon që njerëzit në Maqedoni janë varfëruar, vendi është një nga më të varfërit në Evropë. Të punësuarit fitojnë mesatarisht 350 euro në muaj, shteti është punëdhënësi më i madh. Papunësia është veçanërisht e lartë tek të rinjtë. Në të njëjtën kohë shumë para, qindra milionë euro, janë shpenzuar për projektin e kontestuar të ndërtimit Shkupi 2014. Në kryeqytet janë ngritur ndërtesa monumentale dhe monumente e statuja të panumërta, ndërkohë që mungojnë paratë e nevojshme urgjentisht për infrastrukturën e vendit.

"Ne duam një Maqedoni e cila u ofron një perspektivë për të ardhmen të rinjve, një vend me arsim cilësor, me një standard të lartë jetese, një vend të qytetarëve të lirë, me një drejtësi dhe medie të pavarura", kërkoi në fushatën elektorale Renata Deskoska, e cila është pjesë e udhëheqjes së socialdemokratëve në opozitë. Dhe kryetari i socialdemokratëve Zoran Zaev premton: "SDSM ofron një koncept të ri, ide të reja dhe zgjidhje për Maqedoninë", por nuk thotë konkretisht se çfarë.

Monumenti i Aleksandrit të Madh në Shkup
Opozita kritikon shpenzimet për monumentet pompoze në kryeqytetin maqedonasFotografi: picture-alliance/dpa

Pozicion pezull në politikën e jashtme

Të gjitha forcat politike në Maqedoni synojnë anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, për këtë në vend ka unitet të pazakontë qendrimesh. Por ka shumë vite që Maqedonia ka mbetur në vend në këtë drejtim. Greqia pengon integrimin euro-atlantik të Maqedonisë dhe kërkon ndryshimin e emrit si kusht për miratimin nga Athina. Këtë grekët e argumentojnë me pretendimet që sipas tyre Maqedonia mund të ngrinte për provincën greke me të njëjtin emër. Konflikti për emrin është unik në politikën ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë në këtë rast ka vendosur qartë në favor të Maqedonisë.

Komisioni Evropian prej vitesh në raportet e tij të progresit rekomandon fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë, e megjithatë integrimi i vendit në Perëndim ka ngecur në vend.