1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia me qeveri të re

29 Korrik 2011

Mazhoranca parlamentare me shumicë votash mbrëmë ka votuar për programin dhe përbërjen e re të Qeverisë. 70 deputetë kanë votuar pro qeverisë ndërsa 47 kundër.

https://p.dw.com/p/1260H
Kabineti i ri maqedonas
Kabineti i ri maqedonasFotografi: MIA

Me shumicë votash deputetët e parlamentit të Maqedonisë pas dy ditësh debati votuan për programin dhe përbërjen e re të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski.

Zhvillimi ekonomik, integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, sundimi i së drejtës , lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit , përforcimi i raporteve ndëretnike dhe implementimi i Marrëveshtjes së Ohrit do të jenë shtyllat kryesore të qeverisë së re, ka theksuar kryeministri Gruevski.

“Do të vazhdojmë ndërtimin e raporteve ndëretnike të bazuara në respekt reciprok.Çështjet etnike nuk duhet që të ia marrin forcën shoqërisë, ndërsa kornizë të jetë ligji dhe kushtetuta”.

Nga foltorja e parlamentit janë shprehur akuza të rënda midis pozitës dhe opozitës për programin dhe përbërjen e re të qeverisë. Deputeti i Lidhjes Social Demokrate opozitare, Igor Ivanovski, programin e ofruar të qeverisë për katër vitet e ardhëshme e ka vlerësuar si një manifest dhe ëndërr të parealizueshme të qeverisë. Ai ka shtuar se Gruevski i ka shitur interesat e maqedonasve për kolltuqe ministrore.

“Gruevski ka bërë këmbim të kolltuqeve për gjuhën, vende të ministrave për flamurin, tender dhe para për amnisti të kriminelëve”, vlerëson deputeti Igor Ivanovski.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti-Devaja thotë se programi qeveritar është në favor të qytetarëve shqiptarë si në aspektin e investimeve ekonomike, po ashtu edhe në aspektin politik.

“Qeveria e re, politikat e saj do t'i bazojë mbi partneritetin si formë bashkëpunimi. Qeveria e Maqedonisë e sheh perspektivën në modelin e shtetit multietnik, integrimit të bredshëm, kohezionit etnik dhe integrimit euroatlantik si qëllim që duhet arritur”, shprehet Ermira Mehmeti-Devaja.

Opozita parlamentare shqiptare, qeverinë e re e karakterizon si qeveri antishqiptare. Deputeti i PDSH-së Imer Aliu thotë se programi qeveritar diskriminon shqiptarët me ndarjen e buxhetit.

“Asgjë e re, asnjë shpresë se diçka do të ndryshojë në funksionimin e kësaj qeverie të re-të vjetër. Në pamundësi që të ofrojnë diçka të re për shqiptarët, këta që pretendojnë se i përfaqësojnë shqiptarët në këtë qeveri, tentuan të paraqesin disa projekte kinse të programit zgjedhor të tyre, por që në fakt të njetit mund ti gjesh në manifestin e VMRO-së”, shprehet deputeti Imer Aliu.

Në qeverinë e re, partia shqiptare BDI do të ketë pesë minista, dy zëvendëskryeministra dhe disa drejtori të rëndësishme.

Analistët presin nga qeveria e re që prioritet në veprimet e saj të mbetet zgjidhja e çeshtjes së emrit dhe integrimi ne strukturat euroatlantike.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi