1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia shkurton buxhetin për institucionet e pavarura

30 Gusht 2010

Shkurtimi i mjeteve financiare për institucionet e pavarura në Maqedoni do të ndikojë dukshëm në pavarsinë dhe efikasitetin e tyre. Vendimi kritikohet prej analistëve të pavarur.

https://p.dw.com/p/OzSY
Korrupsioni një prej sëmundjeve më të përhapura në Ballkan.Fotografi: dpa

Qeveria e Maqedonisë ka shkurtuar për gati 40 për qind buxhetet e institucioneve të pavarura. Komisioni antikorrupsion, Avokati i popullit, Prokuroria publike si dhe disa insitutcione të tjera kanë pësuar nga plani qeveritar për shkurtimin e buxhetit. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë apeluar tek bashkësia ndërkombëtare për ndërhyrje në këtë situatë, duke alarmuar se me shkurtimin e buxheteve synohet bllokimi dhe ulja e intensitetit të punës së tyre.

"Qeveria po përpiqet të na kontrollojë"

Kryetari i Komisionit për antikorupcion Ilmi Selami thotë se qeveria me çdo kusht po tenton të ketë kontroll ndaj institucioneve të pavarura të shtetit, të cilat kohëve të fundit kanë kritikuar dukuritë negative që janë rezultat i vendimeve të qeverisë. “Siç duken janë hapa të cilët shkojnë në drejtim të përpjkejeve që të mos dëgjohet zëri i këtyre institucioneve, të cilat më tepër janë në anën e popullit sesa në anën e qeverisë. Është kjo një tentativë që të ndërhyhet në një farë mënyre në pavarësinë e këtyre institucioneve “, thotë Ilmi Selami, drejtues i Komisionit antikorrupsion.

Nikola Gruevski Präsident Mazedoniens
Nikola GruevskiFotografi: DW/Musliu

Ekspertët kanë ngrit zërin e protestës lidhur me hapat e qeverisë që kanë të bëjnë me kushtëzimin financiar të institucioneve të pavarura.

Sllagjana Taseva është kryetare e asociacionit “ Transparencë-zero-korupsion”. Sipas saj, kur strukturat qeveritare pengojnë punën e Komisionit atëherë nuk mund të flitet për efikasitet drejt zhdukjes së kësaj dukurie në shoqëri.

Komisioni para pengesave

Komisionit për çdo ditë i vihet nga një barierë e re në punën e tij, ate dëshiron dikush t'a paralizojë, thotë Sllagjana Taseva. “Për fat të keq këto metoda janë të njohura kur shteti dëshiron t'i hesht këto institucione. Kushtëzimi financiar do t'i pamundësojë ato të punojnë ashtu siç duhet “, vlerëson Taseva. Komisioni antikorrupsion në bazë të ligjit ka mundësi të angazhojë edhe ekspert nga jashtë për zbardhjen e rasteve të korrupsionit në vend. Një gjë të tillë Komisioni nuk mund t'a shfrytëzojë, sepse nuk ka mjete financiare për t'i paguar as ekspertët vendas, shprehet Taseva.

Korruption

Sasho Ordanovski nga “Transparencë Maqedonia”, thotë se regjimet populliste siç është ky i kryeministrit Gruevski, luftën ndaj institucioneve të cilat janë të padëgjueshme ndaj pushtetit, e udheheqë përmes zvogëlimit të përgjegjësive.

“ Çdo institucion që shpreh dëshirë të jetë i pavarur dhe e kryen punën sipas ligjit, has në probleme me këtë qeveri. Qeveria po shfrytëzon metoda efikase për heshjtjen e këtyre institucioneve”, thotë Sasho Ordanovski. Qeveria me ndryshimet e fundit të ligjit për pengimin e korrupsionit parasheh shkarkimin e parakohshëm të anëtarëve të Komisionit.

“ Ne themi gjithmonë se lufta kundër korupsionit është prioritet i Maqedonisë. Me këto hapa në fakt tregojmë se prioritetet e tilla janë larg kësaj qeverie”, pohon Ilmi Selami, krytar i Komisionit antikorrupsion.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani