1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marini do të zhvillojë bisedime me rëndësi vendimtare

Gregor Hoppe 4 Shkurt 2008

Qysh pas dorëheqjes së kryeministrit Romano Prodi Italia ka mbetur pa qeveri. Ish-presidenti i senatit Franko Marini duhet të formojë një kabinet, i cili të çojë përpara reformën e domosdoshme elektorale.

https://p.dw.com/p/D2AS
Franco Marini, djathtas flet me gazetarët në prani të presidentit Giorgio Napolitano, 30 janar 2008
Franco Marini, djathtas flet me gazetarët në prani të presidentit Giorgio Napolitano, 30 janar 2008Fotografi: AP

Është raundi i fundit i bisedimeve në kërkim të krijimit të një mazhorance të qëndrueshme. Besimin, se kjo do të arrihet e shpreh vetëm presidenti i senatit Marini: "Gjendja qysh në fillim ishte e vështirë dhe e komplikuar dhe e tillë vazhdon të jetë. Por padyshim ka një shanc të vogël. Të paktën kjo është bindja ime personale. Ka një shans të vogël."

Si rrjedhojë ai hyn me besim në bisedimet që zhvillohen gjatë ditës. Marini takohet sot me krerët e grupeve më të mëdha të partive parlamentare: demokratët e qendrës së majtë, partitë e qendrës së djathtë aleanca nacionale dhe partia e Bereluskonit, Forca Italia.

Në fundjavë (2 dhe 3 shkurt) përfaqësuesit e partenerëve që vendosin mbi kontratat e punës ishin tek Marini. Ky takim është më shumë një ritual se sa bisedime të vërteta. Sindikatat, që gjatë pesë vjetëve të qeverisë së Berluskonit disa herë organizuan grevë të përgjithshme, nuk u morrën shumë në konsideratë as gjatë qeverisë Prodi. Ndaj drejtuesit e tri sindikatave të mëdha përsëritën kërkesën për lehtësime të menjëhershme fiskale për punonjësit dhe rritjen e pensioneve. Ato u shprehën gjithashtu edhe për një ligj të ri elektoral përpara zgjedhjeve të ardhëshme. Kësaj kërkese iu bashkua sërish edhe presidenti i shoqatës së industrialistëve Confindustria. Shefi i FIAT dhe i Ferrarit Luca di Montezemolo: "Klasa politike i ka dhënë vendit një lojë të shëmtuar, duke mos arritur në asnjë marrëveshje për muaj të tërë për një ligj, në bazë të të cilit qytetarët të mund të vendosin vërtetë se kë duan të dërgojnë në parlament. Kjo është një drejtë themelore e qytetarëve."

Kalkulimi i lojës për pushtetin rezulton se duhen bërë zgjedhje të parakohshme. Silvio Berluskoni dhe partnerët e aleancës së tij sipas sondazheve kryesojnë dukshëm kundrejt qendrës së majtë. Ndonëse edhe një pjesë e qendrës së majtë ka kërkuar reformën elektorale tani kjo s´ka më vlerë.