1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel in Washington

7 Qershor 2011

Vizita e Merkelit në Uashington është shans për Gjermaninë që t`i japë hov të ri marrëdhënieve gjermano-amerikane, mendon Steven E. Sokol nga 'World Affairs Council of Pittsburgh.'

https://p.dw.com/p/11VPF

Steven E. Sokol është president i 'World Affairs Council of Pittsburgh'. Ai ka qenë po ashtu zëvendëspresident dhe drejtor programi për 'American Council on Germany'.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe Zonja e Parë, presin më shtatë qershor në Shtëpinë e Bardhë kancelaren gjermane Angela Merkel me të shoqin. Kjo është vizita e parë zyrtare e një kancelareje apo presidenti gjerman, që prej pritjes që ish-presidenti amerikan George Bush i bëri presidentit gjerman, Richard von Weizsäcker dy vjet pas ribashkimit, në vitin 1992.

Si dikush që ka jetuar në Berlin nga vitet tetëdhjetë deri në fund të viteve nëntëdhjetë, dhe që ka patur fatin të përjetojë direkt rënien e Murit, si dikush që është marrë intensivisht me Gjermaninë, Evropën dhe marrëdhëniet transatlantike, mendoj se vizita e kancelares Merkel zhvillohet në momentin e duhur.

Politika e koalicionit konservatoro-liberal e CDU-së dhe FDP-së, ka shkaktuar muajt e fundit konfuzion tek partnerët evropianë dhe partnerët e tjerë. Kam këtu parasysh vendimin e koalicionit në muajit mars, që ashtu si Brazili, Kina, India dhe Rusia, të mos e japë votën gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit të KB, për krijimin e zonës së ndalim-fluturimit në Libi dhe për marrjen e masave të tjera, në mbrojtje të popullsisë civile, duke shkaktuar shqetësim tek partnerët e NATO-s.

Politikë misterioze

Steven Sokol, President and CEO, World Affairs Council of Pittsburgh, experte für Transatlantische Beziehungen.
Steven SokolFotografi: Brian Cohen

Gjermania është treguar në nivel evropian pak e gatshme për të ndihmuar vendet e zonës së euros, që ndodhen në krizë të thellë borxhesh. Gjermania, kërkoi fillimisht plotësimin e kushteve të rrepta për programet e ndryshme të ndihmës, por kur vetë euro ra nën presion, atëherë Gjermania u zbut dhe luftoi për gjetjen e një zgjidhjeje të gjithanshme për zonën e euros. Disa ekspertë ekonomie në Shtetet e Bashkuara, druhen se kriza e euros mund të ndikojë negativisht në ripërtëritjen ekonomike të SHBA-së.

Edhe vendimi i fundit i qeverisë federale për të hequr dorë nga përdorimi i energjisë atomike në vitin 2022, ka qenë i papritur për disa vende fqinjë. Pas tërmetit dhe cunamit në Japoni, më 12 mars dhe kriza atomike që pasoi, më e madhja që prej kohës së Çernobilit, kancelarja gjermane bëri një kthesë në energjinë atomike duke përpiluar një moratorium tremujor për shtatë centralet më të vjetra atomike si dhe një kontroll sigurie në 17 të tjerët. Pastaj qeveria gjermane vendosi që brenda dhjetë vjetëve të heqë dorë nga energjia atomike.

Natyrisht, që disa nga këto vendime, të paktën një pjesë, kanë motive të politikës së brendshme. Në shtatë lande federale janë zhvilluar ose do të zhvillohen këtë vit zgjedhje dhe popullariteti i CDU-së i kryesuar nga Merkel si dhe i koalicionit qeveritar në përgjithësi ka rënë shumë kohët e fundit. Megjithatë, partnerët e Gjermanisë janë të mërzitur për këto vendime, veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe me vakumin gjeopolitik në zemër të Evropës.

Sigurisht, që Obama dhe Merkel nuk do të kenë mungesë temash gjatë vizitës së saj në Uashington, pas takimit të G-8 në Deauville franceze, ku kryetarët e qeverive të tetë vendeve të industrializuara folën për politikën e sigurisë, krizën e euros dhe tensionet e krijuara prej saj brenda Evropës.

Kërkohet pragmatizëm

Siç bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, në program bëjnë pjesë disa tema, nga gjendja e ekonomisë botërore deri tek Afganistani, politika ndaj Lindjes së Afërme si dhe marrëdhëniet me Iranin. Qëndrimi pro-izraelit i kancelares gjermane dhe fakti, që politika e Belinit ndaj konfliktit izraelito- palestinez është e lidhur ngushtë me atë amerikane, tregojnë se zhvillimet e fundit në këtë konflikt do të jenë po ashtu temë e bisedimeve.

Axhenda është ambicioze dhe temat vendimtarë për të dy vendet. Megjithatë disa drejtime të përbashkëta të poltikës së jashtmë dhe vlerat e përbashkëta mjaftojnë, që marrëdhëniet e mira që ekzistojnë që prej 50 vjetësh midis SHBA dhe Gjermanisë, të mbeten, por ato nuk mjaftojnë për të përballuar sfidat e shek. të 21-të.

Pragmatizmi dhe vendosmëria janë ato që kërkohen tani. Që prej marrjes së postit, presidenti amerikan Obama ka treguar se kërkon partnerë në votë për të zhvilluar zgjidhjet e tij pragmatike për nëj varg problemesh. Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe për më tepër Evropës dhe SHBA nuk mund të përcaktohen vetëm në temat bilaterale. Shumë më e rëndësishme është të punohet së bashku për zgjidhjen e problemeve globale. Vizita e kancelares në Uashington mund t`i shërbejë këtij dialogu.

Autor: Steven E. Sokol

Redaktoi: Elert Ajazaj