1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080410 Obama Prag Mitteleuropäer

8 Prill 2010

Jo vetëm duartrokitje, por edhe vështrime gjithë shqetësim e ndoqën presidentin amerikan Obama në Pragë, ku ai nënshkroi marrëveshjen me homologun e tij rus.

https://p.dw.com/p/MqPU
Shtrëngim duarsh. Obama dhe Medvedev në Pragë, 8 prill 2010Fotografi: AP

Premtimi i presidentit amerikan Barack Obama para një viti u prit në Pragë me entuziazëm.

„Jam këtu për të thënë se SHBA-ja nuk do të largohet kurrë nga njerëzit e këtij vendi. Neve na lidhin historia dhe vlerat e përbashkëta, si dhe premtimet e aleancës sonë, sepse artikulli 5 i Marrëveshjes së NATO-s e thotë shumë qartë: sulmi ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithëve."

Tani shumëkush është spektik lidhur me vizitën e përbashkët të tij me presidentin rus Medvedev. Një "orgji të tillë dashurie" me Rusinë nuk ka pasur në 20 vitet e fundit, pohon ish-ministri për Evropën, Aleksander Vondra. Gazeta „Reflex“ boton një karikaturë të presidentit Obama në një përqafim të zjarrtë me ish-liderin rus Leonid Brezhnjev. Mesazhi i tyre është se Perëndimi është gjunjëzuar para Rusisë. Shikuar nga aspekti historik, ky lloj dëshpërimi është i kuptueshëm, mendon socialdemokrati Lubomir Zaoralek:

„Këto ndjenja në Çeki dhe vendet tjera postkomuniste, për fat të keq, ende janë prezente: Rusia si figurë kryesore paraqet rrezik për paqën në Botë. Por as SHBA-ja në fakt nuk ka asnjë shkak, që Rusisë t'i bëjë lëshime.“

Në Çeki dhe vendet tjera postkomuniste afrimi i ruso-amerikan shikohet si kërcënim.

Këto vende kanë frikë se do të ndryshojë edhe axhenda amerikane. Në një letër të hapur dërguar presidentit Obama, intelektualët e vendeve të Evropës së Mesme dhe Lindore kanë paralajmëruar para një viti nga mundësia e dobësimit të NATO-s dhe revizionizmit rus.

Tschechien USA Russland Obama und Medwedew Unterzeichnung START-Abkommen Flash-Galerie
Presidenti amerikan Obama dhe homologu i tij rus duke nënshkruar marrëveshjenFotografi: AP

Frika është shtuar pas vendimit të Obamës që në Poloni dhe Çeki të mos ngrejë rrjetin e mbrojtjes nga raketat, mendon politologu Petr Kratoçvil. Ky projekt ishte për shumë njerëz një lloj simboli i angazhimit të Amerikës në rajon. Ngjashëm si Çekia edhe Polonia dhe vendet baltike konsiderojnë se nga SHBA-ja nuk janë trajtuar si duhet.

Çekia dhe shumë vende të tjera të rajonit nuk e shohin veten si një terren neutral mes Lindjes dhe Perëndimit. Uashingtoni është për shumicën e tyre një partner i natyrshëm, më shumë se BE-ja. Prandaj edhe janë kaq të dëshpëruara me ndjenjën se partnerët në Evropën Lindore po viktimizohen prej qeverisë amerikane për shkak të një fillimi të ri dhe partneriteti me Rusinë.

Të pakta janë vendet si Slovakia, të cilat pyetjen „Uashingtoni apo Moska" e shohin me një sy pragmatik, shpjegon ministri i Jashtëm Miroslav Lajçak.

"Asnjë vend në botë nuk do të shtronte këtu pyetjen "ose - ose". Rusia është një lojtar global, ndërkohë që Sllovakia varet gati 100 për qind prej importit të energjisë nga Rusia. Do të ishte e papërgjegjshme, që të mos vlerësohet ky fakt, apo që ai të injorohet."

Barack Obama më Pragë do të përballet me një listë të gjatë të brengave dhe dëshirave. Deklarimet e tij lidhur me këto gjëra u interesojnë njerëzve në Pragë, Bratislavë, apo Varshavë më shumë se vetë nënshkrimi i një marrëveshjeje të re për çarmatimin.

Autor: Christina Janssen/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica