1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicioni i ri opozitar në Maqedoni

Fatos Musliu26 Korrik 2012

Marrëveshja për koalicion opozitar parazgjedhor, është e para e këtij lloji në politikën e Maqedonisë. Analistët: Koalicion i panatyrshëm. Ekspertët: Ky bashkëveprim hap pozitiv në bashkpunimin ndëretnik.

https://p.dw.com/p/15f0H
Fotografi: AP

Në skenën politike në Maqedoni për herë të parë zyrtarizohet marrëveshja për koalicionim parazgjedhor të opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare.Gjendja e rëndë ekonomike, mungesa e demokracisë dhe ngecja e proceseve të eurointegrimeve janë theksuar si tri arësye kryesore për bashkimin e opozitës. Kryetari i socialdemokratëve, Branko Crvenkovski thotë se politikat katastrofale, që ndjek pushteti aktual kanë çuar në bashkimin e opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare. “Qëllimi ynë i ardhshëm është që këtij fronti politik t'i bashkangjiten edhe organizatat joqeveritare dhe intelektualët me qëllim që ky të shëndrohet në front opozitar. Kjo do të na japë garanci për rëzimin e këtij pushteti dhe hapjen e perspektivave të reja për vendin”, vlerëson Crvenkovski.

Për kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, uniteti i opozitës është një proces që nuk ka të ndalur. “Është një cilësi e jashtëzakonshme demokratike në Maqedoni, transparenca e partive politike. Mendoj që marrëveshja për zgjidhje lokale mes LSDM-së dhe PDSH-së e ka në vetvete transparencën, u garantoj qytetarëve se edhe më tutje çdo gjë që do të bisedojmë dhe për çfarë do të merremi vesh me LSDM-në do të jetë transparente”, është shprehur Thaçi.

Bashkimi i opozitës është koalicion jo i qëndrueshëm, i ndërtuar në bazë të intrigave me qëllim për të ardhur në pushtet, vlerësojnë nga partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE. PDSH dhe LSDM gjatë veprimit të tyre politik asnjëherë nuk kanë bashkëvepruar qoftë në pushtet apo në opozitë.Veprimtaria e tyre është përcjellë me shumë mosmarrëveshje dhe polemika, por për analistin Petar Arsovski në politikë gjithçka është e mundur, koalicione jo të natyrshme në Maqedoni ka edhe mes partive të tjera. Nëse kanë gjetur gjuhë të përbashkët VMRO-DPMNE dhe BDI për të qeverisur, atëherë pse mos të bashkohen LSDM me PDSH-në, thotë Arsovski.

Wahlen in Mazedonien
Fotografi: MIA

Zgjedhjet lokale test për koalicionin

Analistja Gordana Siljanovska, vlerëson se koalicionimi parazgjedhor i opozitës maqedone dhe shqiptare është i orientuar nga një arsye e vetme, lufta për pushtet.

“Në Maqedoni nuk ka koalicione natyrale, aq shumë kundërshtohen interesat saqë tentativa është sikur të bashkoni ditën me natën. Është e qartë se bëhet fjalë për koalicion jo vetëm për interesa politike, por edhe personale”, shprehet Siljanovska.

Ekspertët thonë se koalicioni opozitar nuk duhet të mbetet vetëm në letër por më shumë duhet të punohet në terren me anëtarësinë, që nuk do të jetë punë e lehtë. Për profesorin universitar Zdravko Savevski bashkimi i opozitës maqedone dhe shqiptare mund të shënojë një hap tejet pozitiv në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.

“Kjo nuk do të jetë detyrë e lehtë por është e realizueshme. Në Maqedoni për herë të parë kemi bashkimin e partive politike nga etni të ndryshme, kjo duhet të shfrytëzohet për një bashkëpunim më të sukseshëm ndëretnik në Maqedoni ”, thotë Savevski.

Analistët nuk përjashtojnë mundësinë që zgjedhjet lokale të shërbejnë si test për këtë koalicion për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.