1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje bërthamore me çështje të pazgjidhura

Spencer Kimball3 Prill 2015

Gjatë bisedimeve bërthamore me Iranin u arrit një marrëveshje në parim, e cila mund t'i japë fund konfliktit që po vazhdon prej shumë vjetësh. Problemi është tek detajet, sepse ende ka çështje që duhet të sqarohen.

https://p.dw.com/p/1F2ET
Fotografi: Reuters/B. Smialowski/Pool

Irani dhe Perëndimi janë të vendosur për ta zgjidhur konfliktin që po vazhdon prej mëse dymbëdhjetë vjetësh për programin bërthamor të Teheranit. Ky është një nga rezultatet e bisedimeve maratonë në Lozanë.

Bisedimet ishin të komplikuara dhe vazhdimisht pati deklarata kontradiktore nga pjesëmarrësit. Kështu zëvendësministri i Jashtëm i Iranit mohoi që vendi i tij është i gatshëm për ta dërguar në Rusi me anije një sasi të madhe lënde bërthamore, për ta konvertuar në elementë për centralet atomike.

"Pa dyshim të dyja palët i përdorin mediat për të luajtur", thotë për DW-në Alex Vatanka nga Instituti për Lindjen e Mesme në Uashington. "Këto lajme synojnë t'i bëjnë presion palës tjetër. Nuk duhet të na habisë fakti që çështjet kontradiktore kryesore shfaqen në minutën e fundit."

Lausanne Atomverhandlungen Abschlußstatement Javad Zarif Kerry
Fotografi: Reuters/B. Smialowski/Pool

"Në thelb me këtë marrëveshje synohet të kapërcehen jo vetëm mosmarrëveshjet mbi çështjen e armëve bërthamore, por edhe mosbesimi ndërmjet Iranit dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara," thotë Vatanka.

Korniza e marrëveshjes

Edhe pse detajet teknike duhet të përpunohen më tej, korniza e përafërt e marrëveshjes bërthamore ka marrë tashmë formë, thotë Matthew Bunn që punon për projektin kërkimor për sigurinë nukleare pranë Universitetit të Harvardit. Sipas njoftimeve Teherani do të zvogëlojë me dy të tretat 19.000 centrifugat që ka Irani dhe do të mbajë vetëm disa qindra kilogram uranium të pasuruar.

Në kushte të tilla Iranit do t'i duhej rreth një vit për të prodhuar material të mjaftueshm radioaktiv për një bombë bërthamore - dhe bashkësia ndërkombëtare do të kishte po ashtu kohë që të vepronte nëse Irani do ta thyejë marrëveshjen.

Në këmbim komuniteti ndërkombëtar - veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian –do të heqin gradualisht sanksionet ekonomike, ndërsa Irani do të përmbushur detyrimet e tij. Megjithatë, është ende e paqartë se kur, cilët sanksione do të hiqen. Sanksionet që e prekin më fort Iranin janë ato që lidhen me eksportin e naftës dhe sektorin financiar.
Heqja e sanksioneve do të sjellë përfitime të shumta për njerëzit e fuqishmëm në regjimin iranian dhe ata nuk duan t'i humbasin ato ", thotë Bunn.

Zbatim i vështirë

Zbatimi praktik i marrëveshjes mund të jetë e vështirë. Në thelb bashkësia ndërkombetare ofron lehtësim të sanksioneve në këmbim të një bashkëpunimi të ardhshëm nga ana e Iranit. Kjo do të bëjë të nevojshme edhe kontrolle të forta për të garantuar që Irani po i zbaton vërtet detyrimet e tij, thotë Christopher Bidwell që merret çështje të sigurisë bërthamore.

Lausanne Atomverhandlungen Abschlußstatement Gruppenbild
Fotografi: Getty Images/AFP/F. Coffrini

Faktorë pasigurie

Edhe sikur Irani të pranojë kontrollet rreziku që ai të vazhdojë fshehurazi studimet dhe eksperimentet për pasurimin e uraniumit mbetet.

Po ashtu deri më 30 qershor mund të ndodhin shumë gjëra. Në rast se konseratorët do të fitojnë p.sh. dy të tretat në Kongres, ata mund ta bllokojnë me veton e tyre presidentin Barack Obama.

Probleme mund të shkaktojnë edhe konservatorët në Iran. Fjalën e fundit në Iran e ka ajatollah Ali Chamenei dhe ky mund ta refuzojë marrëveshjen, në rast se mendon se ajo shkel sovranitetin e vendit.

Por Vatanka nga Middle East Institute mendon se të dyja palët janë të vendosura për marrëveshjen, sepse nuk ka alternativa të tjera.