1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje e ndërmjetme me Serbinë

Bernd Riegert29 Janar 2008

Bashkimi Evropian i ka ofruar Serbisë bashkëpunim të thelluar. Opsioni i nënshkrimit të MSA-së u hoq kështu përfundimisht nga rendi i ditës. Për këtë ranë dakord ministrat e jashtëm të hënën, më 28 janar 2008, në Bruksel

https://p.dw.com/p/Cyy3
Serbia e përçarë mes Evropës dhe RusisëFotografi: AP/DW
Meqënëse të 27 ministrat e jashtëm të BE-së nuk ranë dakord që të nënshkruanin Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Serbinë, vendi ballkanik tani do të mbahet në kursin evropian me një dokument tjetër. BE-ja ofron një kontratë për dialog politik, tregti të lirë, lehtësime për viza dhe këmbime në fushën e arsimit, e cili do të nënshkruhet qysh më 7 shkurt. Holanda dhe Belgjika patën rrefuzuar ta nënshkruanin MSA-në e negociuar më parë, me argumentin se Beogradi nuk kishte bashkëpunuar siç duhet me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, që do të thotë se i kërkuari për krime lufte, Ratko Mladiç, nuk është dorëzuar ende. Për të mos u treguar të përçarë dhe duarbosh vetëm disa ditë para raundit vendimtar të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, ministrat e jashtëm, mbas një diskutimi disaorësh, ranë dakord për një dokument tjetër. Dimitri Rupel, ministri i jashtëm i Sllovenisë dhe kryetar i radhës në Këshillin e Minsitrave në fund ishte i lehtësuar: "Fakti që arritëm të binim dakord për këtë tekst, dëshmon se e morrëm seriozisht çështjen. Duhet ta pranoj se në disa pika diskutimet ishin shumë të nxehta", tha ai. "Arritja e marrëveshjes tregon Bashkimi Evropian ka një gjuhë të përbashkët ndaj Serbisë." Gjermania pro nënshkrimit Gjermania ishte nga ato që e favorizonte nënshkrimin e MSA-së, që është një hap drejt antarësimit në BE. Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier), argumentoi se kështu do t'i jepej mbështetje presidentit aktual Boris Tadiç, i cili konsiderohet si pro-evropian. "Sigurisht që ekziston një luftë mes forcave proevropiane dhe atyre, që nuk e vlerësojnë afrimin me Evropën ose që kërkojnë të afrohen me të tjerë. Ne kemi interes të përbashkët që rruga proevropiane të jetë ajo që favorizohet në Serbi. Sigurisht që ne përpiqemi që t'i japim politikës sonë një drejtim të tillë." Jeremiç: Do të punojmë për të hyrë në Evropë Se a do ta pranojë qeveria serbe këtë ofertë të BE-së të enjten e javës së ardhshme, kjo do të varet nga rezultati i zgjedhjeve, tha ministri serb i punëve të jashtme, Vuk Jeremiç. Ai tha se shpreson që votuesit serbë do të zgjedhin Evropën. Me këtë marrëveshje të ndërmjetme, BE-ja e ka hapur edhe më tej portën drejt Evropës. Kjo është një ditë e madhe, tha Vuk Jeremiç. „Unë mendoj se ne duhet të diskutojmë më tej për rrugën e pajtimit mes popujve në Ballkan. Ne jemi të vendosur për një bashkëpunim të plotë me Tribunalin. Dhe jemi të vendosur, që të arrijmë gjithçka që na takon, pra anëtarësimin e plotë në familjen evropiane." Qipro kundër pavarësisë së Kosovës Bashkimi Evropian me këtë hap shpreson që të zbusë edhe reagimin e Beogradit ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Jo të gjitha vendet e BE-së janë të gatshme ta njohin pavarësinë. Qiproja është një nga shtetet antare që është kundër, sepse ka frikë se Kosova kështu mund të kthehet në një rast preçedent për pjesën veriore të ishullit mesdhetar dhe të inkurajonte edhe shtete të tjera ta njihnin atë si shtet të pavarur. Republika Turke në Veri të Qipros u shpall në vitin 1983, nëntë vjet mbas invazionit të Turqisë në ishullin mesdhetar. Ajo funksionon faktikisht si një shtet i pavarur, por me përjashtim të Turqisë asnjë vend tjetër nuk e njeh si të tillë.