1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje e re apo implementimi i marëveshjeve?

Marina Maksimoviq/Bahri Cani27 Janar 2014

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të bisedojnë për çëshjtet juridike dhe formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.Pritet edhe një "marrëveshje e përgjithshme" për marrëveshjet e deritanishme.

https://p.dw.com/p/1AxkV
Fotografi: European External Action Service

Për herë të parë këtë vit dhe për herë të 21-të prej fillimit të dialogut, kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të ulen pranë tryezës së bisedimeve në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Chaterine Ashton. Organizatorët kanë planifikuar edhe një darkë të përbashkët pune, pas takimeve bilaterale, të cilat Ashton do t'i mbajë me palët gjatë orëve të pasditës.

"Takimi mbahet pas konstituimit të suksesshëm të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe palët do të vazhdojnë bisedimet për zbatimin e marrëveshjes së arritur në prill të vitit të kaluar, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë", deklaroi Ashton në prag të takimit të sotëm. Ashton ka bërë të ditur në fund të vitit të kaluar se pas Marrëveshjes së prillit, së shpejti mund të bisedohet edhe për "Marrëveshjen e dytë", lidhur me normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri i Serbisë Daçiq thotë se në këtë moment nuk ka elemente të mjaftueshme për një marrëveshje të re dhe se në vazhdim do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. "Duhet të përfundojmë bisedimet për aspektet juridike dhe statutin e bashkësisë së komunave serbe. Ka dhe çështje të tjera për të cilat ekziston marrëveshje parimi dhe të cilat presin zbatimin: si energjia, telekomi etj. Por ka dhe tema të tjera që duhet të hapen, si pasuria dhe pronat, pozita e Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgimia kulturore. Në rend dite do të jetë edhe çështja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe kushtet për pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje. Të gjitha këto tema duhet të hapen në takimet e radhës", thotë Daçiq.

Gjykata dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Gjykata dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe janë ndër temat e para që duhet të hapen në Bruksel. Beogradi dhe Prishtina deri tani kanë qëndrime të ndryshme sa i përket kompetencave të këtyre institucioneve, sepse Prishtina mendon se gjykata e re duhet të jetë përgjegjëse për shtatë komuna, ndërsa Beogradi kërkon përgjegjësi vetëm për katër komunat e veriut.

Mosmarrëveshje ka edhe rreth statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zv/kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri pohon se "Ministria e Pushtetit Lokal e ka hartuar një statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit". Ndërsa pala serbe pohon se statuti është punuar gjatë negociatave të grupeve të punës në Bruksel. Dialogu me Prishtinën dhe marrëveshja për normalizimin e raporteve është një prej kushteve të BE në procesin e negociatave me Serbinë. Por ekpsertët thonë se dialogu në javët dhe muajt e ardhshëm mund të ngadalësohet, për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe në Kosovë.