1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje për bashkëpunimin e bursave të Malit të Zi dhe B-H

Mustafa Canka/ Bahri Cani2 Nëntor 2012

Marrëveshja e nënshkruar së fundi për bashkëpunimin e bursave të Sarajevës, Banja Llukës dhe Malit të Zi, mund të ndihmojë për daljen më të shpejtë nga kriza në këto vende.

https://p.dw.com/p/16bpK
Marrëveshje për bashkëpunimin e bursaveFotografi: dapd

Për të kryer ndonjë transaksion tregtar që ka lidhje me këto tre vende, për të cilin më parë janë dashur tre brokerë apo tri llogari të ndryshme, tani mjafton vetëm një. Kështu thuhet në marrëveshjen e nënshkruar mes bursave të Sarajevës, Banja Llukës dhe Malit të Zi. Drejtori i bursës Montenegro, Gojko Maksimoviq thotë për Deutsche Wellen se detyrat kryesore ende nuk janë kryer. "Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, krijohet një treg më i madh dhe do të kemi më shumë oferta për investorët. Në kushtet e deritanishme mundësitë në treg kanë qenë më të më të vogla”, shpjegon ai.

Bursat para falimentimit

Dhe me të vërtetë: në tre vitet e fundit ka rënë dukshëm aktiviteti i bursave në Mal të Zi. Në fakt, bursa gati që nuk funksionon fare. Të dhënat e fundit tregojnë se ata të cilët, për shembull, para pesë vitesh kanë investuar në bursë dhe aksione rreth 100 euro, vlera e tyre sot është shtatëfish më e ulët - pra rreth 15 euro! Kjo do të thotë se indeksi në bursën e Malit të Zi ka rënë prej vitit 2007, për rreth 85 %. Vetëm gjatë këtij viti ka rënë qarkullimi në bursën e atjeshme gati trefish. Shumë sipërmarrje, aksionet e të cilave kërkoheshin shumë në kohën e bumit të investimeve, tani janë në procesin e falimentimit, apo kanë falimentuar fare.

Bundesverfassungsgericht Urteil zum ESM Reaktionen an der Börse
Indeksi në bursën e Malit të Zi ka rënë prej vitit 2007, për rreth 85 %Fotografi: Reuters

Situatë e ngjashme edhe në Bosnjë e Hercegovinë

Situata nuk është aspak më e mirë as në Bosnjë e Hercegovinë. Pas privatizimit të pronës shoqërore, tregu i kapitalit gjendet ende në fazën fillestare. Bursat në Sarajevë dhe Banja Lukë mbeten në jetë vetëm duke i falënderuar tregtisë me bonot e shtetit apo me letrat me vlerë nga kursimet e dikurshme në kohën e ish - Jugosllavisë. Ekpsertët e ekonomisë thonë se situata nuk mund të ndryshojë pa përmirësimin e gjendjes ekonomike në rajon dhe pa vendosjen e lidhjeve më të ngushta mes ekonomive të këtyre vendeve. Fakti që tregjet e këtyre vendeve janë shumë të vogla, është edhe një dëshmi tjetër se ato mund të mbijetojnë vetëm duke bashkëpunuar me vendet tjera. Kështu shprehet edhe komentatori i gazetës "Monitor" nga Podgorica Zoran Radulloviq.

"Në këtë moment nuk ka asnjë sipërmarrje e cila mund të sigurojë investor seriozë nga ndonjë vend perëndimor - pa marrë parasysh numrin e bursave. Edhe po të sillnim këtu bursën e Nju Jorkut, problemi mbetet ai që ka qenë edhe më parë: nuk ka se çfarë të blehet", pohon ai.

Deutschland Wirtschaft Börse in Frankfurt Rezessionsangst Anzeigetafel
"Problemi është se nuk ka se çfarë të blihet," thotë Zoran RadulloviqFotografi: dapd

Tregjet virtuale

Maksimoviq shton se marrëveshja për bashkëpunimin më të ngushtë mes bursave në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi duhet të realizohet brenda 12 muajve. Secila prej tyre do të ruajë identitetin e vet dhe tregun lokal, por qasja rajonale mundëson thjeshtësimin e punëve dhe një treg më të gjerë. “Presim që në këtë projekt së shpejti të futet edhe bursa e Maqedonisë, sepse edhe atje përdoret sistemi i njëjtë i tregtisë. Shpresoj se edhe bursat e tjera do të kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit dhe zgjerimit të tregut - qoftë ky edhe vetë një treg virtual i kapitalit, në mënyrë që tregtia në këtë rajon të jetë e lirë”, kontstaton drejtori i bursës Montenegro.

Ndërsa autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës shpresojnë se tregu i kapitalit mund të ringjallet kur të fillojë ndërtimi i disa akseve të rëndësishme rrugore rajonale, si dhe realizimi i projekteve për furnizim me energji elektrike.