1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heqja e murit në veri të Mitrovicës ul tensionet

Bekim Shehu
4 Shkurt 2017

Qeveria e Kosovës thotë se marrëveshja për murin do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një mjedis të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri e jug të Mitrovicës.

https://p.dw.com/p/2Wyn7
Norden Mitrovica, Kosovo
Fotografi: DW/B.Cani

Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e serbëve lokalë të veriut të Mitrovicës, arritën marrëveshje për murin në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër që ndan qytetin në dy pjesë. Takimi që u mbajt në zyrën e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë dhe ambasadori amerikan, zgjati deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë.

Nëpërmjet një komunikate për media të lëshuar nga qeveria e Kosovës thuhet se, "Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e zyrës së Bashkimit Evropian si dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, janë pajtuar që të zgjidhet çështja që e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore".

Ulje tensionesh

Kjo zgjidhje spas qeverisë, do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një mjedis të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës. "Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi të kënaqur që të gjithë kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

"Më 4 ose 5 shkurt duhet të rrënohet objekti, më 5 shkurt do të bëhet largimi i strukturës ekzistuese, ndërsa ndërtimi i projektit të ri do të nis me 7 shkurt".

Ndërtimi i murit të lartë dy metra nga serbët lokalë në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër, ngriti tensionet ndërmjet Prishtinës zyrtare, serbëve të veriut dhe Beogradit. Serbët e veriut thanë se muri ishte pjesë e ndërtimit të një shëtitoreje, ndërsa, qeveria në Prishtinë e cilësoi ilegal dhe që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët.

Gjuriq: Arrihet marrëveshje

Edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se "përfaqësuesit e Listës Serbe gjatë natës kanë arritur marrëveshje me qeverinë në Prishtinë rreth asaj se si të vazhdohen punimet rreth urës mbi lumin Ibër”. Sipas tij, "kjo marrëveshje do t'i zbusë tensionet dhe se ai pret që gjatë ditëve në vijim opinionit do t'i bëhet e ditur se si do të duket ajo zonë”, duke sqaruar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë të kënaqur me marrëveshjen. Revitalizmin e urës mbi lumin Ibër e ka marrë përsipër Bashkimi Evropian. Ky projekt do të kushtojë 1.2 milionë euro.