1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Martesa e parë brenda gjinisë në Francë

Eliana Xhani (afp)29 Maj 2013

Në Francë celebrohet këtë të mërkurë martesa e parë e një çifti homoseksual, që konkretizon reformën sociale të mbështetur nga e majta në pushtet. Një pjesë e së djathtës dhe Kisha Katolike e kundërshtojnë reformën.

https://p.dw.com/p/18g6J
Fotografi: Reuters

Në Francë do të celebrohet këtë të mërkurë (29.5.) martesa e parë e një çifti homoseksual, që konkretizon reformën sociale të mbështetur nga e majta në pushtet por e kundërshtuar nga një pjesë e mirë e së djathtës dhe Kisha Katolike. Kundërshtimi i martesës brenda së njëjtës gjini u bë shkak për një lëvizje opozitare, përmasat e së cilës kanë habitur vëzhguesit.

Vincent Autin, 40 vjeç dhe Bruno Boileau, 30 vjeç, do të lidhin kurorë në bashkinë e Montpellier në jug të Francës, rreth orës 15:30. Në ceremoni priten rreth njëqind të ftuar, ndër të cilët edhe ministrja franceze e të Drejtave të Grave dhe zëdhënëse e qeverisë Najat Vallaud-Belkacem, e cila ka deklaruar se pjesëmarrja e saj është "private", si dhe përfaqësues të medieve nga e gjithë bota.

Forca të shumta të policisë dhe xhandarmërisë franceze do të kujdesen për sigurinë gjatë ceremonisë, e cila zhvillohet tri ditë pas një manifestimi kundër martesës brenda gjinisë, që nxorri në rrugët e Parisit qindra mijëra vetë dhe që përfundoi me incidente të dhunshme me forcat e rendit, të provokuara nga grupe të vogla të së djathtës ekstreme.

Vëmendje e madhe mediatike

Manifestim homofob në Paris
Manifestim homofob në ParisFotografi: Eric Feferberg/AFP/Getty Images

Ligji u hap rrugën martesave dhe adoptimit të fëmijëve për çiftet homoseksuale, një premtim i fushatës elektorale të presidentit socialist François Hollande, votuar në parlament në 23 prill dhe miratuar nga Hollande në 18 maj pas konfirmimit nga Këshilli Kushtetues. Dekreti për hyrjen në fuqi të ligjit u publikua të martën (28.5.) në fletoren zyrtare.

"Jemi vendi i 14-të që njohim martesës brenda gjinisë", theksoi për agjencinë e lajmeve AFP kryetarja socialiste e bashkisë së Montpellier, Hélène Mandroux, e cila do të drejtojë ceremoninë. Ajo u shpreh e hapitur me vëmendjen e madhe mediatike për ceremoninë. "Ndoshta prania e madhe e gazetarëve ka të bëjë me habinë e tyre pas reagimit të kundërshtarëve të martesës brenda gjinisë. Ata u habitën që në vendin e të drejtave të njeriut mund të kishte dhunë. Shpresoj që nga kjo martesë ata të kuptojnë se Franca ka ecur përpara në planin social", tha Mandroux.

Kundërshtarët e kësaj reforme të mbështetur nga shumica e francezëve, por e kundërshtuar nga Kisha Katolike dhe një pjesë e mirë e së djathtës, i kanë shtuar manifestimet e tyre që nga nëntori 2012. Me kalimin e kohës toni i krahut më të vendosur është radikalizuar me thirrjet për dorëheqjen e François Hollande, kundërshtimin e rregullave të lojës në demokraci dhe me ofendime homofobe.

Përmasat e manifestimit të së dielës (26.5.) treguan se lëvizja synon të vazhdojë në kohë për të kërkuar abrogimin e ligjit. Me afrimin e kësaj martese të parë socialistët u përpoqën të zbusin situatën. Socialistja Ségolène , ish-kandidate për presidente në 2007, vlerësoi të martën (28.5.) se barazia e të drejtave për homoseksualët është vendim i drejtë, por nuk duhej të ishte folur për martesë. "Kjo do të kishte shmangur konfrontimet si ato që pamë ditët e fundit", u shpreh Royal.