1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Martesë mbretërore në Pocdam

28 Gusht 2011

Stër-stërnipi i Perandorit Wilhelm II, Georg Friedrich Prince i Prusisë u martua me Princeshën e Isenburgut Sofia, në një kishë në Pocdam në praninë e mbi 650 të ftuar- midis tyre edhe anëtarë të aristokracisë evropiane

https://p.dw.com/p/12P2E
Puthja e çifti princëror të kurorëzuar
Puthja e çifti princëror të kurorëzuarFotografi: picture alliance/dpa

Sofia Princeshë e Isenburgut 33 vjeç dhe Georg Friedrich Prince i Prusisë 35 vjeç u martuan në një kishë në Pocdam pranë Berlinit në praninë e mbi 650 miqve të ftuarve,  midis tyre edhe anëtarë të aristokracisë evropiane.Titujt e çiftit nuk njihen më zyrtarisht. Megjithatë, martesa në Pallatin Sansouci, pranë Berlinit u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

Indiferenca - mbizotëruese rreth 'martesës mbretërore' gjermane

Të shtunën (27.08.2011), Princi Georg Friedrich i Prusisë u martua me Princeshën Sophie von Isenburg. Megjithë përpjekjet e shtypit bulevardesk për ta paraqitur ngjarjen të zmadhuar në përmasat e martesës së Williamit dhe Kate-t në Britaninë e Madhe, shumica e njerëzve nuk treguan ndonjë entuziazëm të madh për martesën e dy të diplomuarve për biznes.

Mungesa e entuziazmit ka të bëjë pjesërisht me statusin gjithmonë e më të diskutueshëm të aristokracisë gjermane.  Në vitin 1919, Kushtetuta e Vajmarit i anulloi të gjitha llojet e privilegjeve të veçanta, të cilat i gëzonte më parë shtresa mbretërore në Gjermani. Papritur, të gjithë shtetasit u trajtuan në mënyrë të barabartë para ligjit, me të njëjtat të drejta civile dhe obligime. Kushtetuta e Vajmarit i dha fund edhe përjashtimit nga pagimi i taksave, të cilin e kishte shijuar më parë aristokracia gjermane. E zhveshur nga favoret e statusit të saj, aristokracisë gjermane i mbetën vetëm toka dhe titujt.

Deutschland Schloss Sanssouci in Potsdam
Kështjella Sanssouci në PocdamFotografi: picture alliance/dpa

Por megjithëse aristokracia u eleminua si institucion në Gjermani, ajo vazhdon të ekzistojë si një klasë sociale. Askund kjo nuk është më e dukshme se sa kur vjen puna  te martesat - një vështrim në pemën gjenealogjike të shumicës së aristokratëve tregon se ata ende kanë tendencë të martohen me njëri-tjetrin.

Le të marrim për shembull gruan e ish-ministrit gjerman të Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg: ajo nuk ishte thjesht një Stefani e madhe në moshë, por ishte Stephanie von Bismarck-Schönhausen, stër-stër-stërmbesa e Otto von Bismarck-ut, arkitektit të bashkimi të Gjermanisë në vitin 1871.

Së bashku, çifti arriti të sjellë pak magjepsje në skenën politike gjermane përndryshe monotone. Megjithatë, skandali që shpërtheu kur u mor vesh se Guttenbergu i kishte kopjuar shumë pjesë të doktoraturës së tij i kushtoi shumë shpejt ministrit kredibilitetin dhe postin. E gjithë familja tani, sipas informacioneve, po shpërngulet në SHBA, ku emrat e tyre ka më pak gjasa që t'i bëjnë njerëzit të ngrenë vetullat me habi.

Çështja e skandaleve dhe shfaqja relativisht e dendur e tyre në klasën më të lartë të shoqërisë është një arsye tjetër pse gjermanët "e zakonshëm" kanë rezerva kur vjen fjala për t'i vendosur në piedestal aristokratët e tyre.

Stereotipi i princit playboy mishërohet te Princ Augusti i Hanoverit, me emër të plotë Ernst August Albert Paul Otto Rupprecht Oskar Berthold Friedrich Ferdinand Christian-Ludwig. I martuar me princeshën Caroline të Monacos, sjelljet e princit u kujtojnë kritikëve huliganët e futbollit. Ai ka rrahur reporterë, fotografë dhe kameramanë (edhe gra). Në Ekspozitën Botërore Expo 2000 atë e kapën duke urinuar përballë pavionit turk. Atij i pëlqen të ecë me shpejtësi maksimale në vetura: policia franceze njehërë e ndaloi sepse po i jepte veturës me 211 km/orë në një rrugë, ku limiti i shpejtësisë ishte vetëm 130 km/orë.

Por Princi Ernst August nuk përfaqëson ndonjë enigmë. Po të marrim Prince Frederic von Anhalt, kemi të bëjmë me një borgjez, i cili e pagoi një princeshë që ta adoptonte, duke i dhënë të drejtën që të përdorte një titull aristokratik. Pagesa për të marrë një titull nuk është gjë e rrallë në Gjermani dhe prandaj mund të takosh shumë aristokratë "fallco".

Frederic von Anhalt-i u martua me legjendën e Hollivudit, Zsa Zsa Gabor dhe pas kësaj vazhdoi ekspozimin në shoqërinë e lartë, shpesh duke dalë me një puro të trashë në gojë. Përveç shfaqjes në shfaqje televizive, ai u trashëgoi titullin fëmijëve të tij "të adoptuar", shumë prej të cilëve janë emra të famshëm në botën ilegale të jetës së natës.

Princesha raciste

Megjithatë, asnjëri nga këta meshkuj nuk ka mundur të arrijë heroizmat bulevardeske të Glorias von Thurn und Taxis. E lindur konteshë, ajo u bë princeshë pasi u martua me Princin Johannes. Shumë kohë përpara se Lady Gaga të debutonte e veshur me një fustan të zbukuruar me bretkosa, Gloria von Thurn und Thaxis vishte kostume të zbukuruara me arushë stofi. Në vitet '80 nuk kishte veshje ekstreme apo model ekstravagant flokësh që të mos provohej nga Gloria.

Por pas vdekjes së të shoqit, konteshës iu desh të luftojë për të shpëtuar pasurinë e familjes. Punët u ndërlikuan edhe më tepër kur në vitin 2001 ajo komentoi në një show televiziv, se problemi i Sidas në Afrikë nuk kishte të bënte me mospërdorimin e preservativëve, por me faktin se zezakëve u pëlqente shumë të bënin seks.

Me aristokratë si këta, nuk është për t'u çuditur që Gjermania u përpoq me mundim të gjente mënyrën e duhur si ta festonte martesën "mbretërore".

Flash-Galerie Hochzeit von Georg Friedrich Prinz von Preußen und Sophie Prinzessin von Isenburg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Martesa e Princit Georg Friedrich von Prussia, një stër-stërnip i Perandorit të fundit gjerman dhe i gruas së tij, Princeshës Sophie von Isenburg nuk është një martesë zyrtare shtetërore, megjithëse ceremonia u transmetua në televizion. Drejtori i stacionit televiziv e argumentoi vendimin me "mësimet e historisë" që lidhen me martesën. Por paguesit e taksave televizive me gjasa nuk janë lumturuar, po t'u jetë kujtuar se ishin një aleancë e aristokracisë prusiane, kishës dhe nacionalistëve të Hitlerit ata që i sollën vuajtje të mëdha Evropës. Po me siguri kjo është një gjë, që nuk i pëlqen ta kujtojë çiftit të lumtur në ditën e tyre të martesës.

Author: Silke Wünsch, Sarah Harman, Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora