1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masa të reja shtrënguese

13 Shkurt 2012

Parlamenti grek ka miratuar një paketë të re kursimesh për vendin e zhytur në borxhe të larta. Ky ishte kushti që Greqia të marrë paketën e ndihmës prej 130 miliardë eurosh.

https://p.dw.com/p/142P5
Protesta në Athinë
Protesta në AthinëFotografi: dapd

Një shumicë e deputetëve prej 199 nga 278 votuan për planin e qeverisë që parashikon shkurtime të vendeve të punës në shërbimet publike si dhe shkurtime të konsiderueshme të pagave minimale dhe pensioneve. 74 vota kundër këtij plani u votuan nga deputetët komunistë dhe të majtë si dhe nga kampi qeverisës. Miratimin e kishte kërkuar trojka e përbërë nga përfaqësuesit nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar si kusht për marrjen e ndihmave të reja financiare prej 130 miliardë eurosh. Ndihma e re për Greqinë do të marrë dritën e gjelbër në takimin e ardhshëm të ministrave të Financave të eurozonës.

Para miratimit të paketës në parlament, kryeministri Lucas Papademos kishte kërkuar me këmbëngulje miratimin nga deputetët. Debatet në parlament ishin shoqëruar me trazira dhe protesta të mëdha. Rreth 100.000 vetë protestuan në Athinë, në kohën e debatit në parlament, i cili mbrohej nga policia. Forcat e policisë që kishin krijuar një kordon para ndërtesës së parlamentit u desh të përdordnin edhe gazin lotsjellës. Dhjetra ndërtesa u dogjën në Athinë në natën e së Hënës. Gjendja ende nuk është çtensionuar plotësisht.

Reagimi i Gjermanisë

Pas miratimit të paketës së kursimit nga pala greke, ka reaguar edhe qeveria gjermane. Vendimi i parlamentit është kusht i nevojshëm tha ministri gjerman i Ekonomisë, Philip Rösler (FDP) në një intervistë televizive për televizionin gjerman ARD dhe ZDF. Por vendimtare është zbatimi i reformave, tha Rösler, për të cilat trojka europiane e përbërë nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane do të raportojë para BE-së. Vetëm pas këtij raporti, Bundestagu gjerman do të marrë në shqyrtim ndihma të tjera për Greqinë dhe do të japë dritën e gjelbër për paketën e re të shpëtimit për Greqinë. Rösler mbrojti qëndrimin e vendeve të eurozonës ndaj Greqisë. Ka qenë hapi i duhur ta orientoje Athinën me presion europian në rrugën e duhur, tha ai.

Perspektiva e Greqisë, në kërcënim të vazhdueshëm nga falimentimi mbetet ende e paqartë. Edhe më parë ka pasur ligje të mira për tatimet në Greqi, por ato nuk janë zbatuar siç duhet. Miratimi i parlamentit grek është shoqëruar me reagime pozitive në bursat botërore, të cilat e filluan javën me plus.

Autor: Agj/Kelmendi/Arapi

Redaktoi: Amarildo Topi