1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

MASH të Shqipërisë ka nisur nga puna dhe për botimin e teksteve në gjuhët amtare të minoriteteve

Odise Kote/ Gjirokastër6 Korrik 2008

Qeveria shqiptare po e zgjidh përfundimisht këtë problem, që është dhe një standart i kërkuar dhe i shprehur në Kartën kuadër të Këshillit të Europës për liritë e të drejtat e minoriteteve.

https://p.dw.com/p/EXGM
Fotografi: DW

Specialistë të ministrisë shqiptare të arsimit në bashkëpunim me specialistë të minoritetit grek në jug të Shqipërisë po hartojnë tekstet për të gjithë cikilin shkollor deri në atë universitar. Mësimi në shkollat e minoritetit etnik grek në Shqipëri realizohet në klasa ku ka një numër të ulët të nxënësve. Një nga kërkesat e përhershme të minoritetit grek të shprehura edhe para vëzhguesve ndërkombëtarë ka qënë mungesa e teksteve në gjuhën greke të hartuara jo sipas modelit të përkthimit prej tekstit shqip në greqisht, por të botuara prej vetë mësuesve e autorëve minoritarë.

Qeveria shqiptare e zgjidhi përfundimisht problemin e botimit të teksteve shkollore në gjuhët amtare për minoritetet që jetojnë në Shqipëri. Minoriteti etnik grek dhe maqedonas do të kenë për vitin mësimor 2008 e në vijim tekstet në gjuhët e tyre amëtare të hartuara prej specialistëve të këtyre minoriteteve për të gjithë cikilin shkollor deri në atë universitar. Ministria e arësimit dhe shkencës të Shqipërisë ka nisur investimin për realizimin e këtij standarti që shprehet edhe në Kartën kuadër të Këshillit të Europës për liritë e të drejtat e minoriteteve.Kësisoj Shqipëria renditet ndër vendet që plotëson standartet më të avancuara për arësimimin e minoriteteve në gjuhët e tyre amëtare, si një nga standartet themelore të respektimit të lirive e të drejtave të minoriteteve.