1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maxhoranca - e vendosur për projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve e të zgjedhurve

Arben Muka/ Tiranë16 Dhjetor 2008

Komisioni i ligjeve në parlament miratoi të martën në mesditë amendimet për projektligjin aq të debatuar. PS ka paralajmëruar se në rast projektligji kalon në parlament, ajo do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.

https://p.dw.com/p/GHJx
Pamje e Tiranes pare mbi Sheshin Skenderbej
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Për të treguar vendosmërinë se do ta miratojë projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve e të zgjedhurve, ose siç thirret projektligji për spiunët e regjimit komunist, mazhoranca ka hedhur edhe një hap tjetër konkret mesditën e së martës. Ka miratuar në komisionin e ligjeve disa amendime për këtë projekt, duke e bërë të gatshëm rishqyrtimin dhe votimin në seancë plenare ndoshta të hënën tjetër.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, tha se shtyrja që iu bë votimit të ligjit kishte thjesht karakter teknik. Sipas tij kishte patur një fluks të madh propozimesh për amendime, të cilat sipas rregullores së parlamentit duhet të merreshin në konsideratë.

"Ne e kemi përmbushur këtë gjatë mbledhjes se komisionit të ligjeve, ku miratuam ndryshimet përkatëse në projekt", tha Patozi, duke nënkuptuar se PD nuk kishte asnjë tërheqje nga votimi i mazhorancës pro ligjit.

Patozi ka ftuar dhe opozitën që të reflektojë, por ai shprehu mosbesim se ajo do të ndryshonte qendrim, nga vetë mënyra se si deputetët e majtë kishin diskutuar gjatë seancës së të hënës në mbrëmje. "Ta tregojnë veten një herë të vetme se janë ndarë nga e kaluara e errët e regjimit komunist", tha Patozi.

Por PS ka shprehur kritika për projektin e mazhorancës duke e përshkruar atë si politik, që do të përdoret për të goditur, sipas saj, sistemin e drejtësisë në një kohë që po hetohen çështje të rëndësishme aferash korruptive, ku janë përfshirë dhe përfaqësues nga qeveria, si çështja e Gërdecit, e rrugës Durrës-Kukës etj. PS ka paralajmëruar se në rast miratimi të projektligjit në parlament, ajo do ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese.